Lidhje

Qeveria shqiptare bën emërime të reja


Në Shqipëri ministria e Energjitikës dhe Industrisë njoftoi sot për emërimet e reja në disa prej ndërmarrjeve kyçe me kapital shtetëror dhe institucioneve në varësi të saj.

Pas mbledhjeve të Këshillave Mbikqyrës janë shkarkuar drejtorët e Korporatës Energjitike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Albpetrolit. Në Korporatën Energjitike është emëruar drejtuesi i ri Agron Hetoja. Ndërsa në krye të operatorit të sistemit të Transmetimit, është vendosur ish drejtori i KESH-it Ëngjëll Zeqo. Ndryshim ka pësuar edhe drejtimi i Albpetrolit, ndërmarrjes së naftës e cila u vu në qendër të vëmendjes vitin e kaluar pas dështimit të procesit të privatizimit, i shoqëruar me polemika dhe dyshime të shumta.

Një ditë më parë ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, premtoi një hetim të hollësishëm për abuzimet e shumta që kanë ndodhur sipas tij në këtë ndërmarrje, e cila tani do të drejtohet nga Endri Puka. Deri tani zoti Puka ka punuar si drejtues në shoqëritë mediatike të sipërmarrësit Koço Kokëdhima, deputet socialist dhe një figurë e njohur për lidhjet shumë të ngushta me kryeministrin Rama. Pikërisht këtyre lidhjeve ju referua sot Partia Demokratike e cila akuzoi zotin Rama se po ja beson pasuritë kombëtare lidhjeve të veta private.

Po sot ministria e Energjisë njoftoi edhe emërimet e drejtuesve të disa institucioneve, ku bien në sy emrat e zotit Viktor Doda, ish ministër socialist i energjitikës, apo Rrapush Tolës, ish deputet socialist të cilët do drejtojnë Shërbimin Gjeologjik dhe Repartin e Inspektim-Shpëtim minierave. Ndërsa në Inspektoriatin qëndror Teknik është emëruar ish nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Adrian Çela, i cili dy muaj më parë u kallzua për ndjekje penale nga Kontrolli I Lartë i Shtetit për shkak të dyshimeve për abuzime me tenderat.
XS
SM
MD
LG