Lidhje

Këtë javë në Uashington


Amerikanët po bëhen gati për mbylljen e pjesëshme të qeverisë federale, gjë që duket gjithnjë e më e mundur, duke filluar nga nesër, ndërkohë që Kongresi politikisht i përçarë nuk është në gjendje të arrijë një marrëveshje mbi një formulë për të zgjatur autoritetin e qeverisë për shpenzimet federale. Në mungesë të një marrëveshjeje të minutës së fundit, shërbimet qeveritare jo të domosdoshme do të ndërpriten dhe qindra mijëra punonjës federalë do të qëndrojnë në shtëpi.

Të shtunën vonë në Dhomën e Përfaqësuesve tensionet ishin të larta, para se kjo dhomë e kontrolluar nga republikanët të miratonte një projekt-ligj për shpenzimet federale.

Ligjvënësi Rob Woodall vlerësoi një nen të projekt-ligjit, që e shtyn zbatimin e ligjit të kujdesit shëndetsor.

“Ne kërkojmë shtyrjen për një vit të zbatimit të ligjit për kujdesin shëndetsëor”.

Demokratët kritikuan taktikat e republikanëve për të dëmtuar ligjin. Ligjvënësi David Price:

“Një kapitull tjetër i marrjes peng nga republikanët: kërcënimi për të mbyllur qeverinë ose refuzimi për të paguar detyrimet financiare të vendit nëse nuk arrijnë synimet e tyre politike”.

Republikanët insistojnë se ata thjesht përfaqësojnë shqetësimet e popullatës në distriktet e tyre. Ligjvënësi Mark Meadows:

“Ne kemi dëgjuar shumë në këtë dhomë rreth qeverisë. Kur do të fillojmë të përqëndrohemi tek populli?”

“Le ta shtyjmë për një vit. Kjo është në thelb të këtij projekt-ligji, a do ta pranoni këtë kompromis. Nëse qeveria mbyllet, arsyeja është se ju nuk pranoni kompromisin e ofruar nga republikanët”.

Udhëheqësi i shumicës demokrate, senatori Harry Reid e cilësoi projekt-ligjin e Dhomës së Përfaqësuesve si “të kotë” dhe tha se vetëm një projekt-ligj shpenzimesh të plota do t’i shkojë Presidentit Obama për firmë.

“Ne nuk do të lejojmë të na bëhet shantazh. Ne nuk do të negociojmë me pistoletën tek koka”.

Projekt-ligji i Dhomës së Përfaqësuesve kalon tani në Senatin me shumicë demokrate, i cili javën e kaluar votoi për zgjatjen e të gjitha shpenzimeve federale. Presidenti Obama ka refuzuar të negociojë me republikanët.

“Askush nuk mund të dëmtojë ekonominë tonë dhe miliona njerëz të pafajshëm sepse ligjvënësve nuk u pëlqejnë disa ligje. Kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën dhe ne nuk do të fillojmë një praktikë të tillë”.

Senati pritet sot ta bllokojë projekt-ligjin e Dhomës së Përfaqësuesve, duke e lënë qeverinë pa autoritet shpenzimesh duke filluar nga nesër. Ky është i pari i dy betejave fiskale në Uashington. Para fundit të muajit të ardhshëm, Kongresi duhet të zgjasë autoritetin huamarrës të qeverisë federale, përndryshe qeveria rrezikon të mos paguajë dot këstin e borxhit. Ekonomistët paralajmërojnë se mbyllja e qeverisë për një kohë të gjatë ose mospagimi i borxhit kombëtar do të kishin pasoja katastrofike.

Betejat e brendshme fiskale përkojnë me përpjekjet e Presidentit Obama për hapjen e një dialogu të ri dhe delikat me Iranin me shpresë për të kufizuar programin bërthamor të Teheranit. Kjo çështje me siguri që do të jetë në qendër të bisedimeve të sotme të zotit Obama me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.
XS
SM
MD
LG