Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi më 1 tetor?

  • Astrit Lulushi

Battle of Guagamela

Battle of Guagamela

331 pes - Aleksandri i Madh del fitues ndaj Darit III të Persisë në Betejën e Gaugamelas, diku në afërsi të Mosulit të sotëm në Irak. Pas përleshjes, e njohur edhe si Beteja e Arbelas, Dari ikën duke u thënë ushtarëve që e shoqëronin se po shkonin në pjesën lindore të perandorisë për t'u rigrupuar. Në të njëjtën kohë, Dari u dërgoi mesazhe mëkëmbësve të tij që t'i qëndronin besnikë. Por, këta kishin qëllime të tjera. Bessus, oficer i lartë tepër i afërt e vrau Darin para se të nisej drejt lindjes. Kur Aleksandri mësoi se Dari ishte vrarë, ai u pikëllua thellë që një armik të cilin e respektonte, u vra në një mënyrë kaq të ulët. Aleksandri organzoi një ceremoni madhështore varrimi për Darin; pastaj i zemëruar u vu në ndjekje të Bessus, e kapi dhe e ekzekutoi. Historianët thonë se Perandoria Persiane de-facto morri fund me vdekjen e Darit.

1880 - Thomas Edison hap fabrikën e parë për prodhimin e llampave elektrike. Ai i kishte premtuar bashkisë së Nju Jorkut për ndriçimin e qytetit me rastin e Krishtindjeve.

1908 - Kompania Ford nxjerr në treg makinën Model-T me një çmim prej 825 dollarësh duke e bërë automobilin të përballueshëm për gjithnjë e më shumë amerikanë.

1936 - Francisko Franko emerohet kreu i qeverisë së Spanjës nga një grup ushtarakësh që sapo kishte rrëzuar qeverinë republikane të udhëhequr nga Fronti Popullor. Kjo ngjarje i dha shkas shpërthimit të luftës civile në vend. Më 1939, Franko do të shpallej diktator, dhe qëndroi në pushtet derisa vdiq më 1975.

1943 - Në afërsi të Pejes, lind Jusuf Gervalla - studioi në Kosovë e Slloveni, punoi si gazetar në Prishtinë e Shkup, krijoi një levizje klandestine per çlirimin e Kosovës, por u detyrua te ikte nga vendi. Në vitin 1982, Gërvalla u vra nga persona të panjohur pranë shtepisë së tij në periferi të Shtutgardit, Gjermani. Nga të shtënat, krahas tij, mbetën të vrarë i vëllai Bardhosh Gërvalla dhe shoku i tij Kadri Zeka. Vrajsa e trefishtë, për të cilën dyshimet ranë mbi sigurimin jugosllav, shkaktoi zemërim mes shqiptarëve në Kosovë dhe jashtë. Studiuesi Robert Elsie thote se disa vëzhgues e cilësojnë këtë vrasje si pike-nisjen e konfliktit të armatosur midis shqiptarëve dhe autoriteteve serbe në Kosove. Jusuf Gervalla ishte edhe shkrimtar e poet. Ja nje strofë nga:
SHTËPIA QË NDËRTOJ
"në një skutë do të ketë më shumë dritë
në tjetrën vend për shtratin dhe minjtë
një derë do ta ketë për në rrugën kryesore
një tjetër për kopshtin me lule të bardha
një verandë do ta ketë me një fuçi druri portokalli
do ta llogarisë këndin e diellit mbi dritare."


1946 - Gjyqi i Nurembergut dënon 22 udhëheqës nazistë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

1949 - Mao Ce Duni shpall krijimin e Republikës Popullore te Kinës e cila përfshin Kinën kontinentale dhe dy rajone administrative, Hong Kong dhe Makao. Vendimi pasoi përfundimin e luftës civile midis forcave komuniste dhe ushtrisë së Republikës së Kinës, e themeluar që në vitin 1911/1912. Kjo republikë doli e humbur nga lufta por ruajti kontrollin e Tajvanit dhe disa grupe ishujsh aty pranë me një popullsi prej rreth 9 milionë banorësh. Për shumë vite, të dyja Republikat pretendonin se ishin qeveria e vetme legjitime e Kinës. Para vitit 1970, Republika e Kinës (Taivani) njihej nga shumë vende dhe nga Kombet e Bashkuara si qeveria e vetme legjitime - ajo kishte qenë anëtare themeluese e Kombeve të Bashkuara dhe një nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit. Kjo zgjati deri më 28 tetor 1971, kur përfaqësuesi i Republikës së Kinës në OKB u zëvendësua nga përfaqësuesi i Republikës Popullore të Kinës, pasi Asambleja e Përgjithëshme miratoi projekt-rezolutën e paraqitur nga Shqipëria.

1957 - Në kartmonedhën amerikane shfaqet për herë të parë shprehja "In God We Trust". si alternativë apo zëvendësuese e motos jo-zyrtare “E pluribus unum”. Disa thonë se shprehja “Në Zot ne besojmë” është marrë nga hymni i Amerikës "The Star-Spangled Banner". Strofa e katërt përfshin frazën, "Dhe kjo të jetë motoja jonë: Në Zot është besimi ynë.” Feisal Abdul Rauf, imam mysliman shkruan se fraza "Në Zot ne besojmë" përkon me mësimin islam, dhe ofron dy paragrafe nga Kur'ani (3:193 dhe 2:285). Në mënyrë të ngjashme, Melkote Ramaswamy, dijetar amerikan hindu, shkruan se prania e frazës "Në Zot ne besojmë" në monedhën amerikane është kujtesë se Perëndia ndodhet kudo, pavarësisht nëse jemi të ndërgjegjshëm apo jo. Në judaizëm dhe krishtërim, motoja "Në Zot ne besojmë " ngjason me vargje nga Bibla, përfshi Psalmet (118:8, 40:3, 73:28) dhe Fjalët e Urta (29:25). Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, të gjitha shkollat publike në Shtetet e Bashkuara u pajisën me parrulla "In God We Trust" të cilat u vendosën në zyra, biblioteka, kafeteri, korridore dhe klasa.

1971 - Për herë të parë në historinë e mjekësisë, në spitalin Morley në Londër realizohet skanimi i trurit duke përdorur mënyrën CAT me rreze-x.

1991 - Shënohet për herë të parë Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, për të shtuar vetëdijen publike rreth çështjeve që prekin të moshuarit. Në disa vende kjo ditë njihet edhe si Dita e Gjyshërve dhe Gjysheve për te vlerësuar ndihmesën e të moshuarve në shoqëri, përfshi sjelljen në jetë të brezit të ri.

Mendim i ditës
"Plakja duket se është mënyra e vetme e mundshme për të jetuar gjatë."
Kitty O'Neill Collins
XS
SM
MD
LG