Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi më 3 tetor?

  • Astrit Lulushi

Saint Francis Order

Saint Francis Order

1226 - Vdiq Giovanni di Pietro di Bernardone, i njohur me emrin Françesku (francezi), dhe më pas Shën Françesku i Assisit, themelues i Urdhërit Françeskan. Lindi në një familje të pasur, por e humbi shijen e mirëqenies për veten kur pa rreth tij shumë njerëz vuanin nga varfëria dhe luftrat - madje ai shkoi deri në Egjipt për të bindur Sulltanin që t'i jepte fund konfliktit të kryqëzatave. Françesku themeloi 3 shoqata fetare, përfshi Urdhërin Françeskan. Në vitin 1224, në trupin e tij filluan të shfaqeshin "stigmata", duke u bërë i pari person i regjistruar që mbarte plagët e Krishtit. Më 16 korrik 1228, Papa Gregorio IX e shpalli atë Shenjtor. Urdhëri Françeskan ka qenë i pranishëm në Shqipëri që në fillimit e tij. Për shembull, studiuesi Lutfi Alia, duke iu referuar arkivave françeskane në Romë, thotë se në vitet e para të shekullit XIII Shën Françesku ka vizituar Shqipërinë, ku themeloi dy manastire; Manastirin Shën Martini në Kunavia (Martanesh) dhe manastirin Shën Maria në Lezhë. Ja disa vargje te Gjergj Fishtes per Shen Françeskun nga Vallja e Parrizit:
"Prej s' pangishmes ujes s' arit,
Qi trazon nierin në zęmer,
Prej dishirit t' mbrapshtë t' krenarit
Qi me i vu vllazent nen thęmer,
N' ato t' mesmet t' egrat mota,
Kur nen dhunë e Drejta prate,
Para Hy'it randue isht' bota,...
Qi me i thânun kështű muer:
– Shpija e rme asht tu' u rręnue:
Çou, Françesk, shka rrin tue pritun?
Çou, Françesk, tash pa pritue,
Edhe shpin shko me m' goditun!
-...Shpejt Françesku po i rrin gati;
I a kthen shpinen gjas e shpis,
Petkat tretë qi ja dha i ati,
E me 'i thes të vrashtë ai veshun,
Edhe m'kambë pa mbathun gja,
Me nji t' ashper litár njeshun
Fushës e malit thotë me za:
– Deh! Ndigjoni, o t' bijtë e ni'rit:
T' gjithë n' Tynëzonë ju vllazen jini;
Per jetë t' gzueshme t'naltë Empirit
Gjan e shekullit n' mni t' a kini,
Perse veç me pervűjtní,
Perse veç n' vobsi t' shęjtnueshme,
Perse veç me dashtuni
Gëzon nieri n' jetë t' amshueshme..."

1863 - Presidenti amerikan Abraham Linkoln shpall të enjten e fundit të nëntorit, si Ditën e Falenderimeve në mbarë vendin. Linkolni e shpalli këtë ditë të njësuar për të nxitur një ndjenjë bashkimi mes shteteve veriore dhe jugore. Për shkak të luftës së civile dhe refuzimit të Shteteve jugore për të njohur autoritetin e Linkolnit, Dita mbarë-kombëtare e Falenderimeve nuk u realizua deri në përfundim të fazës së Rimëkëmbjes në vitin1870.

1923 - Moska dërgon në Tiranë një agjent të saj për të biseduar me kryeministrin Ahmet Zogu mbi vendosjen e lidhjeve diplomatike sovjeto - shqiptare dhe për nevojën e hapjes së një dege të Kryqit të Kuq sovjetik në Shqipëri. Por kryeministri Zogu refuzoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike derisa BRSS-ja të njihej nga shumica e fuqive të mëdha. Ai besonte se lidhjet me Moskën dhe prania e Kryqit te Kuq sovjetik në Tiranë ishin hapa të planifikuara nga Moska për të çuar përpara kauzën e saj komuniste.

1929 - Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, ndryshoi emrin duke u quajtur zyrtarisht Mbretëria e Jugosllavisë. Ajo ishte krijuar që në vitin 1918, pak pasi mbretëria e Malit të Zi ishte bashkuar me Serbinë, ndërsa rajonet e Kosovës, Vojvodinës dhe Maqedonisë së Vardarit ishin pjesë e Serbisë që para bashkimit. Në prag të pushtimit nazist, më 1941, familja mbretërore jugosllave iku në Londër, ku krijoi një qeverisë në mërgim , e cila u njoh nga Britania dhe fuqitë e tjera aleate. Në vitin 1944, nën presionin e kryeministrit britanik Winston Churchill , Mbretëria e njohu Federatën Jugosllavinë si pasues të saj, nëpërmjet traktatit të nënshkruar në Viç nga Ivan Subasiç (në emër të Mbretërisë) dhe Josip Broz Tito (në emër të partizanëve jugosllavë ).

1990 - Gjermania Lindore dhe Gjermania Perëndimore bashkohen në një Gjermani të vetme, 45 vjet pas ndarjes në dy shtete në fund të Luftës së Dytë Botërore. Me një përvojë të kaluar naziste, një nga hapat e para të Gjermanisë së re për të shëruar plagët e shkaktuara nga regjimi komunist ishte përcaktimi i fatit të dosjeve së ish-sigurimit gjermano-lindor, Stasi. Legjislacioni i miratuar i vuri këto dosje në dispozicion të të gjithë gjermanëve që donin të ballafaqoheshin me të kaluarën.

1995 - Presidentit i Maqedonise Kiro Gligorov bëhet objektiv i një tentative për vrasje me makinë bombë në Shkup. Ndërsa udhëtonte nga shtepia per në zyrën e tij, automjeti i Gligorovit u hodh në erë nga shpërthimi i një makine të parkuar, duke vrarë shoferin e presidentit dhe plagosur disa kalimtarë. Gligorovi u plagos rëndë në syrin e djathtë dhe menjëherë u dërgua në spital. Që nga koha e incidentit, jane kryer shumë hetime rreth fajtorëve të mundshëm, por pa çuar në ndonjë arrestim. Kiro Gligorov vdiq natyrshëm në shtëpinë e tij më 1 janar 2012 në moshën 85 vjeçare.

Mendim i ditës
"I grabituri që buzëqesh, fsheh diçka nga vjedhësi."
William Shakespeare
XS
SM
MD
LG