Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi më 5 tetor?


Esad Pashë Toptani
Esad Pashë Toptani

1914 - Në Durrës, Esad Pashë Toptani e shpall veten president, kryeministër dhe komandant të forcave të armatosura të Shqipërise. Ai kerkon konfirmimin nga anëtarët e Senatit, duke i kërcënuar se do t'i vriste një nga një të gjithë ata që do të votonin kundër. Pastaj, Esad Pasha merr në dorëzim pallatin mbretëror në Durrës dhe menjëherë i shpall luftë Austro-Hungarisë, për të treguar se ishte në krahun e aleancës Francë, Britani, Rusi.(Owen Pearson)
1936 - Lindi Vaclav Havel, presidenti i nëntë dhe i fundit i Çekosllovakisë dhe presidenti i parë i Republikës Çeke. Ai shkroi mbi 20 drama, si dhe prozë, poezi e të tjera, që janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Emri i tij filloi të bëhej i njohur në vitet 1970 me manifestin Karta 77, një përgjigje e tërthortë ndaj burgimit të anëtarëve të një grupi muzikor çek nën akuzat se mbanin flokë të gjata dhe se muzika e tyre kishte ndikime perëndimore. Në vitin 1979, Haveli bashkë-themeloi Komisioni për Mbrojtjen e të Persekutuarve. Për aktivitete të tilla ai u burgos, u thirr në hetuesi ose u mbajt nën përgjim nga policia sekrete. Një nga esetë e tij është "Fuqia e të Pafuqishmit", ku Haveli flet për një shoqëri ku njeriu detyrohet të jetojë një gënjeshtër brenda gënjeshtrës, aludim i hapur për regjimin në të cilin vetë autori jetonte. Në vitin 1979, Haveli e përshkruan rolin e tij si disident duke thënë se "asnjëherë nuk vendosa të bëhem disident. Ne ishin shndërruar në disidentë, pa e ditur fare se si. Ne thjesht bëmë disa gjëra që ndjenim se duheshin bërë për hir të së mirës, asgjë më shumë, asgjë më pak." Në vitin 2005, revista globale Prospect e përfshiu Havelin në listën e 100 intelektualëve më të mëdhenj të botës. Vaclav Havel vdiq më 18 dhjetor 2011 – mes shkrimeve të tij gjendet edhe kjo poezi: "It is I who must begin"

(shqipërim)

Jam une që duhet të filloj

Menjëherë, këtu, tani

pabujë, pajustifikim

se do ishte e lehtë

tjetër-here a gjetkë

për t'jetuar në harmoni

me zërin e vetëdijes

siç e kuptoj unë --

sapo filloj këtë,

papritur zbuloj

për befasinë time

se s'jam i vetmi

as i pari dhe

as më i rëndësishmi

në këtë udhë të nisur

fundi i së cilës s'varet

nëse unë humbas ose jo.”

1947 Harri Truman bëhet presidenti i parë amerikan që përdor televizionin për t'iu drejtuar popullit nga Shtëpia e Bardhë. Dhe fjalimi i parë televiziv kishte të bënte me agjërimin; Trumani u kërkoi amerikanëve që mos hanin mish të kuq të martave, as mish pule të enjteve, të kursenin çdo lloj ushqimi për të ndihmuar Evropën e sapo dalë nga lufta, që po vuante nga uria.

1959 - Në një akt të rallë të disidencës së hapur në jetën intelektuale në Shqipëri, shkrimtari Kasem Trebeshina, një ish-komunist i përkushtuar, i larguar nga radhët e partisë, i dërgon Enver Hoxhës një Promemorie, duke i kujtuar se politikat e tij kulturore po e çonin vendin drejt shkatërrimit. Duket se Përkujtesa e zemëroi Hoxhën dhe shkrimtari disident u dënua me 17 vjet burgim politik dhe u zhduk nga skena e jetës letrare, për të dalë përsëri pas vitit 1990, me shembjen e diktaturës. Kasëm Trebeshina lindi më 8 gusht 1926 në Berat. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu ato më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Në vitet 1950' Trebeshina la përgjysmë edhe studimet e larta në Institutin "Ostrovski" të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Prozator, dramaturg e poet, Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në fillim metodën e realizmit socialist në kulturë, letersi e art dhe filloi të shkruajë ndryshe nga ato që botoheshin asaj kohe. Prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit që shkruan si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat, thoshte ai. Sipas kritikës, vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit. Nisur nga fakti se pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim, vendi i saj në rrjedhat e letërsisë së sotme shqiptare mbetet i papërcaktuar përfundimisht. Ja dy poezi nga Kasem Teebeshina:

1- Mendimi
Bie mendimi në mendjet e njerëzve dhe duket nuk ndalet,
s’e merr dot era s’e lag shiu që bie rrëmbimthi.
N’er’ dhe në shi, as në mendjet e njerëzve nuk mbetet mendimi…
Ne nuk do vemi më pas , kur vdekja vdekje të bëhet?!…
2 - Dy botë
një mrekulli…
Një jet’ më vete tirret ditën
dhe nata ngre një tjetër mbretëri.
Te jet’ e ditës
nxitojmë të harruar,
të ndjekur nga një frikë e paformë
te jet’ e natës kthejmë

për t’ëndërruar.

1962 - Në Britani, grupi Beatles lëshon diskun e parë të suksesshmëm, "Love Me Do". Kënga ishte një kompozim i hershëm Lennon-McCartney, që në vitin 1958 kur ata ishin 16-vjeç. Më 4 shtator 1962, menaxheri Brian Epstein pagoi udhëtimin me aeroplan nga Liverpuli në Londër për grupin Beatles, së bashku me bateristin e tyre të ri, Ringo Starr. Pasi u regjistruan në hotelin Chelsea, pasdite shkojnë në Studiot EMI, bëjnë gati pajisjet e tyre muzikore dhe fillojnë të interpretojnë së pari këngën "Please Please Me" dhe pastaj "Love me do". Siç ndodh shpesh, gjerat më të mira janë ato që nuk planifikohen. Kënga "Please Please Me" nuk u pëlqye, gjë që solli zhgënjim për Bitëllsat, pasi kishin shpresuar që kjo të ishte kënga e kryesore e diskut, dhe jo "Love Me Do".

Mendim i ditës

"Jeta është e lehtë me sytë mbyllur ."

John Lennon

XS
SM
MD
LG