Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi më 6 tetor?

  • Astrit Lulushi

Iliaz Bazna

Iliaz Bazna

1943 - Një person "i armatosur" me mbi 50 fotografi, troket në derën e ambasadës gjermane në Ankara dhe kërkon t'i shesë ato për 20-mijë sterlina. Nëpunesi përkatës i verifikoi fotografitë, dhe megjithëse çmimi iu duk i lartë, e pagoi personin dhe i tha të vinte sa herë që të kishte foto të tilla. Kështu filloi karrierën e tij si spiun me pagesë shqiptari Iliaz Bazna ose Ciceroni, emri i koduar që i dhanë nazistët. Në vitin 1942 ai kishte filluar punë si shërbyes pranë ambasadorit britanik në Turqi; më parë kishte qenë shërbëtor i ambasadorit jugosllav. Bazna, një njeri shtat-shkurtër në të dyzetat, zbuloi se ambasadori britanik mbante dokumente të rëndësishme në një kuti metalike në dhomën e tij. Në një rast, kur mbeti vetëm, ai arriti të kopjonte në dyll çelësin e kutisë; dhe së shpejti filloi të fotografonte dokumente sekrete britanike. Gjatë muajve, dokumentet e Ciceronit filluan të vlerësoheshin brenda hierarkisë naziste, përfshi Ribentropin dhe Hitlerin. Gjatë tre muajve të parë të vitit 1944, Bazna vazhdoi furnizimin e zbulimit gjerman me kopjet e dokumenteve të punëdhënësit e tij britanik; nazistët paguanin mirë dhe Ciceroni kishte filluar të bënte plane për të dalë në pension. Në gusht, Turqia ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë; në shkurt 1945 i shpall luftë; dhe Gjermania nuk kishte më nevojë për Baznën. Me rreth 300-mijë sterlina angleze të kursyera ai tërhiqet mënjëanë për të jetuar i qetë, por jo aq shpejt. Luftës po i afrohej fundi; trupat aleate hynë në Gjermani; çlirojnë edhe qindra mijëra njerëz që mbaheshin në kampe përqëndrimi; në një nga këto kampe, aleatët zbulojnë edhe fabrikën për prodhimin e parave të falsifikuara, në kuadër të "Operacionit Bernhard" për dobësimin e ekonomisë britanike, - me sterlina të tilla të rreme nazistët kishin paguar edhe Iliaz Baznën, i cili pas luftës ngriti padi ndaj qeverisë federale gjermane "për pagesa të prapambetura", por pa sukses. Pjesën tjetër të jetës, Bazna e kaloi në Stamboll, duke dhënë mësime muzike ose duke shitur makina të përdorura. Lindur në Prishtinë më 28 korrik 1904, Iliaz Bazna vdiq më 21 dhjetor 1970, në Munich të Gjermanisë. Disa thonë se ai kishte qenë agjent i dyfishtë, - vetë Ilias Bazna nuk tregon gjë në librin e tij "I Was Cicero", ndoshta sepse ky libër ishte pjesë e një operacioni të zbulimit britanik për të mbajtur tepër sekret sistemin e agjenturës së dyfishtë për shumë kohë edhe pas luftës së dytë botërore. Në vitin 1952, Çështja Bazna gjithashtu frymëzoi kineastët per realizimin e filmit "Five Fingers" me aktorin e njohur James Mason në rolin e shërbyesit të pabesë.

1949 - Iva Toguri D' Aquino (Tokyo Rose), shtetase amerikane e lindur nga prindër emigrantë japonezë u dënua me 10 vjet burg dhe 10-mijë dollarë gjobe për tradhti. Tokio Rose ishte emër i përgjithshëm i dhënë nga forcat aleate në Paqësorin e Jugut gjatë Luftës së Dytë Botërore për çdonjë prej mbi 10 anglisht-folëset që transmetonin në radio propagandë japoneze. Qëllimi i këtyre emisioneve ishte për të ulur moralin e forcave aleate. Ushtarakët amerikanë në Paqësor shpesh i dëgjonin këto transmetimet për të kuptuar tërthorazi efektin e veprimeve të tyre luftarake.

1981 - Fituesi i çmimit Nobel për paqe, Anvar el-Sadat, president i Egjiptit, vritet ndërsa po shikonte një paradë ushtarake në Kajro - sulmi u organizua nga fondamentalistë islamikë. Sadati shërbeu si ushtarak e president për gati 30 vjet, duke u bërë udhëheqës me qëndrimin më të gjatë në Egjipt, që nga koha e dinastisë së Mehmet Ali Pashës, i njohur si themeluesi i Egjiptit modern, familja e të cilit qeverisi Egjiptin nga viti 1805 deri më 1952. I fundmi i kësaj dinastie me prejardhje shqiptare ishte Mbreti Faruk, i cili u përmbys si pasojë e revolucionit të nxitur nga një grup oficerësh me në krye Sadatin. Pas vdekjes së Anvar el-Sadatit, vendin e tij e zuri nën-presidenti Hosni Mubarak, i cili qëndroi deri në vitin 2011, kur u përmbys nga një tjetër revolucion.

1989 - Aktorja e njohur Bette Davis vdiq në Francë në moshën 81-vjeçare. Karriera e saj filloi pashpresë - e shoqëruar nga e ëma, Davis udhëtoi me tren nga Bostoni për në Hollywood, ku arriti më 13 dhjetor 1930. Më vonë ajo tregonte se për çudi askush nga studioja nuk kishte dalë për ta pritur; ndërsa një punonjës i studios kishte dalë t'a pritur, por u largua pasi nuk pa asnjë femër që dukej si aktore. Betti nënshkroi kontratën e parë me Warner Bros në vitin 1932, dhe luajti në disa filma që u vlerësuan nga kritika. Deri në fund të viteve 1940, ajo ishte një nga aktoret kryesore më të mira të kinemasë amerikane - e njohur për sjelljet e saj të prera dhe impulsive, Davis fitoi reputacion si perfektsioniste që e bënin atë të grindej shpesh me drejtuesit e studios, regjisorët dhe aktorët. Davis ishte presidentja e parë femër e Akademisë së Arteve, Filmit dhe Shkencave. Ajo fitoi 2 herë çmimin Oskar dhe u kandidua 10 herë për këtë çmim. Me më shumë se 100 filma kinematografikë, televizivë dhe role në teatër, në vitin 1999, Bette Davis u rendit e dyta, pas Katharine Hepburn, në listën e Institutit Amerikan të Filmit si aktorja më e mirë e të gjitha kohërave.

1991 - Elizabeth Taylor martohet - për herë të tetë - me Larry Fortenskin, një puntor ndërtimi. Dasma u zhvillua në kompleksin e banimit të Michael Jacksonit , në Kaliforni mes një numri të shumtë paparacësh . Aktorja Taylor ka qenë e martuar tetë herë me shtatë burra, përfshi ish-senatorin John Warner. Një herë, kur e pyetën pse martohej aq shpesh, ajo u përgjigj, "Kur isha vajzë e re, prindërit më thonin; nëse do të kesh marrëdhënie dashurie, martohu - në këtë drejtim duket se ndjek modën e vjetër". Përveç martesave, Elizabeth Taylor (1932 – 2011) ka pasur edhe shumë lidhje romantike, ku përfshihen Frank Sinatra, Henry Kissinger e Malcolm Forbes. Taylor, dy herë e nderuar me çmime Oskar, pati një karrierë filmike prej 61 vitesh - e cila filloi më 1941, kur ajo ishte vetëm 9 vjeç.

Mendim i ditës

"Integriteti nuk ka nevojë për rregulla".

Albert Camus

Trego komentet

XS
SM
MD
LG