Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi më 7 tetor?

  • Astrit Lulushi

Anno Mundi

Anno Mundi

3761 p.e.s - Dita e parë e botës - anno mundi, viti i botës - sipas traditës hebraike, në të cilën Perëndia nga asgjëja krijoi Kohën, Ekizistencën, Materien, Errësirën dhe Dritën. Të gjashtën, Zoti krijoi Adamin dhe Evën; kjo ndodhi në vitin 3760 p.e.s, ose Rosh Hashanah, Viti i ri hebraik.

1492 - Kapiteni i anijes Pinta, Martin Pinzon i sugjeron Kristofor Kolombit për të ndryshuar drejtim; ata kishin disa javë që lundronin në ujra të panjohura, dhe ende asgjë. Kolombi jep urdhër për ndryshimin e drejtimit dhe 5 ditë me vonë, me 12 tetor, vrojtuesi në majën e direkut thërret "tokë!, tokë!" - ai kishte parë ishujt Bahamas - spanjisht "baja mar" "det i cekët" "det u ulët" ose "det pa dallgë".

1571 - Forcat detare otomane e të krishtera përleshen në Betejën e Lepantos. Pas 4 orë luftimesh, flota otomane shpartallohet. Me këtë fitore, Lidhja e Shenjtë e Krishterë shkurajon shtrirjen kontrollit otoman në anën evropiane të Mesdheut. Disa historianë vlerësojnë se një fitore turke mund të kishte sjellë rrënimin e Evropën Perëndimore, siç kishte ndodhur me Perandorinë Bizantine më shumë se një shekull më parë.

1908 - Austria anekson Bosnje Hercegovinën duke krijuar shkëndijën për fillimin e krizës ballkanike.

1933 - Në Vienë të Austrisë, Eqrem Çabej, 25-vjeçar, përfundon doktoraturën me tezën "Studime italo - shqiptare" dhe kthehet në Shqipëri prej nga ishte larguar para 13 vjetësh. Pas një periudhe pune si mësues në shkolla e qytete të ndryshme nga veriu në jug; me shkrime e kërkime në fushën e gjuhës, historisë e folklorit, Çabej shpejt bëhet emër i njohur në rrethet intelektuale. Në shtator 1942, atij i ofrohet anëtarësia në Institutin e sapo krijuar të Studimeve Shqiptare, por për arsye politike nuk pranon t'i bashkohet. Disa burime thonë se gjatë periudhës së pushtimit gjerman, Çabej gjithashtu refuzoi postin e ministrit të Arsimit në qeverinë e Rexhep Mitrovicës. Por në "A Biographical Dictionary of Albanian History" 2013, Robert Elsie thotë se "Çabej ishte ministër i Arsimit në administratën e qeverisë së Rexhep bej Mitrovicës nga 5 nëntor 1943 deri më 7 shkurt 1944 dhe ishte në Romë deri korrik 1944." Për hollësitë që sjell, konstatimi është i bindshëm; ndërsa burimet e para duket se i referohen ende një historiografie të politizuar dikur. Më 1947, profesor Eqrem Çabej bëhet anëtar i Institutit të Shkencave, pararendës i Universitetit të Tiranës; nga viti 1952 - 1957 ai jep mësim si profesor i historisë së Shqipërisë dhe i fonologjisë historike të shqipes. Në vitin 1972, profesor Çabej bëhët anëtar themelues i Akademisë së Shkencave. Pavarësisht se jetoi e veproi në një periudhë izolimi të rreptë stalinist, Çabej, u bë i njohur e i respektueshëm brenda e jashtë vendit si shkencëtar albanolog i mirëfilltë. Mund të thuhet se ai është i pari shkencëtar abanolog shqiptar i renditur si i barabartë mes albanologëve të huaj me famë si Kretschmer, Patsch, Jokl etj, të cilët kishin qenë edhe profesorët e tij. Eqrem Çabej vdiq më 1980, në një klinikë në Romë ku ishte dërguar për trajtim mjekësor. Gjirokastra e quan atë birin e saj dhe Universiteti atje, mban sot emrin Eqrem Çabej. Një nga bashkëpuntorët e tij të afërt, profesor Emil Lafe, thotë diku se edhe Çabej "për Gjirokastrën, kishte mall dhe dashuri të veçantë. Ndonëse në të vërtetë kishte lindur në Eskishehir të Turqisë më 6 gusht 1908, si vendlindje shënonte gjithnjë Gjirokastrën. Herë pas here kishte dëshirë të vinte në dukje qytetarinë e gjirokastritëve, seriozitetin, përmbajtjen, mirësjelljen, dinjitetin vetjak dhe familjar, ndjenjën e jetës shoqërore, dëshirën për të nxënë, aftësinë për t’i bërë ballë jetës." Eqrem Çabej është autor i mbi 200 publikimeve; la pas shumë shkrime e studime mbi letërsinë e folklorin; si dhe dy veprat madhore: botimin studimor prej dy vellimesh "Meshari i Gjon Buzukut, 1555", dhe "Studime Etimologjike në fushë të shqipes". Shumë prej punimeve të tij janë përmbledhur në 9 vëllime "Studime Gjuhësore" - Nga gjithë kjo, ajo që lë mbresë është idea që krijohet, sipas së cilës; gjuha shqipe është si aisberg, më e thellë e më e lashtë sesa duket.


1940 - Diktatori nazist gjerman Adolf Hitler pushton Rumaninë si pjesë e strategjisë së tij të Luftës së Dytë Botërore për të krijuar një front të pathyeshëm lindor kundër Bashkimit Sovjetik.

1945 - Krijohet në Tiranë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve (LSHA) - me vetëm 70 anëtarë, më pas numri i tyre erdhi duke u shtuar. Si kryetar i saj u zgjodh Sejfulla Maleshova; president nderi, Fan Noli - i pari nuk qëndroi gjatë në krye dhe për bindjet e tij u internua, brenda vendit; i dyti nuk arriti të bindej për të mos qëndruar jashtë dhe për ndonjë arsye nuk pranoi të kthehej. LSHA ka kaluar shumë kohë e sprova të vështira dhe në statutin e saj ekzistues thuhet: LSHA është një institucion i lirë dhe i pavarur, një bashkësi krijuesish profesionistë, i hapur për çdo shoqatë tjetër letrare dhe artistike, i pakushtëzuar nga bindjet politike, rrymat dhe platformat artistike. Sot LSHA ka rreth 1300 anëtarë.

1949 - Shpallet krijimi i Republikës Demokratike gjermane (Gjermania Lindore) në zonën e kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik. Kjo ndodhi më pak se 5 muaj pasi Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Franca kishin themeluar Republikën Federale gjermane (Gjermania Perëndimore). Afërsisht sa gjysma e Gjermanisë Federale, Gjermania Lindore, në varësi thuajse të plotë të BRSS-së përbëhej nga 5 shtete gjermane, dhe nga gjysma e ish kryeqytetit Berlin. Kjo gjendje vazhdoi deri në vitin 1990, kur vendi u ribashkua.

Mendim i ditës

"Anno Mundi, a më dëgjon?
Mund të më thuash ku është lavdia?
Kalëro ditën e lundro natën
Dhe përgjigjen do t'a gjesh
Në rrjedhën e shiut që bie."

Popullore

XS
SM
MD
LG