Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi më 8 tetor?

  • Astrit Lulushi

Constantine the Great

Constantine the Great


314 - Perandori romak Licinius mposhtet nga homologu i tij Konstandin, në betejën e Cibalaes, dhe humbet territoret evropiane. Konstandini është quajtur i Madh, sepse shënoi një epokë të veçantë në historinë e Perandorisë Romake. Ai ndërtoi një vendbanim të ri perandorak në Bizant dhe e quajti Nova Roma, Roma e re (Deutera Rhoma, Roma e Dytë, është një tjetër variant); megjithatë, për nder të Konstandinit, romakët i dhanë emrin Konstandinopojë, Qyteti (i ri) Kostandin, që më vonë do të bëhej kryeqyteti i Perandorisë Bizantine deri më 1453, kur u pushtua nga otomanët. Disa thonë se krijimi i qytetit nga Kostandini, është edhe shkaku që shpesh mendohet se ai themeloi Perandorisë Bizantine, krijimi i së cilës, në fakt ishte proces, jo punë e një njeriu të vetëm, dhe as brenda ditës, madje as Roma nuk u ndërtua në një ditë, thotë epigrami. Emri i Bizantit përmendet që në vitin 660 pes., dhe mendohet se është eponym, emër personi që quhej Byzas. Tradita e lashtë greke i referohet një mbreti me këtë emër si udhëheqës kolonistësh. Megjithatë, historianë bashkëkohorë kanë dalë me idenë se emri Byzas (Biza, Bicaj) ka prejardhje trake ose ilire, dhe është përdorur shumë kohë para kolonizimit grek. Plini i vjetër në Natural History thotë se para se të quhej Byzas, qyteti njihej me emrin Lygos. Konstandini (Flavius Valerius Aurelius) lindi më 27 shkurt 280 në qytetin ilir Naissus, Nish i sotëm, nga prindër; e ëma kamariere, i ati ushtarak e më pas Cezar (zv/perandor). Vetë Konstandini do të bëhej i Madh; Perandori i 57-të i Romës dhe i pari Perandor i krishterë. Ai la pas 3 djem që u bënë perandorë; ndërsa nëna e tij e kanonizuar nga Kisha do të njihej si Shën Helena. Sa për Kostandinopojën, qyteti vazhdoi të ruajë rëndësinë e tij edhe pas rënies së perandorisë bizantine. Ndryshimi i emrit në Istambul (Stamboll) ishte gjithashtu process; Disa thonë se Istambul është shprehje që rrjedh nga greqishtja mesjetare “is tim bolin”, që do të thotë "për në qytet", siç përgjigjej tregëtari kur i pyesnin “ku po shkon?”. Më 1930, qyteti u emërtua zyrtarisht Istanbul.
1912 - Fillon Lufta e parë Ballkanike midis Perandorisë Osmane dhe Lidhjes Ballkanike. Sipas historianëve, Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje që të reformohej, qeveriste keq , ose s’mundi të zgjidhte problemet e nacionalizmin në rritje mes popujve të saj. Së dyti, Fuqitë e Mëdha grindeshin aq shume mes tyre sa që dështuan për të siguruar që otomanët të kryenin reformat e nevojshme. Këto probleme bënë që shtetet e Ballkanit të imponojë zgjidhjen e tyre, duke krijuar Lidhjen e Ballkanit (Bullgari, Greqi, Serbi e Mal i Zi). Por ishte edhe arsyeja tjetër; deri në fillim të shekullit të 20-të, këto vende kishin arritur pavarësinë nga Perandoria Osmane, por duke parë se ajo po dobësohej e së shpeti shpërbëhej, donin të merrnin pjesët që do të mbesnin, siç ishin trojet shqiptare ende nën perandori. Brenda këtij konteksti duhen kuptuar edhe thirrjet e atdhetarëve brenda e jashtë, që shqiptarët në këtë luftë të qëndronin në anën e Perandorisë; ndërkohë që Ismail Qemali shpejtonte drejt Vlorës me sigurimet ndërkombëtare për pavarësinë që u arrit më 28 nëntor, kur Lufta e pare Ballkanike ndodhej në kulmin e saj. Lufta përfundoi në korrik 1913 me nënshkrimin e Traktatit të Londrës dhe pas 5 shekujsh, Perandoria Osmane humbi pothuajse të gjitha zotërimet e saj në Ballkan. Pastaj erdhi Lufta e Dytë Ballkanike, që filloi pa mbaruar ende e Para. Shkaku ishte pakënaqësia e Bullgarisë lidhur me ndarjen e Maqedonisë, që u bë në fshehtësi nga ish-aleatët e saj, Serbia dhe Greqia. Si rrjedhim, Bullgaria sulmon, por ushtritë serbe e greke kundërpërgjigjen më ashpër; Bullgaria sulmohet edhe nga Rumania dhe Perandoria osmane – lufta përfundon me Traktatin e Bukureshtit, dhe Bullgaria humbet shumicën e territoreve që kishte fituar në Luftën e Parë Ballkanike.
1918 – Në luftën e parë Botërore, në Argonne të Francës , tetari amerikan Alvin York vret i vetëm gjatë një beteje të vetme 28 ushtarë gjermanë dhe 132 të tjerë i kap robër. Kur e pyetën se si ishte e mundur, York tha se kishte ndjekur të njëjtën taktikë me atë që kishte përdorur në jetën civile gjatë gjyetisë për gjela të egër - në pyjet e fshatit të tij Pall Mall, Tenesi - duke qëlluar në fillim gjelin e fundit në radhë, e pastaj të tjerët që nuk shihnin se ç’ndodhte pas tyre.
1929 - Në Shqipëri, 34 vjetori i ditëlindjës së Mbretit Zog festohet me një paradë madhështore në Tiranë, që u filmua nga Fox Movietone News. Kjo kompani amerikane gjithashtu filmoi Mbretin gjatë kohës që mbajti fjalimin përshëndetës, duke u bërë i pari film dokumentar me zë në Shqiperi. Gjatë cermonisë, parada ushtarake u shoqëruar nga parakalimi i grave e vajza të veshura me kostume kombëtare. Shumë gra myslimane shqiptare për herë të parë dolën me fytyra të zbuluara këtë ditë. Rrugët e Tiranës ishin zbukuruar me sende ngjyrash festive dhe flamujt kombëtarë valviteshin nga çdo ndërtesë.
1962 – Revista gjermane Der Spiegel boton artikullin "Bedingt abwehrbereit " (Përgatitje e kushtëzuar për mbrojtje), në lidhje me një manovër të NATO-s të quajtur " Fallex 62 ", e cila zbuloi se ushtria gjermano-perëndimore ishte e papërgatitur për t’u përballur me kërcënimin komunist nga lindja në atë kohë. Revista u akuzua për tradhti.
Mendim i ditës
"Një udhëheqës, një popull, nënkupton një pronar dhe miliona skllevër."
Albert Kamus

Trego komentet

XS
SM
MD
LG