Lidhje

Kosovë, lufta ndaj dhunës në familje

  • Leonat Shehu

Sipas veprimtarëve humanitarë dhe autoriteteve të policisë, forma më e shpeshtë e dhunës ndaj gruas është dhuna në familje

Përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Kosovë bënë thirrje sot për një qasje gjithëpërfshirëse në luftën kundër dhunës me baza gjinore në Kosovë. Këto thirrje u bënë gjatë publikimit të siç thuhet “procedurave standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje”, nga Agjencia për Barazi Gjinore.

Sipas përfaqësuesve të institucioneve, këto procedura kanë për synim të ndërtojnë një sistem të bashkërenduar të institucioneve për të reaguar në formë të menjëhershme në rastet e dhunës në familje me qëllim të ofrimit sa më të mirë të ndihmës dhe mbrojtjes së viktimave.

Udhëheqësja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edona Hajrullahu, thotë se hartimi i këtyre procedurave përbën një prej hallkave më të rëndësishme në të gjithë infrastrukturën ligjore për mbrojtjen nga dhuna në familje.

“Sot institucionet e Kosovës janë të gatshme të rrisin veprimin e tyre kundër dhunës në familje në nivelin më të lartë dhe njëkohësisht të plotësojnë boshllëqet e mëparshme të asistencës dhe referimit. Pa dyshim infrastruktura ligjore e deritanishme dhe ky dokument përbëjnë hapa shumë të rëndësishëm për vendin tonë, por ne duhet të marrim edhe hapa praktik, në mënyrë që secili institucion që merr obligime në këtë sfidë të kryejë me përkushtim dhe përgjegjësi detyrat që i ka. Një bashkërendim dhe veprim i të gjithë neve do të sjellë pashmangshëm rezultate pozitiv”, tha zonja Hajrullahu.

Zëvendësministri i drejtësisë, Daut Xhemajli, njëherësh bashkërendues kombëtar për dhunën në familje, thotë se këto procedura reflektojnë përmirësimin e formave për trajtimin e viktimave të dhunës në familje.

“Me këto procedura dhe dokumente të miratuara konsiderohet se janë eliminuar mangësitë e vërejtura dhe janë qartësuar rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve përgjegjëse për trajtimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave të kësaj dhune që nga identifikimi i tyre, referimi, mbrojtja dhe rehabilitimi e deri te ri-integrimi i tyre. Për ofrimin e këtyre shërbimeve janë qartësuar edhe fushat e veprimit si dhe linjat e komunikimit ndërmjet palëve”, tha zoti Xhemajli.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha thotë se institucioni i tij është duke bërë përpjekje të vazhdueshme në vetëdijesimin e qytetarëve për luftimin e kësaj dukurie.

“Që nga viti 2002 në mënyrë sistematike, policia e Kosovës ka themeluar, ndërtuar dhe zhvilluar njësi të specializuara për trajtimin e dhunës në familje. Pjesëtarët e saj tashmë posedojnë aftësi bazike të specializuar dhe të avancuar për qasjen bashkëkohore ndaj kij fenomeni të dëmshëm shoqëror. Policia e Kosovës në vazhdimësi është e angazhuar në vetëdijesimin e komunitetit për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje përmes organizimit të ligjëratave në shkolla, promovimit dhe konferencave tematike dhe veprimtaritë në ngritjen e bashkëpunimit ndër institucional kundër këtij fenomeni”, tha zoti Rexha.

Në Kosovë sipas veprimtarëve humanitarë dhe autoriteteve të policisë, forma më e shpeshtë e dhunës ndaj gruas është dhuna në familje. Kjo çështje është numëruar si një nga problemet kryesore të fushës së të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë edhe nga organizatat ndërkombëtare. Kosova vlerësohet se ka një kuadër ligjor mjaft të avancuar, por problemet janë të mëdha në zbatimin e saj.
XS
SM
MD
LG