Lidhje

Kjo javë në Uashington


Kjo javë do të përcaktojë nëse Shtetet e Bashkuara do të arrijnë të shmangin paaftësinë për pagimin e kësteve të borxhit që kap më shumë se 16 trilionë dollarë, ndërkohë që mbyllja e qeverisë federale hyri në javën e tretë. Ligjvënësit janë duke shtuar përpjekjet për të shmangur një katastrofë financiare dhe për të rifilluar operacionet qeveritare, pasi një stuhi propozimesh nga të dyja Dhomat e Kongresit nuk arriti të sigurojë mbështetjen e të dyja partive.

Bisedimet fiskale mes ligjvënësve republikanë dhe Shtëpisë së Bardhë u ndërprenë të shtunën. Ndërkohë në Senat, republikanët bllokuan një projekt-ligj të demokratëve për të rritur kufirin e borxhit për më shumë se një vit, ndërsa demokratët refuzuan një propozim të republikanëve për rritje afat-shkurtra të kufirit të borxhit dhe për t'i dhënë fund mbylljes së qeverisë.

Diskutimet në Senat mes udhëheqësit të shumicës, Harry Reid dhe homologut të tij republikan, Mitch McConnell vazhdojnë.

“Senatori McConnell dhe unë kemi kohë që jemi anëtarë të Senatit. Ne kemi punuar bashkë për një kohë të gjatë. Unë e njoh mirë, dhe ai më njeh mirë. Nuk biem dakord për gjithçka,” thotë zoti Reid.

Zoti McConnell ka qënë gjithmonë përkrahës i dialogut.

“Duhet të bisedojmë. Populli amerikan na ka dhënë qeveri të ndarë. Dhe kur ke qeveri të ndarë, do të thotë se duhet të bisedojmë me njëri tjetrin,” thotë zoti McConnell.

Por bisedat nuk garantojnë marrëveshje. Presidenti Barack Obama vazhdon të kundërshtojë kushtet e republikanëve për zgjatjen e kufirit të borxhit apo rihapjen e qeverisë.

“Shfrytëzimi i krizave për të marrë lëshime nuk është mënyra se si funksionon demokracia jonë dhe kjo duhet ndalur. Politika është betejë idesh por këto ide avancojnë përmes zgjedhjeve dhe ligjit – jo zhvatjes,” tha zoti Obama.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve ndërkohë nuk kanë dhënë shenja se do të pranojnë ndonjë plan pa kushte për t’i dhënë fund ngërçit fiskal. Përvec kësaj, ndarjet janë thelluar mes republikanëve të Dhomës dhe Senatit duke shtuar dyshimet për arritjen e marrëveshjes dypartiake në njërën nga dhomat që të mbështetej edhe nga tjetra.

Zyrtarët e Thesarit thanë se qeveria rrezikon të mos paguajë dot borxhet nëse të dyja dhomat nuk votojnë për të rritur kufirin e borxhit deri të enjten. Ndërkohë, çdo ditë që kalon, mbyllja e qeverisë po ndikon negativisht mbi ekonominë.

XS
SM
MD
LG