Lidhje

Bisedimet mes Iranit dhe OKB-së


Negociatorët iranianë do të takohen me grupin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë duke filluar të martën, për të parë nëse ndryshimet politike në Teheran do të ndihmojnë t’i jepet fund ngërçit rreth programit të tij bërthamor. Iranit i janë vënë sanksione ekonomike paralizuese, ndërsa Kombet e Bashkuara kërkojnë që Irani të garantojë se nuk do të prodhojë armë bërthamore. Udhëheqësit e Iranit thonë se nuk e kanë një synim të tillë.
Kjo ditë dhjetori me shi tre vjet më parë ishte hera e fundit që iranianët dhe negociatorët ndërkombëtarë u takuan në Gjenevë për të biseduar në lidhje me programin bërthamor të Iranit.

Këto bisedime, ashtu si shumë të tjera, nuk ishin të mjaftueshme për t’i siguruar Kombet e Bashkuara në lidhje me ambiciet bërthamore të Iranit.
Por shumë gjëra kanë ndryshuar. Në qershor, iranianët papritur zgjodhën të moderuarin Hassan Rouhani si president. Deklaratat e tij, sidomos në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar, janë duke ofruar shpresë të re për përparim, thotë eksperti për Iranin Mark Fitzpatrick i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.
“Mendoj se Irani do të sjellë diçka të re. Unë dyshoj se ajo do të jetë e mjaftueshme për ndonjë arritje të madhe, por ndoshta disa arritje të vogla do të jenë të mundshme. Dhe pastaj takime të tjera mund të krijojë mundësinë për më shumë përmirësim.”

Por pasi ministri i jashtëm i presidentit Rouhani u takua me grupin e OKB-së dhe ranë dakord për bisedime të mëtejshme në Gjenevë dhe pasi zoti Rouhani foli me presidentin amerikan Barak Obama me telefon, udhëheqësi iranian është përballur me kritika në vendin e tij se ka vepruar shumë shpejt.
Ndërkohë, presidentit Obama iu desh t’i bënte thirrje Kongresit për të mos shtuar sanksione të tjera kundër Iranit përderisa po nis përpjekja e re diplomatike.
“Zotit Rouhani i duhet të qetësojë konservatorët iranianë - ashtu si presidenti Obama ka shumë konservatorë të patundur në Kongres që nuk duan t’i lehtësojnë sanksionet, në fakt duan të shtojnë më shumë sanksione. Gjetja e ekuilibrit të duhur do të jetë shumë e vështirë për të.”

Ish-sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton nuk është e bindur se udhëheqësit e rinj të Iranit e kanë gjetur atë ekuilibër. Zonja Clinton, e cila ishte në detyrë gjatë disa raunde bisedimesh me Iranin, komentoi të premten në Chatham House të Londrës.
“Javën e ardhshme në Gjenevë, unë do të jem më e interesuar të shoh nëse iranianët do të ofrojnë diçka konkrete, në mënyrë që negocimi të na çojë drejt një rezolute të kënaqshme për ta dhe të pranueshme për ne. Por ne ende nuk mund ta dimë këtë.”

Ekspertët thonë se gjëja e vetme për të cilën ata janë të sigurt rreth bisedimeve të Gjenevës, është se ky do të jetë një proces i gjatë, i rënduar nga historia, mosbesimi dhe qëllimet konfliktuale.

Ndërsa shpresojnë të ketë përparim, ata nuk presin ndonjë arritje të madhe.
XS
SM
MD
LG