Lidhje

Roli i ri i baballarëve


Në shumë vende, gjithnjë e më shumë gra po hyjnë në forcën punëtore, madje edhe në kultura, ku gratë me karierë ishin të ralla. Ndërsa nënat punojnë, shumë familje janë riorganizuar. Kjo ka çuar në një ndryshim: disa baballarë të rinj qëndrojnë në shtëpi për të rritur fëmijët, ose sepse duan ose për arsye praktike. Carolyn Weaver e Zërit të Amerikës sjell më shumë hollësi rreth asaj që ekspertët e quajnë prirje globale.

Luna dhe babai i saj, Dave Benjoya, i cili krijon faqe elektronike, e kalojnë pjesën më të madhe të ditës së bashku në shtëpinë e tyre në Brooklyn. Ai është mes një numri meshkujsh në rritje që kujdesen për fëmijët e tyre ndërsa bashkëshortët punojnë.

“Gruaja ime punon më shumë se unë dhe për këtë ndjehem me fat. Është një dhuratë e madhe, që kaloj kohë me vajzën. Ajo nuk do të mbaj mënd se si kanë qënë gjërat kur ajo ishte një apo dy vjeç, por unë po krijoj një lidhje me të që është e pazëvëndësueshme”.


Kjo është një dukuri e re. Ndryshimi është veçanërisht i dukshëm në takime të tilla për meshkujt që presin të bëhen baballarë. Ky takim zhvillohet çdo muaj në qytetin e Nju Jorkut për një grup të quajtur Baballarët e Nju Jorkut.

Bashkëthemeluesi i grupit, Lance Somerfield thotë se baballarët me përvojë kthehen në këto takime me bebet e tyre për të demonstruar aftësi të reje, që ata kanë mësuar në jetë, si ndërrimi i pelenave dhe ushqimi i bebes me qumësh me shishe.

“Për burrat që presin të bëhen baballarë është diçka inkurajuese që të jesh në një dhomë me baballarë të rinj dhe të vjetër, që vijnë me fëmijët e tyre. Ata flasin rreth përvojave të tyre dhe ata burra që presin të bëhen baballarë fitojnë besimin se do të jenë në gjendje ta mbajnë në krahë beben e tyre pa i shkaktuar ndonjë dëm fizik’”.

“Në gjithë botën, burrat po angazhohen më shumë dhe po bëhen baballarë më aktivë”.

Michael Kimmel, sociolog në Universitetin Stony Brook, thotë se ndryshimi është i ndjeshëm mes burrave më të rinj.

“Është e vërtetë: në Japoni, Singapor, Australi, burrat janë shumë më të motivuar për të qënë baballarë të mirë. Edhe në Evropë, burrat janë shumë më të angazhuar si baballarë. Por në këto vende edhe politikat qeveritare janë të tilla që i nxisin familjet të balancojnë më mirë punën dhe familjen”.

“Kur shikoj vajzën time, që instinktivisht mëson të komunikojë me mua vetëm duke kaluar kohë së bashku, është diçka e mrekullueshme, është një përvojë e pazëvëndësueshme. Mund ta kaloj gjithë ditën duke menduar rreth vajzës time”.
Kujdesi për fëmijën mund të bëhet edhe diçka e mërzitshme, thotë sociologu Kimmel. Por edhe kur baballarët ndjehen kështu, fëmijët përfitojnë. Studimet kanë arritur në përfundimin se fëmijët me baballarë më të angazhuar janë më të gëzuar, shkojnë më mirë në shkollë dhe ka më pak të ngjarë të jenë viktima ose autorë të dhunës.


XS
SM
MD
LG