Lidhje

Histori: Çfare ka ndodhur me 18 tetor?

  • Astrit Lulushi

Alaska Purchase

Alaska Purchase

1948 - Vdes në Dublin të Irlandës, Margaret Hardin Hasluck, skocezja tepër e interesuar në çështjet shqiptare

1867 - Shtetet e Bashkuara marrin në zotërim Alaskën, duke e blerë nga Rusia. Ky territor i skajit më lindor të perandorisë cariste ndahej vetëm nga ngushtica e Beringut me Hemisferën Perëndimore. Rusët ishin evropianët e parë që mbërritën në Alaskë dhe kryen eksplorime të shumta Megjithatë, numri i kolonëve rusë nuk shkoi asnjëherë më shumë se disa qindra. Më 1860, kompania e vetme tregtare ruse në Alaskë po shkonte drejt falimentimit. Nisur nga kjo, Cari i Rusisë i ndërpreu subvencionet, pas arriti në përfundimin se nga mbajtja e territorit të Alaskës, ai kishte më shumë humbje sesa fitim dhe ia shiti Shteteve të Bashkuara kundrejt një shume prej $7 millionë dollarësh (120 millionë me vlerën sotme). Më 1959, Alaska u bë shteti i 49 i SHBA-së, dhe sot është ndër shtetet amerikane me popullsinë më të rrallë dhe pasuri të shumta natyrore mbi e nëntokë.

1948 - Vdes në Dublin të Irlandës, Margaret Hardin Hasluck, skocezja tepër e interesuar në çështjet shqiptare - ajo ishte gjeografe gjuhëtare, arkeologe, etnografe, mbledhëse folklori, studiuese dhe epigrafe (interpretuese e mbishkrimeve të lashta). Në vitin, 1911, Margaret përfundon Kembrixhin, por pa diplomë - deri në vitin 1948, nga ky universitet diplomoheshin vetëm meshkuj. Pasioni i saj ishin kulturat e lashtësisë. Dhe shkon në Athinë ku regjistrohet në Shkollën britanike, ndërsa merret edhe me kërkime. Aty gjithashtu njihet me studiuesin Frederik William Hasluck, që do të bëhej shok, bashkëshort dhe koleg i saj. Frederiku, nën/drejtor i Shkollës Britanike në Athinë, ishte edhe arkeolog. Në vitin 1920, ai vdes, duke lënë pas shumë punime të papërfunduara. Margaret shpërngulet në Angli ku merret me redaktimin e këtyre dorëshkrimeve, dhe i boton nën emrin Margaret Hasluck. Pas kësaj, aty nga mesi i viteve 1920, Margaret udhëton nëpër Ballkan, duke u marë me studime antropologjike. Në Shqipëri, ajo ndërton shtëpinë e saj në Elbasan, ku jetoi për 13 vjet, duke u bërë një legjendë mes shqiptarëve të kohës. Margaret botoi artikuj të shumtë, përfshirë edhe gramatikën e parë anglisht-shqip, si dhe një libër leximi. Për shkak të punës së saj për zbulimin britanik në Luftën e Parë Botërore, Hasluck u detyrua të largohej nga Shqipëria për në Athinë, kur italianët pushtuan vendin në vitin 1939. Dhe kur Athina u bë e pasigurt, ajo u shpërngul në Stamboll, nga ku herë-here shihet në rolin e këshilltares për qeverinë britanike në lidhje me çështjet shqiptare. Më vonë ajo vendoset në Kajro. Në vitin 1945, Margaret Hasluck diagnostikohet me leuçemi; dhe tërhiqet për kurim në Dublin, ku vdiq më 1948. Haskuck la pas të papërfunduar edhe një vepër mbi kulturën, folklorin, gjuhën e zakonet shqiptare - nga rreth 16 kapituj që kishte planifikuar, vetëm 4 a 5 mundi të përfundojë. Në vitin 1945 ajo thoshte se kishte nevojë për ndihmën e Lef Nosit, miku i saj i ngushtë gjatë periudhës në Elbasan, njohuritë e të cilit duket se i vlerësonte jashtzakonisht. Madje tregojnë se më 1945, kur Nosi u arrestua nga komunistët në pushtet në Shqipëri, Margaret Hasluck i dërgoi një letër personalisht Enver Hoxhës ku i lutej që t'a lironte Lef Nosin në mos për gjë tjetër, të paktën për njohuritë dhe kontributin e tij në kulturën dhe kauzën shqiptare - dhe Hoxha iu përgjigj, tërthorazi, me pushkatimin e Nosit.

1931 - Shpikësi Thomas Alva Edison vdes në West Orange, Nju Xhersi, në moshën 84 vjeçare. Gjeniu i laboratorit në Menlo Park, në fëmijëri kishte qenë nxënës i dobët. Kur një mësues e quajti "me zhvillim të ngadalshëm mendor", nëna e tij e zemëruar e hoqi nga shkolla dhe filloi t'a mësonte në shtëpi. Thomas Edison tregonte shumë vite më vonë: "Nëna ime vërtetë më bëri ky që jam sot. Ajo ishte aq sigurt për aftësitë e mija dhe kjo më nxiti të mësoja për të mos e zhgënjyer". Që në moshë të herëshme, Thomas Edisoni magjepsej pas gjërave mekanike dhe eksperimenteve kimike. Lindur më 11 shkurt 1847 në Milano të shtetit Ohio; ai ishte fëmija i shtatë dhe i Samuelit dhe Nancy Edisonit. Kur ishte 7 vjeç, familja e tij u shpërngul në Port Huron, Michigan dhe atje Thomas qëndroi deri sa mbushi 16 vjeç. Ai kishte shumë pak arsim formal - ndoqi shkollën vetëm disa muaj. Lexim, shkrim e aritmetikë mësoi nga e ëma, por edhe vetë, si fëmijë tepër kurioz, mësoi shumë duke lexuar. Ky besim në vetë-mësim e shoqëroi Thomas Edisonin gjatë gjithë jetës së tij. Ai njihet për qindra patenta shpikjesh (gramafoni, llampa elektrike, aparati filmik jane disa). Edisoni pati edhe ndonjë dështim, por kurrë nuk e pranonte dhe thoshte: “Nuk kam dështuar. Por vetëm kam gjetur 10.000 mënyra që s’japin rezultat”. Pjesë nga fryma e fundit e Thomas Edisonit ruhet në një epruvetë në Muzeun Henry Ford në Detroit, Miçigan.

Mendim i ditës
“Tregomë një njeri tërësisht të kënaqur dhe unë do t'ju tregoj një dështim”.
Thomas A. Edison
XS
SM
MD
LG