Lidhje

Luksemburg, Juncker shpall fitoren në zgjedhje


Udhëheqësi me kohën më të gjatë në pushtet mes vendeve të Bashkimit Evropian ka shpallur fitore pasi partia e tij kryesoi dukshëm në zgjedhjet e parakohshme të së dielës në Luksemburg. Partia e Kryeministrit Jean-Claude Juncker pritet të marrë 23 vende në parlamentin me 60 anëtarë të vendit.

Partia e kryeministrit Jean-Claude Juncker mbeti pa vështirësi forca politike më e madhe në Luksemburg dhe zgjedhja e parë për formimin e një qeverie të re koalicioni pas zgjedhjeve të së dielës.

Edhe pse pritet që të bjerë me pothuajse 4,5 pikë nga rezultati 38 për qind i zgjedhjeve të vitit 2009, ajo mbetet mjaft përpara si ndaj parteneres në koalicion Partisë Socialiste në vendin e dytë, e cila qëndroi në nivelin e rreth 20 për qind ashtu dhe ndaj Partisë Demokratike të opozitës, e cila arriti një rezultat mjaft më të lartë se zgjedhjet e fundit, duke fituar rreth 18,5 për qind të votave.
Zoti Junker përshëndeti rezultatin, duke thënë se ai duhet të jetë ai udhëheqësi i koalicionit të ardhshëm qeveritar .

"Jam i kënaqur me rezultatin për sa kohë që partia ime mbetet partia e parë në Luksemburg, me një distancë të madhe mes nesh dhe dy partive të tjera kryesore. Mendoj se ne duhet të kemi të drejtën për të formuar qeverinë e ardhshme."

Partia Popullore Kristian-Sociale e Kryeministrit Jean-Claude Juncker udhëhoqi me 23 vende të fituara në parlamentin me 60 anëtarë, vetëm 3 vende më pak nga 26 vendet që mbante pas zgjedhjeve të katër viteve më parë.
Zgjedhjet ishin planifikuar të mbaheshin qershorin e ardhshëm, por ato u zhvilluan më herët pas një skandali spiunazhi në qendër të së cilit ishin akuzat për përgjim të politikanëve dhe mbajtje të dosjeve për qytetarë të thjeshtë si dhe figura kryesore që nga Lufta e Ftohtë. Kishte gjithashtu pretendime se paratë e shtetit ishin përdorur për të paguar makina dhe apartamente që përdoreshin nga shërbimi i sigurisë i vendit të vogël evropian.

Socialistët, parti anëtare e koalicionit qeverisës të zotit Junker, tërhoqën mbështetjen për kryeministrin, duke këmbëngulur se ai duhet të mbante përgjegjësi për skandalin.

Luksemburgu është një nga vendet më të vogla në botë, por gjithashtu një nga më të pasurit.
XS
SM
MD
LG