Lidhje

Sekretari i Shtetit Kerry në Evropë për Sirinë


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ndodhet në Evropë për një raund tjetër bisedimesh me përfaqësues vendesh që po mbështesin kundërshtarët e Presidentit sirian Bashar al-Assad. Ata po përpiqen që t’i bindin kundërshtarët politikë që të bien dakord për bisedime për një qeveri kalimtare në Gjenevë.

Sekretari Kerry po kthehet në Evropë për të nxitur politikanët sirianë të marrin pjesë në bisedime në Gjenevë.

“Duhet të ketë një qeveri tranzicioni. Duhet të ketë një njësi të re qeverisëse në Siri, për t’i dhënë shans paqes”.

Por kundërshtarët e zotit Assad nuk kanë arritur të bashkohen rreth Ahmad al-Jarbas, që drejton grupin kryesor të koalicionit.

Kjo po bllokon marrëveshjen për të marrë pjesë në bisedime, thotë profesor Akbar Ahmed i Universitetit Amerikan.

“Opozita siriane për fat të keq ka dështuar në dy drejtime. Së pari nuk ka organizuar të gjitha grupet e ndryshme luftuese nën një udhëheqje. Së dyti, nuk ka arritur të nxjerrë një udhëheqës karizmatik që zakonisht del në një situatë të tillë, në mënyrë që njerëzit të kenë një alternativë”.

Profesor Ahmed thotë se rritja e milicive të lidhura me al-Kaidën, minon edhe më shumë opozitën, sidomos ndërsa disa luftëtarë po distancohen nga grupi kryesor Ushtria e Lirë Siriane.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki thotë se kjo ndarje nuk i dobëson përpjekjet për të mbajtur bisedime paqeje në Gjenevë.

“Ka mijëra grupe të ndryshme dhe pjesa më e madhe e atyre që ishin në këtë listë, ishin komandantë në terren, prandaj ende po përpiqemi të kuptojmë se cili është ndikimi. Sigurisht që pjesëmarrja e opozitës në konferencën e Gjenevës është thelbësore”.

Duke pasur parasysh që shumë civilë po i largohen luftimeve, po shtrohet edhe pyetja sesa gjithëpërfshirëse mund të jetë qeveria kalimtare e dalë nga bisedimet e Gjenevës.

Ja ç’thotë analisti i Institutit të Paqes Manal Omar.

“Ka një marrëveshje tek opozita se qeveria duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ka një mirëkuptim se duhen gjetur mënyra për të mbrojtur pakicat, përfshirë atë Alawite. Në teori, është rënë dakord. Por si do të veprohet në praktikë?”

Presidenti Assad thotë se terroristët e huaj po vënë në shënjestër pakicën Alawite, nga vjen edhe ai dhe se po përpiqen ta përçajnë vendin. Profesori Ahmed thotë se duke gëzuar mbështetjen e Rusisë dhe Iranit, Presidenti Assad ka rënë dakord në parim për bisedimet e Gjenevës, sepse është në një pozicion të fortë.

“Ai e di se opozita nuk është konsoliduar në një lëvizje që para disa vjetësh, në fillim të këtij procesi, ai mendonte se mund ta rrëzonte. Prandaj strategjia e tij është që ta lodhë dhe të presë”.

Pushteti i qëndrueshëm i Presidentit Assad i shqetëson disa nga kundërshtarët e tij më të rinj që kanë ndjekur edhe kthimin e ushtrisë në pushtet në Egjipt, thotë Manal Omar.

“Ata po luftojnë, po sakrifikojnë dhe ndërkohë shohin sesi në Egjipt, pak a shumë të njëjtët individë dhe institucione po rishfaqen pas dy vjetësh. Kjo ngjall frikë mes tyre për atë që po ndodh në Siri pas dy vjetësh dhe pas një numri aq të madh viktimash”.

Ndikimi i luftës tek civilët do të jetë gjithashtu pjesë e bisedimeve në Evropë këtë javë, me një të katërtën e popullsisë siriane të zhvendosur brenda vendit dhe mbi dy milionë refugjatë.
XS
SM
MD
LG