Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 23 tetor?

  • Astrit Lulushi

Marcus Brutus

Marcus Brutus

42 pes - Lufta civile romake: Trupat e Mark Antonit dhe Oktavianit mposhtin ushtrinë e Brutit. Bruti kryen vetëvrasje. Por cili ishte shkaku i luftës? Dy vjet më parë (44 pes), Qezari ishte vrarë pabesisht nga një grup senatorësh ku bënte pjesë edhe miku i tij, Markus Brutus. Oktaviani, djali i birësuar i Qezarit, i cili ndodhej për studime në Apolloni të Ilirisë, sapo mori vesh lajmin u nis për në Romë dhe u vu në ndjekje të vrasësve. Sipas historisë, Qezari fillimisht u rezistoi sulmuesve, por kur pa Brutin mes tyre, iu dorëzua fatit, duke thënë "Et tu, Brute?" - "Edhe ti, Brut?"; fjalë që vazhdojnë të jenë subjekt debatesh mes dijetarëve dhe historianëve."Et tu, Brute?" është frazë latine që arriti në kohët tona ndoshta falë Uilliam Shekspirit i cili e përdori atë në tragjedinë Jul Qezari (1599). Shprehja pason traditën e historianit romak Suetoni, i cili thotë se "Et tu , Brute?" është kalk e një greqishtjeje "Kai su, teknon?"- "Edhe ti, biri im?" dhe merret si tregues se Bruti ishte djal jashtë-martese i Qezarit. Ndërsa, Plutarku thotë se Qezari nuk foli fare por kur pa Brutin mes komplotistëve, mbuloi kokën me pelerinën e vet dhe e la t'a godiste. Kohët e fundit janë shtuar argumententet se "Et tu, Brute?", mund të interpretohet si mallkim apo kërcënim; atëhere mallkimimet në greqisht mes romakëve ishin bërë proverbiale, dhe Qezari mund të ketë thënë: "Edhe ti, biri im, do ta provosh shijen e fuqisë" ose "Edhe ti Brut? Në ferr shkofsh!".
Një pjesë nga tragjedia "Jul Qezari" e Shekspirit
-nga fjalimi i Mark Antonit -
(shqipëroi Fan Noli)

"Ne qe me te vërtetë Bruti që goditi;
Se Bruti, e dini, ishte éngjelli i Qesarit.
Ti, Zot, ti vet’ e di me Q’ mall e desh Qesari.
Kjo ishte gpojtja m’ e pashpirtme nga të gjitha.
Kur pa Qesari q’e goditi dhe ai,
Mosmirenjohja, me’ e fortë se q’do krahe
Tradhetori, e mundi dhe ia theu zcmren.
Ahere si pështolli faqen nënë toga
Mun rrëzë monumeulit të Pompejit,
...
Oh po! tani po qani, edhe ju vjen keq;
Dhe lotët që po derthni rjedhin drejt nga zemra.
Si? Qani, vllezër, se i patë vetëm togën
Qesarit të plagosur? Shihni atë vetë
Q’e kanë bërë shoshë thikë tradhetorësh."



1812 - Gjenerali francez Claude François de Malet, arratiset nga burgu dhe organizon një komplot për të përmbysur perandorin Napoleon Bonaparte, duke përhapur lajmin se perandori vdiq gjatë fushatës në Rusi dhe e shpalli veten komandant të garnizonit të Parisit. Lajmi u besua nga të gjithë, por kur një polic e pa Maletin duke bërë betimin para Senatit, ai e njohu dhe bërtit "është Malet, i arratisuri!". Pas kësaj, ai u kap, u çarmatos dhe u dërgua përsëri në burg.

1821 - Demetrio Camarda (Dhimitër Kamarda) lindi në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) - Si gjuhëtar, poet dhe mbledhës e botues i folklorit shqiptar, Kamarda eci në udhën e hapur nga dijetari i madh arbërësh para tij, Jeronim De Rada. Kamarda kishte njohuri shkencore edhe në fushën e gjuhësisë indo-evropiane dhe doli me idenë se shqipja lidhej me greqishten e vjetër, duke iu kundërvënë tezës së vërtetuar nga Franz Bopp se shqipja ishte degë e veçantë në familjen Indoevropiane. Vepra kryesore e Kamadrës, Provë e Gramatikës Krahasuese mbi Shqipen, vlersohet si i pari punim shkencor në fushën e studimit krahasues historik të shqipes. Kamarda njihet edhe për kontributin në përhapjen e alfabetit të përgjithshem shqip në vitin 1869. Ai vdiq ne Livorno të Italisë me 1882.

1871 – Lindi në Fishtë, Dajç, Lezhë, Shqipëri (në atë kohë Perandori Osmane), Gjergj Fishta; studioi për filozofi e teologji; prift i shuguruar katolik edhe poet i madh; në vitin 1902, merr drejtimin e gjimnazit françeskan në Shkodër; vepra i tij madhore (1937) Lahuta e Malcis prej 17-mijë vargjesh – quajtur ndryshe edhe Iliada Shqiptare. At Gjergj Fishta ishte kryetar i komisionit në Kongresin e Manastirit më 1908, që miratoi alfabetin. Ishte përkthyes i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, pastaj, sekretar i delegacionit. Në fund të vitit 1920, Shkodra e zgjodhi deputet të saj në parlamentin shqiptar. Pas vendosjes së regjimit të Zogut, Fishta u vetë-mërgua në Itali në vitin 1925 /1926, para se se të rifillonte punën si mësues, poet dhe shkrimtar në Shkodër; vdiq më 30 dhjetor 1940. Fishta ishte redaktor i revistës “Hylli i Dritës” (1913 ) dhe gazetës “Posta e Shypnisë” gazetë (1916-1917). At Gjergj Fisha ishte gjithashtu shqiptari i parë kandidat për çmimin Nobel për letërsi. I mohuar e përçudnuar zyrtarisht për 45 vjet nga regjimi komunist, emri iu harrua, ndërsa vargjet e tij qarkullonin në popull, fshehurazi, gojë-më-gojë. Ja disa vargje nga një prej poezive të Fishtës:

“Shqypnia”

Edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!
…..
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
…….
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.”



1874 - Lind në Janjevë afër Prizrenit etnografi, folkloristi, shkrimtari, ndoshta arkeologu i pare shqiptar, Mëhill Kostandin Gjeçi-Kryeziu, i njohur si Shtjefën Gjeçovi. Ai u arsimua nga françeskanët në Bosnjë (nën kontrollin e Austro-Hungarisë ) shërbeu në vitet 1905 - 1920 mes fiseve malësore (kryesisht Mirditë) si famullitar, mësues dhe mbledhës folklori. Gazeta Albania e Faik Konices u bë platforma e shkrimeve te tij. Gjeçovi u vra nga serbet në vitin 1929, në fshatin Zym afër Gjakovës, ndërsa shërbente si prift dhe mësues i shqipes në atë famulli. Shtatore sot ai ka në Zym dhe një shtëpi muze në fshatin e lindjes. Më 1929, mbreti Zog protestoi ashpër pranë qeverisë së Beogradit kundër vrasjes se tij. Gjeçovi mblodhi dhe shkroi Kanunin e Lekë Dukagjinit, një sërë ligjesh zakonore shqiptare të trasheguara gojarisht ndër shekuj. Ato u botuan pas vdekjes, në vitin 1933. Një botim shqip – anglisht nga Shtëpia Botuese Gjonlekaj, Nju Jork ne vitet 1980, tërhoqi vemendjen e studiuesve të huaj të cilëve për here të pare u binte në dorë një botim anglisht i këtij kanuni.

1892 - Vdiq Abdyl Frashëri, 53 vjeç, një prej ideologëve te parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai ishte me i madhi në moshë mes 3 vëllezërve Frashëri, Naimit e Samiut. Abdyl Frashëri njihet si nismëtar dhe udhëheqës i Lidhjes së Prizrenit (1878) - konsiderohet gjithashtu si i pari që hodhi idenë e një autonomie (përfshirjen e trojeve shqiptare në një vilajet të vetem) - pas shtypjes së Lidhjes (1881), dënohet me vdekje nga gjykata osmane; dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm; qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj; për arsye shëndetësore u lirua me kusht që të hiqte dorë nga veprimtaria politike.

1911 - Përdorimi i parë i avionëve në luftë: Një piloti italian niset nga Libia për të vëzhguar vijat e frontit të ushtrisë turke gjatë Luftës turko- italiane.

1912 - Lufta e Parë Ballkanike :Fillon beteja e Kumanovës midis forcave serbe dhe ushtrisë osmane. Kjo betejë ishte vendimtare për rezultatin e luftës në rajon. Pas 3 ditësh, trupat osmane u thyen keq, lanë qytetin dhe u detyruan të tërhiqeshin edhe nga Shkupi, ndërsa forcat serbe u nisën për të marë Manastirin.

1946 - Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mblidhet për herë të parë, në një auditorium në Queens të qytetit Nju Jork.

1956 - Mijëra Hungarezë ngrenë krye kundër qeverisë dhe kontrollit sovjetik. Ky zhvillim (i njohur si Revolucion hungarez, në perëndim; dhe Kundër-Revolucion, në lindje, u shtyp në 4 nëntor).

Mendim i ditës
"Disa gjëra janë aq serioze, sa që është mirë të qeshësh me to".
Niels Bohr

Trego komentet

XS
SM
MD
LG