Lidhje

Rama: Jo mburojë politike për Gjikën


Kryeministri shqiptar reagon pas akuzave të prokurorisë për falsifikim ndaj kryebashkiakut socialist të Vlorës

Në Shqipëri, një ditë pasi prokuroria njoftoi se ka akuzuar për falsifikim kryetarin socialist të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, kryeministri Edi Rama tha sot se partia e tij nuk do të bëhet mburoja politike për askënd që do të akuzohet për korrupsion: “Akuza e Prokurorisë është shumë e rëndë dhe faktet e pretenduara nga prokuroria janë tejet të rënda. Në të gjithë ndjehemi keq nga artikulimi i tyre dhe të gjithë duam të shpresojmë, se akuza për një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron. Por nga ana tjetër duhet të jetë e qartë për të gjithë se ne nuk do të bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari nga prokuroria për korrupsion dhe abuzim me detyrën shtetërore. As sot, as kurrë”.

Zoti Rama I bëri këto komente në hapje të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, duke nënvizuar se partia e tij dëshiron “një Shqipëri të drejtë e të barabartë për të gjithë, dhe kjo vlen – tha ai – jo vetëm kur akuzohen kundërshtarët politik, pro në radhë të parë kur akuza drejtohet ndaj vetë socialistëve”.

Zoti Gjika duhet të përballet tani me gjykatën, ku prokuroria ka dërguar cështjen ndaj tij dhe një tjetër punonjëse të Bashkisë për akuzën e falsifikimit të dokumenteve për dy leje ndërtimit në qytetin e Vlorës. Nën akuzë janë dhe 6 sipërmarrës të cilëve u është dhënë leja, pavarësisht se sipas prokurorisë, ajo nuk ishte diskutuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit.

Kryetari Bashkisë së Vlorës në disa deklarata të shkurtëra për mediat është shprehur se dyshimet nuk mund të kthehen në prova me thashetheme para e postelektorale, duke saktësuar se në ditët e ardhshme ai do të ketë një qëndrim rreth kësaj cështjeje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG