Lidhje

Çështja e përgjimeve të NSA-së


Zyrtarët amerikanë thonë se administrata Obama po shqyrton mundësinë në se do ta urdhërojë Agjencinë e Sigurimit Kombëtar t’i japë fund përgjimit të udhëheqësve të vendeve aleate me Shtetet e Bashkuara. Në Uashington ka ardhur një delegacion me ligjvënës të Bashkimit Evropian, për takime me ligjvënës amerikanë dhe zyrtarë të zbulimit lidhur me këto akuza:

Gjatë javëve të fundit administrate e Presidentit Obama është vënë në shënjestër si brenda edhe jashtë vendit, lidhur me akuzat se ka përgjuar komunikimet personale të 35 udhëheqësve botëorë, përfshirë telefonin celular të kancelares gjermane Angela Merkel.
Gjatë një interviste televizive që dha dje për rrjetin kabllor “Fusion”, zoti Obama mohoi të kishte patur dijeni për përgjimet elektronike masive në Francë, Itali, Spanjë dhe gjetkë.

“Dua të pohoj faktin se ne jemi duke rishikuar në tërësi mënyrën se si operon zbulimi ynë jashtë vendit. Ekzistojnë disa ligje shumë strikte për veprimet tona brenda vendit dhe ky ishte fillimisht shqetësimi që na lindi lidhur me disa zbulime që bëri Edward Snowdeni. Në shkallë ndërkombëtare, ka më pak kufizime lidhur me mënyrën se si funksionojnë ekipet tona të zbulimit, por e kam thënë që para zbulimit të sekreteve nga Snowden, është e rëndësishme për ne që teknologjia të zhvillohet dhe zgjerohet; kapaciteti për grumbullimin e informatave të zbulimit është zgjeruar shumë, prandaj duhet të sigurohemi që jemi duke vepruar siç duhet dhe që veprimet që bëjmë të reflektojnë vlerat tona,”- tha Presidenti.

Disa muaj më parë, ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar Edward Snowden zbuloi dokumente, me pretendimin për të treguar se Shtetet e Bashkuara mbikqyrnin kërkimet në internet dhe regjistronin bisedat telefonike të qytetarëve amerikanë dhe të udhëheqësve botërorë.
Në Uashington ka ardhur një delegacion me një numër të madh ligjvënësish të Bashkimit Evropian, për një sërë takimesh me ligjvënës amerikanë dhe zyrtarë të zbulimit lidhur me këto akuza.

"Ky episod patjetër që ka krijuar një tronditje të besimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Për shembull, tek Gjermania, një aleate e fuqishme, patjetër që ka patur një tronditje të besimit. Megjithatë, unë mendoj se nuk kemi të bëjmë me një goditje fatale të marrëdhënieve mes të dy vendeve, sepse bëhet fjalë për aleatin më të fortë për çështje të rëndësishme, siç është lufta kundër terrorizmit. Pra, kemi të bëjmë vetëm me një tronditje të besimit. Në Bashkimin Evropian ka një predispozicion të madh për ta rivendosur besimin, për të kuptuar përse ishte i nevojshëm survejimi nga Agjencia Amerikane e Sigurimit Kombëtar, përse ai ishte kaq i tepruar?”

Një nga gazetat kryesore amerikane, “The Wall Street Journal”, njoftoi dje se për rreth 5 vjet me radhë, zoti Obama nuk ishte në dijeni të përgjimit të telefonatave të kancelares gjermene Angela Merkel dhe udhëheqësve të tjerë botërorë.
Senatorja demokrate nga Kalifornia dhe Kryetare e Komisionit të Senatit për Çështjet e kundërzbulimit, Dianne Feinstein dje bëri thirrje për një "rishikim'' të plotë të të gjitha programeve amerikane të kundërzbulimit, në përgjigje të akuzave. Zonja Feinstein tha se Komisioni që ajo drejton nuk ishte njoftuar siç duhet mbi këto veprime të agjencive të zbulimit.

Sot, Drejtori i NSA-së, James Clapper dëshmon për këtë çështje para Komisionit të Zbulimit të Kongresit.
XS
SM
MD
LG