Lidhje

Përvjetori i superstuhisë “Sandy”


Banorët e komuniteteve bregdetare pranë qytetit të Nju Jorkut dhe në shtetin fqinjë të Nju Xhersit do të ndezin qirinj dhe elektrikë dore sot në mbrëmje për të shënuar përvjetorin e parë të stuhisë masive Sandy, e cila shkatërroi zona të tëra në brigjet lindore të Shteteteve të Bashkuara. Me anë të një deklarate, Presidenti amerikan Barack Obama tha se amerikanët kujtojnë sot ata që humbën jetën nga stuhia. Ai tha se viti i kaluar shërbeu si kujtesë e “forcës dhe aftësisë së Shteteve të Bashkuara për t’u rimëkëmbur”. Ndërkohë, ishulli Ellis i Nju Jorkut, i cili mirëpriti miliona emigrantë në Shtetet e Bashkuara, ka ri-hapur dyert e muzeut të tij një vit pas stuhisë.

Vizitorët e parë shkuan me traget në Muzeun e Imigracionit të ishullit Ellis, i cili pësoi dëme të mëdha nga stuhia e vitit të kaluar. Shumë prej koleksionit të fotografive dhe artifakteve të tjerë gjënden në magazinë, dhe zyrtarët ende nuk kanë riparuar kompjuterat të cilët publiku mund t’i përdorë për të kërkuar paraardhësit e tyre.

“E tërë infrastruktura jonë u shkatërrua. I gjithë sistemi i ngrohjes, i ajrit të kondicionuar, sistemet tona elektrike, kompjuterike , dhe telefonike, çdo gjë u shkatërrua”.

Ishulli Ellis u hap për herë të parë në vitin 1892, dhe përmes tij kanë hyrë në Amerikë 12 milionë imigrantë, shumica Evropianë, deri sa kjo pëikë hyrje mbyll në vitin 1954. Presidenti Lyndon Johnson e shpalli ishullin si pjesë të Monumentit Kombëtar të Statujës së Lirisë në vitin 1965.

Superstuhia Sandy, më vdekjeprurësja dhe më shkatërruesja e sezonit të stuhive të 2012-ës, goditi brigjet e Nju Jorkut dhe të Nju Xhersit më 29 tetor 2012, dhe lëvizi më tej në verilindje. Si pasojë, më shumë se 100 njerëz vdiqën dhe dëmet kapën shifrën e 65 miliardë dollarëve.

Qeveria federale ka shpenzuar tashmë më shumë se 14 miliardë dollarë për t’u ardhur në ndihmë atyre që pësuan dëme nga superstuhia. Të hënën, zyrtarët federalë bënë të ditur planet për një raund të dytë ndihmash prej 5 miliard dollarësh për pesë shtete dhe qytetin e Nju Jorkut.
XS
SM
MD
LG