Lidhje

Zyrtarët gjermanë në SHBA për çështjen e përgjimit


Zyrtarë të lartë gjermanë dhe amerikanë të agjencive të zbulimit, po takohen në Uashington rreth akuzave se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar telefonin celeular të Kancelares Angela Merkel.

Pjesë e delegacionit gjerman është këshilltari i Kancelares Merkel për çështjet e zbulimit Guenter Heis. Nga pala amerikane në takim marrin pjesë shefi i zbulimit James Clapper dhe këshilltarja e presidentit për sigurimin kombëtar Susan Rice.

Uashingtoni ka thënë se nuk është duke e përgjuar celularin e kancelares dhe nuk do ta përgjojë në të ardhmen, por zyrtarët amerikanë nuk kanë qënë të qartë në komentet e tyre në se e kanë përgjuar në të kaluarën celularin e zonjës Merkel, ndoshta që nga viti 2002, siç thuhet, tre vjet para se ajo të zgjidhej në postin e kancelares.

Gjermania dhe Franca kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që deri në fund të vitit të nënshkruajnë një marërveshje që vendet aleate të mos përgjojnë njera tjetrën.

Po për çështjen e përgjimeve ndodhet në Uashington për bisedime me zyrtarët amerikanë edhe një grup nga komisioni i lirive civile i Parlamentit Evropian.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, gjenerali Keith Alexander tha dje se njoftimet se agjencia e tij ka mbledhur tabulatet telefonike të miliona qytetarëve evropianë, janë krejtësisht të rreme. Ai tha në një seancë në Kongres se gazetat evropiane kishin keqinterpretuar informacionin e marrë nga ish-kontraktori i zbulimit, Edward Snowden.

“Ata përmendin si provë kopje të rezultateve të një instrumenti në internet që përdoret për menaxhim të dhënash, por si ata, si personi që i vodhi të dhënat sekrete nuk e kuptuan se për çfarë bëhej fjalë. Instrumenti i internetit numëron të dhëna metadatash që gjenden në gjithë botën dhe e paraqet shumën e tyre në disa formate të ndryshme. Burimet e metadatave përfshijnë të dhëna të grumbulluara ligjërisht nga NSA, si edhe të dhëna që i janë dhënë NSA-së nga partnerë të huaj”, tha gjenerali Alexandër.

Ai shtoi se agjencitë evropiane të zbulimit ia dhanë këto të dhëna NSA-së dhe se detajet u përdorën për të mbrojtur forcat amerikane dhe evropiane në terren dhe qytetarët në vendet e tyre.

Njoftimet se NSA-ja mblodhi të dhëna telefonike dhe monitoroi komunikimet nga 35 udhëheqës botërorë kanë indinjuar politikanët dhe avokatët e lirive civile si në Shtetet e Bashkuara, edhe në vende të tjera.

Një anëtar gjerman i delegacionit të Parlamentit Evropian që ndodhet në Uashington, e shprehu këtë indinjatë.

“Asnjëherë mos përgjo miqtë, qoftë ambasadat, ose politikanët, mos bëj asgjë që nuk kemi rënë dakord paraprakisht. Dhe kur bëhet fjalë për të përgjuar qytetarët e zakonshëm, nuk duhet të jetë më e pranueshme dhe mendoj se një gjë e tillë është shumë e rëndësishme, sepse nuk e kemi ndjesinë e të bashkëpunuarit lirisht, nëse fqinji apo miku yt po të përgjon”, tha Eurodeputeti Elmar Brok.

Kancelarja gjemane, Angela Merkel e telefonoi Presidentin Obama javën e kaluar për të shprehur personalisht pakënaqësinë e saj.

Por Drejtori i Zbulimit Kombëtar James Clapper që po ashtu dëshmoi dje në Kongres, tha se grumbullimi i informacionit për udhëheqësit e huaj është “një parim bazë” i zbulimit amerikan.

Disa ligjvënës amerikanë kanë bërë thirrje për kufizime të reja në mënyrën e mbledhjes së informacionit të zbulimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG