Lidhje

Presidentja Jahjaga dënon incidentet në veri të Kosovës


Presidentja Jahjaga tha se veprimet e tilla pengojnë procesin e ndërtimit të një shteti gjithëpërfshirës e tolerant.

Incidentet në veriun e Kosovës, që çuan në ndërprerjen e votimeve në disa vendvotime, u dënuan ashpër nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në një komunikatë për opinion ajo thekson se “parandalimi, frikësimi, shantazhimi i qytetarëve dhe dhuna e shfaqur në disa vendvotime nga grupe të caktuara në pjesën veriore të territorit të vendit, është në kundërshtim me parimet demokratike në shoqëri, pengon procesin e ndërtimit të një shteti gjithëpërfshirës dhe tolerant si dhe cenon rrugën e integrimit evropian të vendit”.

Në reagimin e presidentes Jahjaga thuhet se incidentet dhe parregullsitë që kanë ndodhur në disa pjesë të Kosovës, si përpjekje për të cenuar votën e lirë të qytetarëve, janë duke u hetuar dhe duke u proceduar nga mekanizmat për mbarëvajtjen e procesit, duke dëshmuar bashkërendimin dhe bashkëveprimin e institucioneve të Kosovës për të siguruar zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në tërë territorin e vendit gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve.

Dhuna e shprehur ndaj stafit vendorë dhe ndërkombëtarë në disa prej qendrave të votimit në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe përdorimi i gazit lotsjellës në këto qendra, është e papranueshme dhe e patolerueshme. Aktet e tilla do të pasohen me veprim të shpejtë të mekanizmave të sigurisë me qëllim të vendosjes së rendit dhe të qetësisë dhe të sundimit të ligjit, si shumë të nevojshëm e të domosdoshëm për këtë pjesë të vendit”.

Me gjithë zhvillimet në veri, presidentja Jahjaga vlerëson se zgjedhjet komunale janë mbajtur në një atmosferë përgjithësisht të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve, në pjesën më të madhe të vendit. Ajo përgëzon qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet komunale dhe siç thuhet, mbarëvajtjen e tyre demokratike, të përgjegjshme dhe të lirë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG