Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 5 nëntor?

  • Astrit Lulushi

Woodrow Wilson

Woodrow Wilson

1912 - Woodrow Wilson zgjidhet president i 28-të i Shteteve të Bashkuara dhe shërben për dy mandate. Ish-president i Universitetit Princeton, pastaj Guvernator i Nju Xhersit; më 1912, ndahet nga Partia Republikane dhe zgjidhet president si demokrat. Biografi i tij Arthur Link thotë, se Wilson ishte orator magjepsës gjatë një kohë kur populli amerikan admironte oratorinë mbi të gjitha aftësitë e tjera politike. Wilson ishte njeri fetar "presbiterian" dhe besonte në ungjillizimin e botës; nga kjo, thonë historianët, lindi edhe "idealizmi wilsionian", sipas të cilit, Shtetet e Bashkuara duhet të hynin në arenën botërore për të luftuar për demokraci; shpesh kjo ka qënë një pikë e diskutueshme në politikën e jashtme amerikane. Për sponsorizimin e Lidhjes së Kombeve, Wilson u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1919. Wilson la gjurmë edhe në historinë shqiptare me ndihmën për ruajtjen e ekzistencës së Shqipërisë. Shpesh ai përmendet si lidhja bazë në miqësinë shqiptare - amerikane. Woodrow Wilson dhe Bill Klinton konsiderohen sot si presidentët amerikanë më popullorë mes shqiptarëve; Wilson për mbrojtjen e Shqipërisë në fillim të shekullit 20-të; dhe Klinton për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës në fund të po atij shekulli.

1930 - Sinklair Lewis fiton Çmimin Nobel në Letërsi, duke u bërë shkrimtari i parë nga Shtetet e Bashkuara që nderohet me këtë çmim. Në fjalimin para Akademisë suedeze, Lewis vlerësoi Theodore Dreiser, Ernest Hemingway dhe shkrimtarë të tjerë bashkëkohës. Ai gjithashtu u ankua se në Amerikë shumica e lexuesve dhe shkrimtarë, vazhdojnë të frikësohen ndaj çdo letërsie që nuk lavdëron çdo gjë amerikane, qofshin gabime apo virtyte. Sinklair Lewis kritikoi ashpër edhe letërsinë e institucionalizuar, "profesorët tanë nuk pranojnë letërsi ndryshe, por e duan atë të qartë, të ftohtë, të purifikuar, të vdekur." Thjesht, nuk duan që njeri tjetër të shkruajë më mirë, ose thyerjen e standarteve.

1937 - Adolf Hitleri mban një takim të fshehtë dhe deklaron planet e tij për "hapësirë jetësore" për popullin gjerman. Nazistët arsyetonin se ekspansionizmi territorial për të fituar "hapësira të jetesës" është ligj i natyrës për një popull të shëndetshëm e të fuqishëm nëse përballet me mbipopullim. Kështu, sipas nazizimit, zgjerimi ishte i justifikuar si domosdoshmëri e pashmangshme për mirëqenien e popullit gjerman. Ideja e një populli gjerman pa hapësirë të mjaftueshëm daton shumë kohë përpara, por Adolf Hitleri i dha asaj famën e keqe.

1940 - Presidenti Franklin D. Roosevelt fitoi një mandat të tretë të pashembull, kur mundi rivalin e tij Wendell Wilkie.

1946 - John F. Kennedy, 29 vjeç, fillon karrierën e tij politike duke u zgjedhur në Kongresin amerikan si përfaqësues i shtetit Masaçusets.

Mendim i ditës
"Nëse dëshiron të bësh armiq, përpiqu për të ndryshuar diçka."
Woodrow Wilson
XS
SM
MD
LG