Lidhje

Lufta kundër malaries

  • Henry Rdigewell

Një shkencëtar nga Burkina Faso ka fituar një çmim nga Shoqëria Mbretërore e Britanisë për hulumtimet e tij mbi mënyrat e reja për të luftuar mushkonjat përgjegjëse për përhapjen e malaries. Shkencëtarët thonë se është e rëndësishme për të zhvilluar mjete të reja për të luftuar sëmundjen, pasi si paraziti i malaries, edhe mushkonjat që bartin atë, janë bërë rezistente ndaj ilaçeve ekzistuese dhe insekticideve.

Burkina Faso ka një nga përqindjet më të larta të të infektuarve me malarie. Pas studimeve në Francë dhe Shtetet e Bashkuara, Dr. Abdoulaye Diabate u kthye në vendin e tij për të kryer hulumtime për sistemin riprodhues të mushkonjave.
Zbulimet e tij kanë tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve anembanë globit.

“Ajo që kemi bërë ne është të luftojmë kolonitë e mushkonjave në zonat ku ato ndodhen me shumicë ku edhe kryhet riprodhimi i tyre. Kjo i bën të lehta përpjekjet e zvogëlimit të dendësisë së mushkonjave.”


Gjatë sezonit të shiut të Burkina Fasos, ai vuri se në disa shtëpi kishte mbi 900 mushkonja.

Gjetja se insektet lëvizin në koloni për t’u çiftëzuar në të njëjtin vend çdo vit paraqet një mundësi të mirë për të ndërprerë sistemet e shumimit. Doctor Diabate është përqëndruar tek mushkonjat meshkuj.

“Nëse mund t’ia dalim mbanë në eliminimin e mushkonjave mashkull, kjo do të ndikonte në raportin mashkull -femër. Do të ketë më shumë femra se sa meshkuj, dhe ato nuk do të jenë në gjendje të shumohen. Sa më pak vezë aq më pak mushkonja, dhe aq më pak malarie.”

Hulumtimi hap mundësinë për teknologji të reja për kontrollin e malaries, të tilla si zhvillimi i mënyrave për sterilizimin e insekteve.

Doktor Diabate ka fituar 95 mijë dollarë për hulumtimet e tij, si pjesë e çmimit Pfizer të Shoqërisë Mbretërore britanike.
Profesori Brian Greenwood nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale të Universitetit të Londrës, ishte një nga anëtarët e komisionit përzgjedhës.

“Deri më tani, ne jemi mbështetur shumë në përdorimin e rrjetave të trajtuara me insekticide. Por ka shqetësime rreth rezistencës ndaj insekticideve. Kështu, me të vërtetë zhvillimi i mënyrave të reja për kontrollin e agjentëve transmetues të malaries është shumë i rëndësishëm.”

Pavarësisht përparimeve shkencore, nga malaria vazhdojnë të humbasin jetën rreth 660 mijë njerëz çdo vit - shumica e të cilëve fëmijë.
Firma britanike GlaxoSmithKline planifikon të paraqesë një kërkesë për vaksinën e parë të malaries në botë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vaksina mund të jetë gati në viti 2015. Profesor Greenwood ndihmoi me vaksinën.

“Vaksina mund të japë deri në 50 përqind mbrojtje për një periudhë tre apo katër vjeçare për fëmijët më të rritur. Fatkeqësisht, është më pak e dobishme për fosshjet. Dhe 50 përqind nuk është 100 përqind, shifra që ne do të dëshironim. Por gjithsesi është një hap në drejtimin e duhur.”

Ndërkohë, Dr Diabate thotë se ai shpreson se ky çmim do të nxisë studiuesit në Afrikë për t’u përqëndruar në trajtimin e malaries.

XS
SM
MD
LG