Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 9 nëntor?

  • Astrit Lulushi

The coup of 18 Brumaire

The coup of 18 Brumaire

1799 - Napoleon Bonaparti udhëheq grushtin e shtetit 18 Brumaire, që çoi në fundin e qeverisë së Triumviratit (udhëhequr nga 3 konsuj). Kështu, Napoleoni u bë Konsulli i Parë i Francës, duke i dhënë fund periudhës së Revolucionit Francez. Emri 18 Brumaire (viti VIII i revolucionit francez), doli përsëri me titullin e librit të Karl Marksit "Der Brumaire 18te des Louis Napoleon, 1852", një analizë e grusht-shtetit të 2 dhjetorit 1851 nga Louis, nipi i Napoleonit. Marksi e fillon librin me këto fjalë: "Hegel thotë diku se të gjithë faktet dhe personazhet e mëdhenj të historisë botërore përsëriten dy herë. Ai (Hegel) harroi të shtonte: herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë"

1880 - Një tërmet i madh goditi Kroacinë, duke krijuar shumë viktima, përfshi dëmtimin rëndë të Katedrales së Zagrebit. Ndërtimi i katedrales kishte filluar që në 1093, por ndërtesa u shkatërrua nga tatarët më 1242. Në fund të shekullit të 15-të, Perandoria Osmane pushtoi Kroacinë, dhe ndërtoi rreth katedrales mure fortifikuese që mund të shihen edhe sot.

1965 - Disa shtete amerikane dhe pjesë të Kanadasë u prekën nga një ndërprerje e energjisë që zgjati 13 orë. Për shkak se shkaqet e këtij defekti nuk ishin të qarta, njerëzit filluan të krijojnë lloj-lloj ideshë; legjenda urbane dhe teori konspiracioni filluan të dalin në pah. Sipas njërës prej tyre, 9 muaj pas ndërprerjes së energjisë, u vu re një rritje në numrin e lindjeve - miti zuri fill nga një seri artikujsh botuar në gusht të vitit 1966 në gazetën New York Times, ku disa mjekë të intervistuar thanë se kishin vënë re një rritje të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe. Kjo histori u provua e rreme në vitin 1970 nga Richard J. Udry, demograf nga Universiteti i Karolinës së Veriut në Chapel Hill, i cili bëri një studim të kujdesshëm statistikor që tregoi se numri i lindjeve 9 muaj pas ndërprerjes së energjisë, kishte qene në nivel normal. Disa shkrimtarë (duke përfshirë John G. Fuller, në librin e tij Incident në Exeter) dolën me teorinë se ndërprerja e energjisë ishte shkaktuar nga UFOt, dhe se mjete të shumta të paidentifikuara fluturuese ishin parë pranë qytetit Syrakusë pak para se të ndodhte incidenti. Ndërprerja e energjisë ishte shkatuar thjeshtë nga një mbingarkesë e rrjetit elektrik.

1993 - "Stari Most"- "Ura e Vjetër" në qytetin boshnjak Mostar, e ndërtuar në vitin 1566, shembet pas disa ditë bombardimesh gjatë luftës kroate - boshnjake. Më pas, aktivistë ndërmorrën nismën për t'a rindërtuar, dhe ura e re u hap më 23 korrik 2004. Ura e Mostarit është një nga monumentet më të njohura të Bosnjes, dhe është konsideruar si një nga veprat më të mira të arkitekturës islamike në Ballkan. Ura është projektuar nga Mimar Hajredin, nxënës i arkitektit Sinani, gjeniu shqiptar, i njohur për kryevepra arkitekturore në mbarë perandorinë Osmane e deri në Indi.

Mendim i ditës

"Jeta duhet të jetë e madhe sesa gjatë."

B. R. Ambedkar

XS
SM
MD
LG