Lidhje

Dialog i nivelit të lartë BE-Shqipëri

  • Armand Mero

Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, pritet të mbërrijë sot në Tiranë për t’i dhënë jetë nismës së tij për një dialog të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Komisionit europian, me qëllim përshpejtimin e përmbushjes së 5 prioriteteve që i janë lënë Tiranës në mënyrë që të nisin bisedimet për anëtarësim. Por ndërsa Brukseli po përpiqet të ndihmojë Shqipërinë, situata e brendshme politike nuk duket të jetë e favorshme. Opozita ka njoftuar po për sot një protestë përpara godinës së qeverisë

"Ne i kemi bërë një ofertë autoriteteve shqiptare për vendosjen e një dialogu politik të nivelit të lartë, i cili përbën rrugën se si ti japim shqipërisë një instrument orientimi politik në trajtimin e 5 prioriteteve kyce". Këtë deklaratë, komisioneri europian për Zgjerimin Stefan Fyle, e kishte bërë që muajin e kaluar kur prezantoi progres raportin për Shqipërinë. Idenë e tij ai pritet ta vërë në jetë me vizitën që parashikohet të nisë sot në Tiranë, e treta gjatë këtij viti dhe e para pas formimit të qeverisë së re.

Të pesë prioritetet kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformat në sistemin gjyqësor, në administratë dhe në mbrojtjen dhe respektimin e të Drejtave të njeriut. Hapat konkret për realizimin e tyre do të ndihmonin vendin në hapjen e bisedimeve, nëse do të kalojë më parë me sukses provimin e dhjetorit, kur shtetet anëtare do të duhet të vendosin mbi dhënien e apo jo të statusit kandidat. Dialogu i nivelit të lartë do të ndihmojë autoritetet shqiptare në rishikimin e planeve të veprimit, zbatimin e tyre dhe përshpejtimin e procesit. Megjithatë një tjetër element i rëndësishëm do të jetë edhe klima politike dhe bashkëpunimi pozitë opozitës


Në fjalën e tij një muaj më parë zoti Fyle do të theksonte se: "Shpresoj shumë se qeveria do të bëjë c’është e mundur që opozita të jetë pjesë e këtij procesi. Ajo ka mjaft eksperiencë në këtë drejtim she shpresoj që e gjithë kjo eksperiencë do të përdoret për të siguruar se do të jetë një platformë gjithëpërfshirëse ajo për qasjen ndaj këtyre 5 prioriteteve".

Pak ditë më parë në komisionin e Jashtëm të parlamentit Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se opozita do të ketë një rol aktiv në formatin e dialogut të nivelit të lartë Shqipëri BE: "Kemi propozuar në dakordësi me shërbimin e Komisionit europian, që opozita të jetë prezent, dhe aktive, jo thjesht për të thënë më fjalë mendimet, por edhe në marrjen e angazhimeve. Besoj se ky format do të shërbejë shumë, vecanërisht klasës politike, për të përafruar qëndrimet për cështje të caktuara, sidomos për elementët që kanë të bëjnë me procesin e integrimit europian".

Por klima mbizotëruese nuk është fort e favorshme. Opozita ka njoftuar për sot organizimin e një proteste, pas dyshimeve për blerje të votaven ga ana e socialistëve në garën për kryetarin e Bashkisë së Korcës javën e shkuar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG