Lidhje

Sfidat e liberalëve në Egjipt


。
Uniteti që karakterizoi kryengritjen e vitit 2011 kundër ish Presidentit të Egjiptit Hosni Mubarak është thyer duke e lënë vendin të polarizuar, kryesisht të ndarë mes islamistëve që mbështesin Vëllazërinë Myslimane dhe përkrahësve të qeverisë së mbështetur nga ushtria. Mes këtyre dy grupeve gjendet një pjesë e vogël dhe gjithnjë e më e izoluar egjiptianësh, interesi kryesor i të cilëve është demokracia. Një zë kryesor i kësaj lëvizjeje liberale dhe kryesisht laike është Alaa al-Aswany, romancieri më i njohur i vendit. Në Kajro, autori bisedoi me korrespondenten e Zërit të Amerikës Elizabeth Arrott në lidhje me zhgënjimet e tij në rritje.

Nuk është e lehtë të jesh liberal në Egjipt . Alaa Al Aswany, romancieri më i njohur i vendit dhe një nga mbështetësit e revolucionit të vitit 2011, dëshpërohet lidhur me atë që ai sheh si një largim nga vlerat demokratike.

"Nuk kemi një konflikt politik në kuptimin demokratik, kemi një lloj lufte midis grupeve terroriste dhe shtetit."

Zoti Aswany ishte një nga intelektualët e pakët që mbrojtën të drejtën e Vëllazërisë Myslimane për të kandiduar në zgjedhjet pas revolucionit. Megjithatë atë e gëzoi rrëzimi i presidentit islamist Mohamed Morsi, çka i dha fund asaj që zoti Aswany e cilësonte si një vizion absolutist. Por ai thotë se demokracia është ende një perspektivë e largët.

"Beteja nuk ka përfunduar. Ajo sapo ka nisur, sepse ende duhet të shpëtojmë prej këtyre njerëzve të cilët ishin një pengesë e vërtetë ndaj demokracisë. Lufta e vërtetë midis forcave të revolucionit dhe regjimit të vjetër ende vazhdon."

Lufta e zotit Aswany kundër shtetit autoritar vazhdon prej një kohe të gjatë. Ai mori
famë prej romanit të tij të vitit 2002 dhe filmit të bazuar në të, Pallati Jakubian, një nga veprat e para që paraqesnin korrupsionin shtetëror dhe brutalitetin e policisë. Ai ishte një nga fytyrat e pakta të njohura që dilnin në Sheshin Tahrir çdo ditë gjatë revolucionit të vitit 2011. Një muaj më vonë, debati i tij i ashpër në televizion me kryeministrin e atëhershëm Ahmed Shafik elektrizoi vendin. Zoti Shafik dha dorëheqjen të nesërmen.

"Asnjëherë nuk do të pres prej regjimit të vjetër apo atij ushtarak që të na japin demokracinë si dhuratë. Ne duhet të punojmë dhe duhet të bëjmë presion deri sa të arrijmë revolucionin që donim."
Pikëpamjet e Alaa al-Aswany-it kanë ngjallur zemërim në të dy anët e spektrit politik. Ai ka marrë kërcënime të ndryshme. Një plumb hyri në shtëpinë e tij. Ndërsa në paraqitjen e fundit në Paris, ai u rrethua nga mbështetës të zotit Morsi.

"Të shikoje se si këta njerëz më sulmuan në Paris, se si dukeshin dhe se si më shihnin. Ata mendonin se unë isha kundër fesë dhe kjo ishte shumë e qartë për mua. Unë do të shkruaj për këtë."

Autori i përgjigjet kritikës ndaj tij në mënyrën që njeh më mirë - me fjalë. Artikujt e tij publikohen gjerësisht në Egjipt, dhe kohët e fundit ai ka gjetur një audiencë ndërkombëtare si opinionist për gazetën New York Times.
Por ka një problem: gati një e treta e egjiptianëve nuk mund të lexojnë. Alaa al-Aswany beson se një nga pengesat më të mëdha të mendimit liberal është analfabetizmi - diçka që as ushtria as islamistët nuk janë përpjekur të zhdukin.
XS
SM
MD
LG