Lidhje

Kosovë: Shpallen rezultatet e zgjedhjeve të tre nëntorit


Kosovo, elections
Kosovo, elections

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në 23 komuna do të mbahet raundi i dytë i votimeve më një dhjetor. Të dielën, votohet në Mitrovicën veriore.

Me një dhjetor, në njëzetekatër komuna të Kosovës do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e tyre, ndërsa 14 syresh tashmë kanë kryetarët e zgjedhur.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve që u mbajtën më tre nëntor, ndërsa është duke bërë përgatitjet e fundit për rivotimet që do të mbahen të dielën në veriun e Mitrovicës.

Votimet në veri të këtij qyteti u dëmtuan nga incidentet e tre nëntorit, kur persona të maskuar ndërhynë dhe shkatërruan kutitë e votimit në disa vendvotime në veri të Mitrovicës, duke detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve, vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë dhe të përfaqësuesve të Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, që është përfshirë në lehtësimin e votimeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Zyrtarët e Beogradit thanë se janë identifikuar rreth 20 persona të përfshirë në sulmet mbi qendrat e votimit në veriun e Mitrovicës dhe se sulmuesit janë kryesisht pjesëtarë të organizatave djathtiste nga Serbia që kishin hyrë në Kosovë më tre nëntor për të ndihmuar grupet politike që kundërshtojnë përfshirjen e serbëve në institucionet e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi anulimin e zgjedhjeve në ato qendra dhe caktoi 17 nëntorin datë të rivotimeve për 23 mijë votues të regjistruar në zonë.

Përfshirja e komunave veriore me shumicë serbe në zgjedhjet komunale të Kosovës ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në muajin prill ndërmjet Prishtinës e Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve që aspirojnë integrimet evropiane.

Pas zgjedhjeve pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe që sipas marrëveshjes do të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie. Sipas rezultateve të deritashme në komunat me shumicë serbe aktualisht është duke udhëhequr ose tashmë e ka fituar pushtetin komunal Nisma Qytetare serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, do të qëndrojë sot në veri të Mitrovicës për të marrë pjesë në tubimin e kësaj nisme dhe për të nxitur pjesëmarrjen e serbëve në atë zonë në zgjedhjet e së dielës dhe shmangien e incidenteve të dhunshme si ato të tre nëntorit.

Edhe Prishtina zyrtare, por edhe institucionet ndërkombëtare thanë se kanë hartuar plane për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve të së dielës në Mitrovicën veriore.
XS
SM
MD
LG