Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 19 nëntor?

  • Astrit Lulushi

Gettysburg Address

Gettysburg Address

1863 - Lufta Civile Amerikane - Presidenti Abraham Linkoln mban një fjalim në ceremoninë e përkushtimit të varrezave për ushtarët e rënë në betejën në Gettysburg. Fjalimi i tij zgjati vetëm dy minuta, dhe një gazetë e kohës e quajti "fjalim që do të mbulohej nga mjegulla e kohës". Por ndodhi e kundërta, fjalimi i Getisburgut sot u mësohet fëmijëve të shkollave për recitim, dhe cilësohet si më i rëndësishmi në historinë amerikane; ndërsa gazeta Patriot News, pasardhëse e gazetës Patriot & Union e cila botoi komentin nënçmues më 1863, vetëm pak ditë më parë, 13 nëntor 2013, në një shkrim të saj kërkoi ndjesë duke thëne se redaktorët e asaj kohe nuk e kishin kuptuar “rëndësinë e momentit, elokuencën e përjetshme dhe rëndësinë e vazhdueshme të fjalimit të presidentit Linkoln." Beteja në Gettysburg, u zhvillua nga data 1 deri më 3 korrik të vitit 1863, fitorja e saj nga ushtria e Unionit shënoi pikëkthesën në luftën civile, që përfundoi më 1865 me fitoren e forcave të bashkimit.

Fjalimi i Linkolnit në varrezat e të rënëve në Gettysburg
"87 vjet më parë etërit tanë krijuan në këtë kontinent një komb të ri, konceptuar në liri dhe perkushtuar në pohimin se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Tani ne jemi angazhuar në luftë të madhe civile, provim nëse ky komb ose çdo komb i konceptuar dhe i përkushtuar në këtë mënyrë mund të durojë gjatë. Ne jemi mbledhur në një fushë-betejë të kësaj lufte të madhe. Kemi ardhur t'ia përkushtojmë një pjesë të kësaj fushe, vend-pushimit përfundimtar për ata që këtu dhanë jetën që ky komb të mund të rrojë. Kjo është krejt e nevojëshme dhe përshtatshme që duhet t'a bëjmë. Por, në një kuptim më të gjërë, ne nuk mund t'a përkushtojmë - nuk mund t'a bekojmë - nuk mund t'a shenjtërojmë - këtë tokë. Burrat trima, të gjallë e të vdekur, të cilët luftuan këtu, e kanë shenjtëruar atë, përmbi fuqisë sonë të pakët për të shtuar apo hequr. Bota pak do të vërë re, pak do të mbajë mend çfarë ne themi këtu, por ajo kurrë nuk mund të harrojë çfarë ata bënë këtu. Kjo është për ne të gjallët, të përkushtohemi për punën e papërfunduar të cilën ata të cilët luftuan këtu deri tani kaq fisnikërisht e avancuan. Eshtë për ne që të përkushtohemi për detyrën e madhe të mbetur para nesh - që nga këta të vdekur të nderuar të marrim përkushtim në rritje për kauzën për të cilën ata dhanë masën e fundit të plotë të përkushtimit - që ne këtu të vendosim se këta të rënë nuk kanë vdekur kot - se ky komb, nën Perëndinë, do të ketë një lindje të re të lirisë - dhe se qeveria e popullit, nga populli, për popullin, nuk do të zhduket nga faqja e dheut."

1912 - Ushtria serbe merr Manastirin duke zmbrapsur trupat osmane, pjesa më e madhe e të cilëve, rreth 40-mijë, u tërhoqën drejt Korçës. Për shqiptarët, gjendja po bëhej alarmante. Në Vlorë, djali i Ismail Qemalit, Edhem, në marrëveshje me parinë, u dërgoi tegrame të gjitha qyteteve të vendit për të dërguar sa më shpejtë përfaqësuesit e tyre në Vlorë. Qyteti ndjehej i kërcënuar; trupat greke që kishin arritur në Himarë dhe po përparonin drejt Vlorës; dhe forcat shqiptare u nisën drejt grykave të Llogarasë për t'u prerë rrugën. Në veri, trupat malazeze përforcojnë rrethimin e Shkodrës me dy divizioneve të tjera; një malazez e një serb. Dy divizionet takohen afër Lezhës dhe pushtojnë qytetin pas disa orë luftimesh. Ndërkohë, Ismail Qemali nxitonte drejt brigjeve të Durrësit; Konti Bertold i Austrisë i kishte vënë në dispozicion anijen e tij. Për shqiptarët këto ditë i ngjanin tik-takut të orës, çdo sekondë ishte vendimtare.

1916 - Samuel Goldwyn dhe Edgar Selwyn krijojnë studion filmike Goldwyn Picture. Kjo kompani u provuar e suksesshme, por shenja identifikuese e luanit me ulërimën e tij që shoqëron hapjen e çdo film, është simboli për të cilin Goldwyn Picture është më i famshëm.

1942 - Lufta e Dytë Botërore: Beteja e Stalingradit - Forcat sovjetike nën komandën e general Zhukovit fillojnë kundër ofensivën ndaj trupave naziste, duke kthyer valën e betejës në favor të Bashkimit Sovjetik.

.

1950 - Gjenerali amerikan Dwight D. Eisenhower caktohet komandanti i lartë i NATO në Evropë. Pas 3 vjetësh, (janar 1953) Eisenhower do të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë komandanti i forcave aleate.

1954 - Tele Monte Carlo, kanali më i vjetër televiz privat në Evropë, fillon transmetimet nën pronësinë e Princit Rainier III.

1969 - Futbollisti Pele shënon golin e 1000-të ose O Milesimo. Pele e shënoi këtë gol me penallti gjatë një ndeshje të kampionatit brazilian në stadiumin Maracana, Rio de Janeiro.

1985 - Lufta e Ftohtë : Në Gjenevë , Presidenti amerikan Ronald Reagan dhe udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev takohen për herë të parë.

1988 - Presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç deklaron publikisht se Serbia ndodhet nën sulm nga separatistët shqiptarë në Kosovë, si dhe nga tradhtarë të brendshëm, dhe nga një komplot i huaj për të shkatërruar Serbinë dhe Jugosllavinë.

1998 - Portreti i Vincent van Goghut pa mjekër, del për shitje në ankand. Kjo pikturë është edhe vetë-portreti i fundit i van Goghut, që ai ia dhuroi nënës për ditëlindjen e saj në vitin 1888. "Pa mjekër" është një nga pikturat më të shtrenjta të të gjitha kohërave - ajo u shit 71-milionë e 500-mijë dollarë në vitin 1998 në Nju Jork.

Mendim i ditës

"Nëse dukem i hutuar kjo është sepse po mendoj".

Samuel Goldwyn

XS
SM
MD
LG