Lidhje

150 vjetori i fjalimit të Gettysburgut


150 vjet më parë, më 19 nëntor të vitit 1863, në kulmin e Luftës Civile amerikane, Presidenti Abraham Lincoln mbajti një fjalim të shkurtër në një fushëbetejë në Gettysburg të shtetit Pennsylvania. Beteja e përgjakshme, që ishte zhvilluar aty disa muaj më parë shihet tani si një pikëkthesë e asaj lufte. Presidenti Lincoln, i cili po merrte pjesë në përurimin e një varreze, nderoi ushtarët, që luftuan në Gettysburg si dhe theksoi rëndësinë e lirisë dhe të barazisë.

Në fjalimin e tij prej dy minutash, Presidenti Lincoln kujtoi betejën e Gettysburgut, ku u vranë dhjetra mijëra ushtarë të unionit dhe të konfederatës. Ai nderoi “burrat e guximshëm, të gjallë dhe të vdekur, që luftuan aty”. Në periudhën 1861-1865, shtetet e veriut ose unioni, luftonin kundër shteteve të jugut ose konfederatës, e cila ishte shkëputur nga vendi për disa arsye, mes tyre edhe skllavëria.

Martin Johnson, profesor historie në Universitetin Miami në Ohio, autor i librit të ri “Shkrimi i fjalimit të Gettysburgut”, thotë se presidenti kërkonte vazhdimisht mbështetje për unionin, ndërsa Lufta Civile vazhdonte.

“Ai e dinte se duhet të impresiononte vendin për rëndësinë e kauzës, sepse kjo luftë ishte tepër e rëndësishme dhe vendimtare”.

Pak para se të shkonte në Gettysburg, presidenti ishte në këtë shtëpi në Uashington, ku ai rrinte për t’iu shmangur problemeve politike që nuk e linin të përqëndrohej në Shtëpinë e Bardhë. Callie Hawkins, drejtoreshë e programit në shtëpinë e rinovuar, thotë se kjo shtëpi nuk ishte vend pushimi për presidentin, pasi aty afër ndodhej një varrezë e ushtrisë.

“Ardhja këtu i jepte atij mundësinë të mendonte dhe të reflektonte, të mendonte i përqëndruar te idetë e tij për Luftën Civile. Lincolni shikonte aty varrime çdo ditë”.

Këto ide, thotë zonja Hawkins, do të ndikonin në shkrimin e fjalimit të Gettysburgut, në të cilin ai përmendi pasazhin e famshëm të deklaratës së pavarësisë se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë“. Lincolni foli gjithashtu për “një vendi të ri, të krijuar në liri” dhe për “një lindje të re të lirisë”.

Fjalët e Lincolnit tingëllojnë frymëzuese për 12 vjeçaren Carrie Otal.

“Ai udhëhoqi vendin gjatë kohës së skllavërisë. Liria për të gjithë është shumë e rëndësishme. Pronarët e skllevërve mendonin se kishin lirinë të zotëronin skllevër, por skllevërit mendonin se liria nënkuptonte se ata të ishin të lirë dhe jo skllevër. Prandaj mendoj se Presidenti Lincoln u dha të gjithëve lirinë që meritonin”.

Historiani Johnson thotë se Lincolni e shkroi fjalimin në Shtëpinë e Bardhë, por i dha dorën e fundit në këtë shtëpi në Gettysburg. Përmbajtja e fjalimit u përhap me shpejtësi.

“Fjalimi u bë menjëherë popullor dhe i rëndësishëm sepse shumë njerëz, veçanërisht botuesit e gazetave dhe figurat politike, e panë si një mësim nga lufta, të përmbledhur në pak fjali. Brënda disa muajsh, ai u përdor në fjalime politike dhe u rrënjos shumë shpejt në kujtesën amerikane rreth domethënies së Luftës Civile”.

Ai thotë se fjalimi i Gettysburgut u bë gjithashtu i njohur në gjithë botën.

“Ai mësohet në shkolla në Japoni, Nigeri, Argjentinë dhe gjetkë”.

Në fjalimin e tij, Presidenti Lincoln tha se “bota do ta kujtojë fare pak dhe nuk do ta mbajë mënd se çfarë thamë ne këtu.” Por ai nuk e dinte se bota, jo vetëm që do ta mbante mënd fjalimin e tij, por ky do të bëhej një prej fjalimeve më të famshëm në histori.

XS
SM
MD
LG