Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 22 nëntor?

  • Astrit Lulushi

1858 – Themelohet qyteti Denver, Kolorado – fillimisht vend-banim minatorësh gjatë periudhës së "etheve të arit" – kur William Larimer nguli piketat në tokë në vendin ku kishte zgjedhur për t’u vendosur. Duke shpresuar të siguronte favore nga governatori i territorit të Kansasit, James Denver, Larimer e quajti vendbanimin e ri Denver, pa e ditur se guvernatori sapo ishte larguar nga posti. Megjithatë, emri mbeti. Sot Denver ka rreth 600-mijë banorë, ndërsa me gjithë rrethinat (zona metropolitane) mbi 2.5 milionë njerëz. Denver shtrihet 1 mijë e 600 metra mbi nivelin e detit.

1906 - Delegatët në Konferenën Radiotelegrafike të Berlinit në Gjermani votojnë për të përdorur SOS, për sinjal të ri ndërkombëtar. Përdorimi ndërkombëtar i sinjalit "SOS" u ratifikua në vitin 1908 . Kuptimi i saj ? Shumë besojnë se është akronim në anglisht për "Save our Ship" ose " Save Our Souls". Në fakt nuk është akronim, por thjesht sinjal në kodin Morse të transmetimin, S = 3 pika: O = 3 vija (... --- ... )

1908 - Përfundon punimet Kongresi i Manastirit, vendimi me i rëndësishëm i të cilit ishte miratimi i alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe - prandaj shpesh quhet edhe Kongresi i Alfabetit. Por ky kongres, kishte në plan edhe çështje të tjera të arsimit. Historianët përmendin një takim të fshehtë mes delegatëve, që u zhvillua në një nga dhomat e ndërtesës ku mbahej kongresi. Eshtë fjala për një propozim që Shahin Kolonja kishte përgatitur për t’a paraqitur në parlamentin osman. Sipas këtij propozimi, mësimet në të gjitha shkollat duhej të zhvilloheshin në gjuhën shqipe, ndërsa turqishtja si gjuhë e perandorisë duhej të hynte në këto shkolla vetëm pas klasës së katërt fillore. Shkollat, si edhe më parë, duhej të financoheshin nga shteti (në prag të kongresit të Manastirit, në trojet shqiptare funksiononin vetëm 15 shkolla). Në propozim, hidhej edhe idea e krijimit të shkollave të larta. Në buxhetin e perandorisë duhej të caktohej një fond vjetor për arsimimin e studentëve shqiptarë në Evropë ose Amerikë, ku ata të përgatiteshin për të dhenë mësime në universitetet shqiptare. Për të shmangur ndërhyrjen e Italisë, Greqisë a Austrisë në këto cështje, në mbledhjen e fshehtë në Manastir u propozua që priftërinjtë katolikë e ortodoksë të pagueshin nga shteti osman. Ky ishte një projekt i guximshëm, ndikuar edhe nga entusiazmi që rilindasit provonin në prag të Kongresit Manastirit. Propozimi, që sot pasqyron vizionin e atdhetarëve të asaj kohe për arsimin, kurre nuk u paraqit për diskutim në parlamentin osman. Ai mbeti brenda dyerve të mbyllura, ndoshta në pritje të kushteve kombëtare kur idea për pavarësi të ishte e mirëpritur, ashtu si u deshën disa vite derisa alfabeti i miratuar në Manastir të pranohej pa kundërshtime nga të gjithë në mbarë trojet shqiptare. Në gjithë këtë zhvillim, një veçori vihet re, se në një kohë kur shqiptarët të përcarë e pa një shtet të vetin, arritën brenda pak ditësh të binin dakord mbi një vendim kaq monumental, siç eshte Alfabeti.

1943 - Presidenti Franklin Roosevelt , kryeministri britanik Winston Churchill dhe udhëheqësi kinez Chiang Kai -shek takohen në Kajro për të diskutuar masat për të mposhtur Japoninë.

1963 - Presidenti Xhon F. Kennedy u vra, ndërsa parakalonte në një autokolonë në Dallas, Teksas. Vrasësi i dyshuar , Lee Harvey Oswald , u vra dy ditë më vonë në burgun e qytetit Dallas nga Jack Ruby, pronar i një klubi argëtimi. Kennedy, 46 vjeç, u bë presidenti i katërt amerikan i vrarë dhe i teti që ka vdekur në zyrë. Vrasja shkaktoi reagime në mbarë botën; ajo ndodhi në kulmin e Luftës së Ftohtë,duke ngritur pyetjet nëse ishte pjesë e një sulmi ndaj SHBA-së. Lajm trondi mbarë kombin. Njerëzit qanin haptaz dhe u mblodhën në dyqane për të shikuar mbulimin televiziv të ngjarjes, ndërsa të tjerët luteshin. Trafiku në disa zona ndaloi, ndërsa lajmi përhapej nga makinë në makinë “presidenti u vra”. Shkollat në të gjithë vendin ndërprenë mësimin dhe nxënësit e hutuar u liruan herët. Zemërim ndaj Teksasit u raportua nga disa individë. Pas një jave, në ndeshjen e bejsbollit midis Brown të Klevelandit dhe Cowboys të Dallasit, tifozët e Klevelandit mbushën stadiumin duke mbajtur pankarta “Dallas, qyteti që vrau Kenedin”. Vrasja la përshtypje të thellë tek shumë amerikanë ; njësoj si sulmi japonez në Pearl Harbor më 7 dhjetor 1941; dhe më pas sulmet e 11 shtatorit 2001. Ndërsa pyetja "Ku ndodheshe ti kur dëgjove për vrasjen e Presidentit Kennedy ?" do të bëhej temë diskutimi.

Mendim i ditës
"I dobëti nuk mund të falë. Falja është cilësi e të fortit."
Mahatma Gandhi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG