Lidhje

Konferenca për Sirinë më 22 janar


Kombet e Bashkuara thanë se konferenca e shumëpritur e paqes për Sirinë do të mbahet më 22 janar në Gjenevë, por lista e pjesëmarrësve mbetet e pasigurtë.

Duke folur me gazetarët sot, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se qeveria siriane edhe opozita do të takohen në tryezën e bisedimeve në vend të fushëbetejës për here të pare që kur filloi konflikti në Siri në fillim të vitit 2011.

Zoti Ban tha se konferenca e paqes duhet të çojë drejt zbatimit të plotë të Komunikatës së Gjenevës për të cilën u ra dakort nga fuqitë rajonale në qershor të vitit të kaluar. Dokumenti bën thirrje që palët në Siri të bien dakort për të theneluar një organ qeverisës tranzicioni me fuqi të plota ekzekutive, ku të përfshihen njësit ushtarake dhe të sigurisë.

Konferenca është shtyrë për muaj për shkak të mosmarrëveshjeve rreth pjesëmarrësve në të dhe të rreth kushteve të bisedimeve.

Deklarata e OKB-së nuk përfshinte ndonjë hollësi se kush do të marrë pjesë, por thotë se zoti Ban pret që të gjithë partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë të tregojnë mbështetjen e tyre për bisedime konstruktive.

Konflikti sirian filloi në mars të vitit 2011 si protestë paqësore ku bëhej thirrje për reforma, pjesë e valës së kryengritjeve popullore që u përhapën në mbarë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Situata u përshkallëzua në një luftë civile, gjatë së cilës deri tani kanë humbur jetën më shumë se 120 mijë vetë dhe miliona të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG