Lidhje

A mund të rriten bimët në Mars?


Rritja e bimëve konsiderohet diçka e zakonshme për planetin tonë. Por a është e mundur që bimët të rriten në Mars ose në Hënë? Disa studiues në Hollandë po kryejnë një eksperiment për të gjetur përgjigjen.

Ato mund të duken si bimë normale, por këto bisqe janë rritur në një lloj dheu me të njëjtën përbërje mineralesh si ato që gjenden në Mars. Bimët po kultivohen gjithashtu në dhe me përmbajtje mineralesh si ato të pranishme në hënë.

Autorët e studimit janë pjesë e projektit holandez "Mars Një", që synon të dërgojë njerëzit e parë në Mars pas rreth një dekade. Ekipi i ekspertëve ka mbjellë 14 lloje të ndryshme bimësh në vazo të mbushura me dhe artificial të Marsit, Hënës dhe Tokës.

Dheu është prodhuar nga agjencia amerikane e hapësirës NASA, duke përdorur përzierje elementësh që gjenden në Tokë. Dheu artificial i Marsit vjen kryesisht nga një zonë vullkanike në Havai, që paraqet përbërje të ngjashme me mostrat e sjella nga planeti i kuq. Dheu artificial i Hënës është marrë nga zona të ndryshme vullkanike në mbarë botën.

Bimët kanë marrë të njëjtin trajtim ditor.

"U habita shumë kur pamë se bimët e rritura në dheun e Marsit janë rritur më mirë se në dheun e Tokës. Dheu që kemi zgjedhur për planetin tonë ishte mjaft i pastër – një lloj dheu i brigjeve të lumenjve - relativisht i varfër në minerale, por nuk prisja që përbërja e ngjashme me dheun e Marsit të prodhonte bimë më të mira," thotë ekologu Wieger Wamelink.

Në të kundërt, dheu i Hënës ka dhënë rezultate mjaft të dobëta. Vetëm disa prej bimëve të rritura në të arritën të mbeten të gjelbra dhe shumica e tyre u thanë brenda një periudhe prej 50 ditësh. Përbërja e dheut në hënë ka karakteristika shumë të ngjashme me dheun vullkanik në Tokë – i mbushur me elementë metalikë, i errët, i thatë dhe jo në gjendje për të mbajtur ujë.

"Bimët gjithashtu kanë nevojë për fosfor, kalcium dhe elementë të tjerë që gjenden si në Mars ashtu dhe në Hënë. Por ne kemi zbuluar se Marsi është më i pasur me këto minerale sesa Hëna. Mendojmë se kjo është arsyeja pse bimët rriten më mirë në dheun artificial të Marsit sesa në atë të Hënës," shpjegon zoti Wamelink.

Projekti "Mars Një" ka tënë se 200 mijë njerëz kanë aplikuar për tu bërë anëtarë të një grupi me të cilin organizatorët shpresojnë të krijojnë koloninë e parë në Mars në vitin 2023. Për misionin e parë do të përzgjidhen vetëm katër persona.

Kushtet atmosferike në Mars janë shumë ndryshe nga Toka. Atmosfera e atij planeti është shumë e hollë dhe njerëzit nuk do të ishin në gjendje të mbijetonin pa ndihmën e një atmosfere artificiale të Tokës.

Distanca mes Marsit dhe Diellit është shumë më e madhe, prandaj rrezet e diellit në Mars janë më pak intensive. Eksperimenti i zotit Wamelink tregon se bimësia e Tokës mund të rriten në dheun e Marsit në sera të mbrojtura prej një atmosfere artificiale.

Rob van den Berg, drejtor i Expozitës së përhershme të Hapësirës në Agjencinë Hapësinore Evropiane, thotë se furnizimet ushqimore janë thelbësore për të mbështetur çdo lloj jete në Mars.

"Duhet të gjejmë një zgjidhje, një lloj sere qelqi, një vend me atmosferë artificiale ku bimët e Tokës të mund të jetë në gjendje të rriten në dheun e Marsit. Në këtë këndvështrim, ky studim është i nevojshëm," thotë ai.

Por ka dhe një tjetër problem në rritjen e ushqimeve në Mars dhe në Hënë: niveli i lartë i elementëve metalike, si oksidi i aluminit.

"Një bimë e rritur në Mars mund të arrijë të prodhojë ushqim si domatet për shembull, por këto perime do të mund të përmbanin metale kaq të rënda saqë ato do të ishin toksike dhe të pangrënshme," thotë Wieger Wamelink.

Pra, duket se realiteti i krijimit të ushqimeve në planetë të tjerë është ende larg - por kjo gjë nuk po i shkurajon ata që shpresojnë që një ditë të arrijnë të mundësojnë jetën në Mars.
XS
SM
MD
LG