Lidhje

Guvernatori i Virxhinias nën hetime


Njoftohet gjerësisht se rreth guvernatorit në largim të shtetit të Virxhinias, republikanit Robert McDonnell, po zhvillohen hetime federale nën akuzat se ka pranuar dhurata dhe bakshishe. Guvernatori McDonnell i ka mbrojtur veprimet e tij, duke thënë se nuk ka shkelur asnjë ligj etik të shtetit të tij. Ndërsa në të kaluarën guvernatorë shtetesh janë përfshirë në skandale, rreth 10 prej tyre janë larguar nga detyra.

Në një kodër të njohur të Riçmondit në Virxhinia, ngrihet Kongresi i shtetit, i ndërtuar në vitin 1788, po aq i vjetër sa edhe vetë Shtetet e Bashkuara.
Tani, kjo ndërtesë është përfshirë nga akuzat për skandal lidhur me guvernatorin e saj të 71, Robert McDonnell. Njoftohet gjerësisht se ai ka marrë hua, dhurata dhe favore të veçanta për vete dhe për të shoqen, Maureen dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.

Gazetari investigativ në Riçmond, Peter Galuszka rradhit gjërat që thuhet se i janë dhënë guvernatorit dhe familjes së tij kryesisht nga biznesmeni Jonnie Williams, i cili kryeson kompaninë Star Scientific.

“Guvernotori McDonnell ka pranuar disa hua për një korporatë pasurish të patundshme që ai zotëron me familjen e tij. Vajza e tij pranoi 15 mijë dollarë për një darkë martese. Ai ka pranuar një orë Rolex prej 6 mijë e 500 dollarësh. Gruaja e tij, Maureen McDonnell, ka blerë në dyqane të shtrenjta të Nju Jorkut dhe të tjerë njerëz kanë paguar”.

Vëzhguesit thonë se ligjet e Virxhinias për njoftimin e llogarive personale të zyrtarëve të zgjedhur nuk janë të forta dhe siç ka theksuar vetë guvernatori McDonnell, këto ligje mbulojnë vetëm atë dhe jo pjesëtarët e familjes.

“Dhuratat që më bëhen mua, unë i raportoj regullisht, por dhuratat që i bëhen pjesëtarëve të familjes time, në bazë të ligjeve të tanishme, nuk kërkohet që të raportohen”.

Guvernatori thotë se ka shlyer 125 mijë dollarë hua që i ka marrë zotit Williams dhe se vajza e tij ia ka kthyer zotit Williams çekun për shpenzimet e dasmës. Një pjesëtar tjetër i familjes McDonnell ka kthyer paratë e dhëna po nga zoti Williams. Vetë guvernatori tha gjithashtu se e ka kthyer edhe orën Rolex.

Ndërkohë njoftohet se qeveria federale ka filluar një hetim mbi guvernatorin McDonnell dhe Jonnie Williams për shkelje të mundshme, përfshirë shkëmbime të papërshtatshme favoresh. Guvernatori i mohon me forcë shkelje të tilla.

“As zoti Williams dhe as kompania Star Scientific apo ndonjë kompani tjetër nuk kanë marrë përfitime speciale nga shteti i Virxhinias”.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Riçmondit, Dan Palazolo thotë se vëzhguesit politikë janë në pritje të rezultatit të hetimeve federale dhe pikërisht nga ky rezultat varet edhe e ardhmja politike e guvernatorit të Virxhinias.

“Çështja më e rëndësishme është raporti i FBI-së dhe nëse do të ngrihet ndonjë akt-akuzë. Nëse kjo nuk ndodh, atëhere Bob McDonnell në një farë mënyre mbijeton. Nëse ngrihet padi, atëhere problemet vazhdojnë”.

Kongresi i shtetit të Virxhinias po përgatitet për inagurimin në janar të pasardhësit të guvernatorit McDonnell, demokratit Terry McAuliffe, i cili e ka bërë të qartë se do të kërkojë zbatimin e kontrolleve më të ashpra për dhuratat që i bëhen guvernatorit dhe familjes së tij.
XS
SM
MD
LG