Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 28 nëntor?


Gjergj Kastrioti
Gjergj Kastrioti
1443 - Skënderbeu dhe forcat e tij çlirojnë Krujën dhe ngrenë flamurin kuq e zi. Pasi kishte braktisur osmanët në betejën e Nishit (3 nëntor), Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve, u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve. Shembulli I tij nxiti thuajse të gjithë princat shqiptarë të ngriheshin kundër sundimit osman; në përpjekje për bashkim forcash, më 2 mars 1444, Skënderbeu i thirri ata në Lezhë për një kuvend ku pavarësisht nga grindjet mes tyre, themeluan një bashkim, i njohur në histori si Lidhja shqiptare e Lezhës. Fitorja e parë e Skënderbeut në krye të ushtrisë së Lidhjes ishte beteja e Torviollit më 1444, e cila shënoi fillimin e më shumë se 20 vjet luftë me perandorinë osmane. Forca e Skënderbeut arritën më shumë se 20 fitore në fushë-betejë dhe përballuan 3 rrethime të kështjellës së Krujës, që u udhëheqën nga vetë sulltanët. Në vitin 1451, Skënderbeu pranon de jure sovranitetin e Mbretërisë së Napolit, duke nënshkruar Traktatin e Gaetas, për të siguruar një aleancë mbrojtëse ndaj osmanëve, megjithëse de facto ai mbeti sundimtar i pavarur. Në vitin 1460-1461, Skënderbeu mori pjesë në luftërat civile të Italisë në përkrahje të Ferdinandit të Napolit. Më 1463, ai u caktua komandant i përgjithshëm i forcave të kryqëzatës së shpallur nga Papa Pius II, por Papa vdiq ndërsa trupat ishin ende në procesin e grumbullimit, kështu që sipërmarrja u ndërpre. Së bashku me venedikasit, Skënderbeu luftoi në Luftën osmane - veneciane (1463-1479), deri në vdekjen e tij më 17 janar 1468.

Histori e Shqipërisë
(Naim Frashëri, 1889)

Kruj', o qytet i bekuar!
Prite, prite Skënderbenë,
Po vjen si pëllump i shkruar,
Të shpëtonjë mëmëdhenë
Shqipëtarët t'i shpëtonjë
Nga xgjedh' e keq'e Tyrqisë,
Edhe ty të të nderonjë,
Që je krej'i Shqipërisë,
...
O Shqipërizë! gëzohu,
Se të erdhi prapë dita,
Lulëzohu, zbukurohu,
Të zbriti nga Zoti drita!



1520 - Pas lundrimit nëpërmjet një ngushtice në skajin më jugor të Amerikës së Jugut, tre anije nën komandën e portugezit Ferdinand Magellan arritën në Oqeanin Paqësor, duke u bërë evropianët e parë që kalojnë nga Oqeani Atlantik në Paqësor.

1582 - Në Stratford, Angli, William Shakespeare dhe Anne Hathaway paguajnë 40 stërlina për çertifikatën e martesës. Ata patën 3 fëmijë, vajza. Anne jetoi edhe 7 vjet pas vdekjes së Shekspirit më 1616 (52 vjeç). Rreth saj dihet fare pak, përtej disa referencave në dokumentet ligjore, që bëjnë fjalë për marrëdhëniet me Shekspirin.

1757 - Ne Londer, lindi William Blake - poet, piktor - pak i njohur sa ishte gjallë, sot i veçantë në historinë e poezisë dhe pikturës së periudhës romantike. Konsiderohej i çuditshëm për pikëpamjet eksentrike; nderues i Biblës, armiqësor ndaj Kishës; përkrahës i synimeve të revolucionit franceze; adhurues i revolucionit amerikan. Një nga pasionet e tij ishte ilustrimi i poemave të Dantes dhe Homerit. Por poema "Bijat e Albionit", që Blake shkroi, është mjaft e njohur. Titullin e poemës, ai e mori nga nje legjende britanike, sipas së cilës, bijat e perandorit romak Dioklecian, ishin dëbuar në ishujt britanikë pasi kishte komplotuar për të vrarë burrat e tyre. Një prej bijave të perandorit me prejardhje ilire, quhej Albynia, dhe ishulli ku ato u vendosën, i cili banohej nga gjigandët, me të cilët u bashkuan, u quajt Albion; ishulli më i herëshëm i banuar në Britani. Në poemën "Bijat e Albionit", William Blake shkruan rreth vizionit të tij për një Amerikë që ishte synimi i të gjithë atyre që donin lirinë: Emrat e personazheve ai i merr nga mitologjia;Theotormon nga "Theos" "Zot" + "tormentum" "tronditje"; dhe emri "Bromion" "bërtitës". Blake i bën bijat e Albionit të shohim drejt Perëndimit, në Amerikë, sepse ai besonte se Amerika një ditë do t'i jepte fund të gjitha formave të diskriminimit. Në të njëjtën kohë, Blake e pranon se edhe pse Amerika e ka çliruar veten nga sundimi britanik, ajo vazhdon të praktikojë skllavërinë. Në vizionin e Bijave të Albionit, Blake përdorur Alegorinë e Shpellës së Platonit; ato nuk mund të jenë në gjendje për të kuptuar natyrën e vërtetë të realitetit, në se pengohen nga konvencionalja, nga mendimi i ndrydhur a pamja e kufizuar.

"Robëruar, bijat e Albionit qajnë;
një vajtim dridhërues
Me malet e tyre, në luginat e tyre,
me psherëtima drejt Amerikës."


Blake renditet i 38-i mes 100 britanikëve më të mëdhenj, (sondazh nga BBC). Sipas biografëve, ditën e vdekjes, Blake ishte duke punuar në serinë mbi Danten. Papritur, i lodhur, ndaloi, ktheu vështrimin nga gruaja e tij, që po e ndiqte nga afër me lot në sy, i tha "mos lëviz", i bëri një portret, "ti ke qenë engjëll për mua" psheretiu, dhe mbylli sytë më 12 gusht 1827.



1912 - Shqipëria shpall pavarësinë nga Perandoria Osmane. Suksesi i kryengritjes shqiptare të atij viti, u pa si sinjal i fortë për vendet fqinje se Perandoria Osmane ishte e dobët. Mbretëria e Serbisë ishte kundër planit për një vilajet gjithë-shqiptar, duke preferuar një ndarje të territorit evropian të Perandorisë Osmane mes 4 vendeve ballkanike në aleancë, ndërsa territorret e pushtuara gjatë luftës së parë ballkanike të viheshin nën kontroll ndërkombëtar. Kjo ishte arsyeja që Ismail Qemali thirri në Vlorë Kuvendin mbarë shqiptar dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Pavarësia ishte më tepër fiktive për shkak se Vlora ishte qyteti i vetëm në të gjithë vendin që kontrollohej nga delegatët - por vendimi u provuar efektiv në mungesë të një pushteti. Edhe pse pavarësia e Shqipërisë u njoh de facto më 17 dhjetor 1912 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ajo nuk ishte e efektshme deri në 29 korrik 1913, me përfundimin e Luftës së Dytë Ballkanike, dhe me zgjidhjen e problemit delikat të Shkodrës, kur komuniteti ndërkombëtar ra dakord për të njohur Shqipërinë si shtet sovran.

1989 - Lufta e Ftohtë: Revolutioni Kadife - Përballë protestave, Partia Komuniste e Çekosllovakisë njofton se do të heqë dorë nga monopoli mbi pushtetin politik.

Mendim i ditës
"Nëse të gjithë mendojnë njësoj, atëherë dikush nuk është duke menduar."
George S. Patton
XS
SM
MD
LG