Lidhje

Histori: Çfare ka ndodhur më 13 dhjetor?


1294 - Papa Celestine V jep dorëheqjen pas 5 muajsh në krye të papatit, për t’u kthyer në jetën e tij të mëparshme si murg. Akti i tij u përsërit vetëm pas afër 720 vjetësh, kur Papa Benedikt XVI (Joseph Aloisius Ratzinger), i zgjedhur Papë më 2005, dha dorëheqjen pas 8 vjetësh në detyrë.

1577 - Admirali Francis Drake niset në lundrim nga Plymouth, Angli, rreth botës; udhëtimi i parë i tillë nga një britanik. Bëmat e tij janë legjendare; hero mes anglezëve; pirat për spanjollët që quanin “El Draque”.

Në atë kohë Spanja ishte fuqia më e madhe detare, dhe Britania i shmangej një lufte të hapur detare, prandaj detyra e Francis Drejkut ishte të endej në dete e oqeane dhe të sulmonte anijet spanjolle e t’i plaçkiste ato në formë piraterie. Mbreti spanjoll kishte ofruar një shpërblim prej 20 mijë dukatesh (sot 6.5 milion dollarë), për jetën e tij.

Por Drake, vdiq nga disantria. Dhe para se të vdiste, kërkoi të vishej me uniformë dhe të varrosej me thesarin dhe arsenalin e tij të plotë. Në një arkivol prej plumbi, trupi i tij u lëshua në oqean pranë brigjeve të Panamasë. Zhytësit, gjuajtës thesarësh, vazhdojnë edhe sot të kërkojnë për këtë arkivol.

Francis Drake, lidhet edhe me një tjetër ngjarje. Ai mbahet përgjegjës për një krijimin e një popullate ende pa identitet; është fjala një popullsi të veçantë etnike, e quajtur Melungeon, e cila jeton e përqëndruar kryesisht në vargmalet Apalash që shtrihen në një numër shtetesh në pjesën jugore të Shteteve te Bashkuara. Mbreti i rokenrollit Elvis Presley, aktorja e njohur Ava Gardner dhe presidenti i 16-të amerikan Abraham Linkoln, mendohet se kanë prejardhje nga kjo popullsi.

Në listat e regjistrimit, melungeonet nuk kualifikohen as si indianë, as zezakë dhe as të bardhë. Ndoshta është ky status i papërcaktuar etnik e racor, që i ka bërë ata të përfshihen në krizë identiteti , aq komplekse sa po të pyesësh 10 melungeonë mbi prejardhjen do të marësh 10 përgjigje të ndryshme; disa thonë se të paret e tyre kane qenë nga fisi i humbur i Izraelit; të tjerë thonë se kanë qenë turq, portugeze, ballkanas, të ardhur në Amerikë nga mesi i viteve 1500. Kur evropianët filluan kolonizimin e Amerikës në shekullin e 17, ata u befasuan, kur në brendësi të kontinentit hasën grupe njerëzish që jetonin në gjendje pothuajse primitive; ata kishin tipare evropiane, por me ngjyrë lëkure pak zeshkane.

Bazuar në shënimet e admiralit Drake, historianët thonë se në vitet 1500, flota e admiralit, duke lundruar në detin Mesdhe, u ndesh me një anije osmane, që britanikët menduan se ishte spanjolle dhe e sulmuan. Kur beteja përfundoi, në hambarin e anijes otomane, marinarët britanikë gjetën qindra robër, kryesisht nga vendet e Ballkanit. Francis Drake i mori ata në bordin e anijes së tij dhe në ndalesën më të parë, që rastisi në brigjet e Virxhinias (sot SHBA), i zbriti në tokën e re. Këta qindra ish-robër a skllevër (armenë, grekë, boshnjakë, kroatë, shqiptarë etj.) u bashkuan me banorët autoktonë indianë të Amerikës, duke formuar një popullsi të përzier (melungeon). Historiani Brent Kennedy, profesor pranë kolegjit të Virxhinias, në Wise, thote se tek melungeonët, tiparet evropiane janë të dallueshme.

Në librin e tij, "Melungeonët: rilindja e një populli krenar", Brent Kennedy thotë se lidhjet e tyre evropiane duken edhe në një numër fjalësh e toponimesh. Psh, është pranuar se vetë emri "melungeon" rrjedh nga frengjishtja "melange" - "përzier". Por, autori Kennedi mendon se melungeon rrjedh nga turqishtja "melunkam" – “mallkuar”. Por edhe “mall-kam”. Emrin e fisit indian Cheeroke nga fjala "shiroke" - e shprishur - Shirokë (fjalë mbarë-ballkanike) për erërat që sjellin a përhapin retë e shiut; Ashtu si fjala indiane “croatean” nga “kroat”; ndërsa “Alabama”, Brent Kennedy e shpjegon thjesht me osmanishten “Allah-Bama”, “Varrezë Zoti”. StudiuesI besojnë se fjala Alabama rrjedh nga gjuha e fisit indian Choctaw dhe merr kuptimin “barmbledhës” nga Choctaw "alba" "bar" ose “bimë” + amo "mbledh", si në mbledhjen bimëve mjekësore. Edhe banorët e kolonisë britanike Albany (shek. XVIII) shpesh quheshin ”albanians”.

1924 - Cena bej Kryeziu ndërmerr sulmin nga Prizreni nëpër malin Korab kundër forcave kryesore të qeverisë shqiptare të udhëhequra nga Bajram Curri. Vetë Zogu kishte kaluar kufirin nga Dibra në Peshkopi, me mbështetjen e forcave lumjane të Muharrem Bajraktarit. Kryeministri Fan Noli, ishte i pa përgatitur për një sulm kaq të gjerë, dhe ushtria e tij e pajisur keq nuk bëri ndonjë qendresë.
1981 - General Wojciech Jaruzelski shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Poloni për të parandaluar shkatërrimin e sistemit komunist i cili ndjehej i kërcënuar nga lëvizja punëtore Solidarnost.
2003 - Ish-presidenti irakian Saddam Hussein kapet në afërsi qytetin e tij të lindjes, Tikrit, i fshehur nën tokë. Ai u kallzua nga personi që e kishte fshehur.
Mendim i ditës
“Shpesh kemi humbur identitetin sepse jemi përpjekur të kënaqim a paqësojmë të tjerët”.
Mary Manin Morrissey
XS
SM
MD
LG