Lidhje

Reagon familja e amerikanit të zhdukur në Iran


Familja e një shtetasi amerikan i zhdukur në Iran më shumë se gjashtë vjet më parë komentoi për herë të parë pas njoftimeve të medias sipas të cilave ai kishte shkuar në Iran për të mbledhur informacion për CIA-n. Në media është thënë se zhdukja e Robert Levinsonit ishte pjesë e një historie që CIA ishte përpjekur ta fshihte.

Hera e fundit që dikush e pa Robert Levinson-in ishte në mars të vitit 2007, kur ai shkoi në ishullin Kish të Iranit - një vend me shumë turizëm dhe krim të organizuar.

Për vite me radhë, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se zoti Levinson - agjent i FBI-së në pension - kishte shkuar atje privatisht. Por njoftime nga Associated Press dhe Washington Post thonë tani se Levinson ishte pjesë e një operacioni të dështuar zbulimi dhe se familja e tij ishte paguar 2,5 milionë dollarë për të heshtur.

Familja e zotit Levinson reagoi me anë të një deklarate të publikuar dje në faqen e internetit HelpBobLevinson.com. Në të zoti Levinson cilësohet si një "njeri i guximshëm" që rrezikoi jetën e tij "në shërbim të qeverisë amerikane" dhe i bëhet thirrje SHBA-së të "ndërhyjë dhe të kujdeset për fatin e njeriut të saj". Por deklarata nuk flet drejtpërdrejtë për marrëdhënien e dyshuar me CIA-n.
Dje reagoi dhe Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësi Jay Carney:

"Ajo që mund t'ju them është se ai nuk ishte punonjës i qeverisë amerikane kur ndërmori atë udhëtim. Por nuk dua të hyj në hollësi."

Avokati iranian i familjes thotë se nëse Levinson po punonte për CIA-n, atëherë ai nuk është vënë në dijeni. Mohammad Hossein Aghasi, që tani jeton në SHBA, i tha shërbimit persian Zërit të Amerikës përmes Skype-it se gjatë komunikimeve të tij me qeverinë e Iranit, zyrtarët iranianë nuk e akuzuan asnjëherë zotin Levinson se ishte informator.

Por redaktori investigativ i Associated Press në Washington Ted Bridis thotë se zyrtarët amerikanë ishin të bindur që Irani e dinte.

"Nëse ai është mbajtur nga qeveria iraniane, duhet patur parasysh që ata janë akuzuar për disa teknika mjaft të rënda marrjeje në pyetje. A mund të kishte rezistuar ai për shtatë vjet? Me siguri do të mund të kishte rezistuar për shtatë orë. Por për shtatë vjet, ndoshta jo."

Vetëm pak muaj pas zhdukjes së zotit Levinson, bashkëshortja e tij Christine shkoi në Teheran, për t’iu lutur zyrtarëve për ndihmë.

"Ata më siguruan se do të më ndihmojnë të gjej burrin tim nëse është e mundur."
Por përveç fotove dhe videove

ku ai shfaqet në gjendje jo të mirë shëndetësore, nuk ka pasur zhvillime të tjera.
Për momentin, zyrtarët amerikanë po kritikojnë mediat për publikimin e akuzave të reja, duke thënë se ato nuk kontribuojnë aspak në kthimin e zotit Levinson në shtëpi. Ish-agjenti i CIA-s Robert Baer është dakord.

"Është diçka e keqe. Do t'i dëmtojë përpjekjet për kthimin e tij".

Ai i tha Zërit të Amerikës se në qoftë se zoti Levinson ishte pjesë e një operacioni të CIA-s, atëherë do të kishim të bënim me një operacion të organizuar keq dhe pasojat do të ishin të rënda.

"Më shqetëson fakti se kjo mund të kthehet në një çështje të rëndësishme në Kongres dhe se çdo përpjekje për pajtim me Iranin, çdo kundërshtim, do të mund të bazohej tek çështja Levinson."

Sa për vendndodhjen e tanishme të zotit Levinson, nëse ka njerëz që e dinë, ata persona po heshtin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG