Lidhje

Histori: Çfare ka ndodhur me 22 dhjetor?


Dreyfus Affair
Dreyfus Affair
1894 - Çështja Dreyfus fillon në Francë, kur oficeri Alfred Dreyfus dënohet gabimisht për tradhti. Çështja u shndërrua në skandal politik dhe shihet shpesh si symbol universal i padrejtësisë dhe nga shembujt më të çuditshëm të dështimit të drejtësisë, ku rol të madh luajti shtypi dhe opinioni publik. Çështja filloi me dënimin e kapitenit Alfred Dreyfus, oficer artilerie me prejardhje hebreje. I dënuar me burgim të përjetshëm nën akuzat se kishte dërguar dokumente sekrete france në ambasadën gjermane në Paris, Dreyfus u dërgua në koloninë burg në ishullin e Djallit në Guianën franceze. Dy vjet më vonë në 1896 dolën prova se dokumentat sekrete ua kishte dhënë gjermanëve një oficeri lartë i quajtur Ferdinand Walsin Esterhazy. Për të mos pranuar se kishin vepruar gabim dhe për të mbrojtur ushtarakun e lartë, zyrtarët manipulojnë faktet; madje sajojnë akuza të tjera kundër Dreyfusit. Kjo situatë solli në skenë shkrimtarë të njohur Emile Zola e Anatole Franse, të cilët botuan në gazetë shkrime e thirrje ku kërkohej rihapja e Çështjes Dreyfus. Letrat e tyre gjallëruan opinionin dhe tërhoqën aktivistë të tjerë. Në vitin 1899, Dreyfus u kthye në Francë për një tjetër gjyq. Përfundimisht të gjitha akuzat kundër tij u provuan të pabaza. Në 1906 Dreyfus shpallet i pafajshëm dhe kthehet si major në ushtrinë francize kur shërbeu gjatë gjithë Luftës së Parë Botërore dhe doli në pension me gradën e kolonelit. Historianët thonë se Çështja Dreyfus (1894-1906) zbuloi përçarje dhe prirje të kundërta të shoqërisë franceze; njerëzit kundër Dreyfusit ishin katolikë dhe pro-ushtrisë; njerëzit për Dreyfusin ishin pro-republikanë. Kjo ndarje acaroi politikën franceze, dhe lejoi ardhjen e radikalëve në pushtet.

1937 –Tuneli Lincoln hapet për trafikun në New York. Ky tunel 2 presje 4 km i gjatë nën lumin Hudson, lidh Weehawken, New Jersey dhe Midtown Manhattan, New York. Tuneli Lincoln është një nga dy tunelet e automobilave të ndërtuar nën lumë; tjetri është Tuneli Holland ku kalojnë rreth 108-mijë automjete në ditë.

1940 – Beteja e Himares: Pas dy javë luftime, forcat greke zmbrapsin trupat italiane dhe marrin kontrollin e Himarës. Diktatori Italian Benito Musolini e pranoi se një nga arsyet e humbjes italiane ishte morali i lartë i trupave greke. Kontrolli grek i Himarës zgjati deri në prill 1941, kur Gjermania naziste ndërhyri duke i ardhur në ndihmë trupave italiane.

1989 - Presidenti komunist i Rumanisë, Nikolae Çaushesku rrëzohet nga Ion Iliesku pas ditëve konfrontimesh të përgjakshme. Çaushesku dhe gruaja e tij, Elena, ikin nga Bukureshti me një helikopter ndërsa protestuesit shpërthejnë në brohoritje. Më pas çifiti Çaushesku ndalohen nga ushtria; ditën e Krishtlindjeve, gjykohen, dënohen me vdekje nga një gjykatë ushtarake nën akuza për gjenocid, dhe ekzekutohen. Lajmi mbi vrasjen e tyre shtoi shqetësimet mes udhëheqësve të mbetur komunistë në Evropën Lindore.

1989 - Porta e Brandenburgut në Berlin rihapet pas gati 30 vjetësh, duke i dhënë fund de-facto ndarjes së dy Gjermanive.

1992 - “Arkivat e Terrorit” zbulohen në një stacion policie në periferi të Asuncion, kryeqyteti i Paraguajit. Avokati i të drejtave të njeriut Dr Martín Almada, ishte në kërkim për fotografi të një ish-të burgosuri. Në vend të saj, ai gjeti dosjet ku përshkruheshin fatet e mijëra amerikano-latinëve që ishin rrëmbyer, torturuar dhe vrarë nga shërbimet e sigurimit të Argjentinës, Bolivisë, Brazilit, Kilit, Paraguajit, dhe Uruguajit, në kuadër të Operacionit Condor. "Arkivat e Terrorit" përmbajnë të dhëna rreth 50-mijë njerëzve të vrarë, 30-mijë të zhdukurve dhe 400-mijë të burgosurve. Në maj të vitit 2000, një mision i UNESCO-s vizitoi Asuncion pas një kërkese nga autoritetet e Paraguajit për përfshirjen e arkivave të terrorit në Kujtesën e Rregjistrit të Botës, pjesë e një programi që synon ruajtjen e trashëgimisë dokumentare të njerëzimit.

Mendim i ditës
“Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet.”
Friedrich Nietzsche
XS
SM
MD
LG