Lidhje

Babagjyshi i Krishtlindjeve për fëmijët që nuk dëgjojnë


Për shumë fëmijë në Amerikë, ulja në prehërin e Babagjyshit të Krishtlindjeve, Santa Claus, në një qendër dyqanesh dhe biseda me të se çfarë dhuratash duan për Krishtlindje është një moment shumë i gëzuar. Por fëmijët që nuk dëgjojnë, e kanë të vështirë të përjetojnë një moment të tillë të gëzuar, në qoftë se Santa nuk di gjuhën me shenja.

Takimi me burrin e madh me kostum të kuq është një moment magjik për shumë fëmijë gjatë sezonit të festave. Në fakt, shumë familje shkojnë në qendra tregtare, si Fair Oaks në periferi të Uashingtonit, gjatë sezonit të festave vetëm që fëmijët e tyre t’i thonë Babagjyshit Santa se çfarë duan për Krishtlindjet.

Ed Cassidy është zëdhënës i qendrës tregtare.

“Ai është një ikonë e madhe gjatë festave. Është thuajse një traditë që në qendra tregtare në gjithë vendin, por edhe në ngjarrje të veçanta, të ketë një Santa për t’u takuar”.

Dhe këtu, ky Babagjysh di gjuhën e shenjave, pra ai mund të komunikojë me fëmijët, që nuk mund të dëgjojnë. Santa, që di gjuhën e shenjave, erdhi për herë të parë në këtë qendër të shtetit Virginia vitin e kaluar.

“Ky Santa ishte shumë popullor në qendrën Fair Oaks dhe ne vendosëm ta sillnim përsëri këtë vit”.

Susi Brown erdhi këtu me vajzat e saj, Filomena dhe Felicity, e cila nuk dëgjon.

“Ajo nuk e kaloi analizën e dëgjimit në spital”.

Susi Brown, e cila ka filluar të mësojë gjuhën e shenjave, thotë se Santa, që di gjuhën e shenjave, u jep fëmijëve, që nuk dëgjojnë, të njëjtën mundësi, që fëmijët e tjerë kanë për të marrë pjesë dhe për të gëzuar sezonin e festave.

“Kur mësova se këtu kishin sjellë Santën, që di gjuhën me shenja, thashë se duhet të vinim këtu sepse është diçka shumë e veçantë për Felicity”.

Nicole Warman, nuk dëgjon, dhe ka ardhur këtu me dy djemtë e saj.

“Mësova rreth Santës në Facebook dhe u thashë të gjithë miqve të mi”.

Ajo thotë se i çoi fëmijët e saj të shikonin Babagjyshin e Krishtlindjeve, që di edhe gjuhën me shenja, për t’u treguar atyre se ata nuk janë e vetmja familje që komunikojnë me gishta.

Santa dhe ndihmësja e tij janë në fakt burrë e grua. Ata janë mësues, që punojnë me fëmijë, të cilët ose nuk dëgjojnë fare ose kanë vështirësi me të dëgjuarin.

SANTA: “Reagimi ka qenë me të vërtetë shumë më pozitiv këtë vit krahasuar me vitin e kaluar”.
ELF: “Gjëja që më pëlqen më shumë është se këta fëmijë mund të vijnë këtu dhe të komunikojnë direkt me Santën”.

Diçka që prindërit si Susi Brown do të donin të shikonin më shpesh.

“Ne kemi nevojë të qeshim më shumë dhe më shpesh”.

XS
SM
MD
LG