Lidhje

Shitjet gjatë sezonit të festave


Holiday SHopping

Holiday SHopping

Sipas kompanive që studiojnë sjelljen e konsumatorëve, më pak klientë shkuan në dyqane në fundjavën para Krishlindjeve. Firma analistike RetailNext thotë se numri i vizitave në dyqane ra nga pesë deri në shtatë përqind krahasuar me një vit më parë. Kjo mund të jetë shenjë e një viti të vështirë për shitësit me pakicë. Por disa thonë që sezoni i shitjeve ende nuk ka përfunduar.

Megjithë zbritjet e thella të çmimeve dhe oraret e zgjatura të dyqaneve, disa qendra tregëtare thanë se pati më pak konsumatorë dhe radhë më të shkurtra në ditët para Krishlindjeve.

Chris Christopher është drejtor i ekonomisë së konsumatorit në firmën IHS Global Insight.

“Ka disa faktorë. Njëri janë shitjet online. Megjithatë ky sezon festash ka një fundjavë më pak sesa viti i kaluar.”

Megjithatë, analisti thotë se ky sezon festash mund të jetë më i dobëti që nga viti 2009.

Por Federata Kombëtare e Shitjeve me Pakicë thotë se është shpejt për të nxjerr përfundime. Federata vazhdon ta mbajë parashikimin e saj me 3 presje 9 përqind rritje të shitjeve në krahasim me vitin e kaluar thotë zëdhënësja Kathy Grannis.

“Parashikimi ynë bazohet në pritshmërinë ekonomike. Në përgjithësi ne mendojmë se shitësit me pakicë janë në rrugën e duhur për një sezon fitimprurës.”

Federata llogarit se shitjet mes nëntorit dhe dhjetorit do të kalojnë shifrën 600 miliardë dollarë. Kjo përfshin një rritje 13 deri në 15 përqind të numrit të njerëzve që bënë pazar online këtë vit.

Të tjerë parashikojnë një shtim të shitjeve të minutes së fundit. Jason Schlefer është manaxher tek Best Buy.

“Kemi parë shtim të klientëve ditët e fundit. Natyrisht këta janë njerëzit që kanë urgjencë në blerjet që bëjnë.”

Sezoni i festave është kritik për shitësit duke përbërë gati 40 përqind të fitimeve vjetore. Pozita e shitësve është e rëndësishme thotë Kathy Grannis, pasi jep një pasqyrë të gjendjes ekonomike të vendit.

“Vetëm shpenzimet e konsumatorëve përbëjnë gati 70 përqind të GDP-së, dhe e dimë se 3.1 trilion dollarë që shohim nga shitjet është një nga komponentët më të mëdhenj të rritjes ekonomike.”

Ka më shumë se 3.6 milion dyqane në Shtetet e Bashkuara që punësojnë më shumë se 42 milionë amerikanë.
XS
SM
MD
LG