Lidhje

Histori: Çfare ka ndodhur me 26 dhjetor?


George Washington funeral
George Washington funeral
1799 - Katër mijë vetë përcjellin funeralin e Xhorxh Uashingtonit; "i pari në luftë, i pari në paqe, i pari në zemrat e amerikanëve", siç tha atë ditë ligjvënësi Henry Lee. Uashingtoni kishte vdekur më 14 dhjetor, në moshën 68 vjeçare. Si presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara (1789-1797), komandant i përgjithshëm i Ushtrisë kontinentale gjatë Luftës Revolucionare, dhe një nga themeluesit e Shteteve te Bashkuara, Uashingtoni cilësohej “ati i kombit” që kur ishte gjallë. Ai kryesoi Kuvendin që hartoi Kushtetutën; krijoi traditën e dorëzimit dhe kalimit paqësor të pushtetit; nuk pranoi për të shërbyer për një mandat të tretë si president; dhe ia dorëzoi detyrën nënpresidentit John Adams.
1811 - Një zjarr në një teatër në Richmond, shkakton vdekjen e guvernatorit George William Smith dhe të presidentit të Bankës së Parë Kombëtare të Virxhinias, Abrahamit B. Venable, të cilët ndodheshin në teatër për të parë një shfaqje.
1846 - Një grup njerëzish që ishin nisur drejt perëndimit amerikan, të bllokuar për disa javë nga dëbora në rajonin malor të Sierra Nevadës, mbetën pa ushqim, dhe kthehen në kanibalizëm. Ata ishte një grup emigrantësh që po udhëtonin në karvan drejt Kalifornisë. Ngjarja ka hyrë në histori si Donner Party (Donner është emri i liqenit pranë vendit ku ndodhi ngjarja). Nga 87 anëtarët e karvanit, vetëm 48 mbijetuan. Historianët e kanë përshkruar këtë ngjarje si një nga tragjeditë më të tmerrshme në historinë e Kalifornisë dhe të emigrimit drejt perëndimit amerikan.
1941 - I liruar nga internimi në Francë, me ndihmën e Konsullit amerikan, Kosta Cekrezi kthehet në Boston, ku themelon organizatën Shqipëria e Lirë, e përbërë nga elementë demokratë liberalë, që kishin si qëllim ndalimin e kthimit të Zogut në Shqipëri, pas luftës. Çekrezi u zgjodh kryetar i komitetit të organizatës Shqipëria e Lirë; ndërsa nën kryetar, përfaqësuesi i saj në Londër, Tajar Zavalani. Organizata Shqipëria e Lire kishte edhe gazetën e saj të përjavëshme, Liria, e cila vazhdoi të botohej deri në fund të viteve 1980.
1982 – Për herë të parë, Njeriu i Vitit në revistën amerikane TIME ishte jo-njeri. Ky titull nderi iu dha Kompjuterit "për ndikimin e madh për mirë a keq në jetën njerëzore."
1985 – Natyralistja amerikane Dian Fossey (53 vjeçe) gjendet e vdekur në Ruandë. Autorët dhe motivet e vrasjes nuk dihen. Dian njihet për punën e saj studimore mes gorillave në zonat malore të Afrikës qendrore, për të kuptuar sjelljet e tyre. Fossey i filloi studimet në terren në vitin 1966 në Kongo, nga ku detyrohet të largohet gjatë një kryengritjeje ushtarake, duke u zhvendosur në Ruandë. Gjatë vëzhgimeve nga afër për shumë vite të zakoneve të gorrillave, Dian Fossey fitoi gradualisht besimin e tyre. E shqetësuar ndaj kërcënimit që gorrillat ndjeheshin si pasojë e gjuetisë dhe kontrabandës së kafshëve, më 1983, Dian Fossey shkroi librin “Gorillas in the Mist”, në të cilin bazohet edhe filmi me të njëjtin titull, ku aktorja Sigourney Weaver luan rolin e Dian Fossit.

Mendim i ditës
“Sa më shumë mëson për dinjitetin e gorrillave, aq më shumë dëshiron t’u shmangesh njerëzve.”
Dian Fossey
XS
SM
MD
LG