Lidhje

I ftohti polar përfshin pjesë të mëdha të SHBA


Të ftohtit polar ka përfshirë pjesët qendrore të SHBA dhe temperaturat e ulëta u zhvendosën edhe në shtetet lindore e jugore të vendit. Të ftohtit ka detyruar shumë njerëz në këto rajone të mbyllen nëpër shtëpi, ndërkohë që mijëra fluturime janë anuluar. Në Uashington, Nju Jork, Filadelfia dhe Boston, temperaturat sot e kalonin mjaft nivelin nën 10 gradë celsius.

Uashingtoni, bashkë me zonat e tjera lindore të vendit u prekën nga ajri polar, me temperatura të papara prej shumë vitesh.

Nëpër rrugë, njerëzit i sheh të mbështjellë më mirë se zakonisht për të mbrojtur lëkurën nga ekspozimi ndaj të ftohtit e ashpër.

Në disa shtete si në Mizuri, të ftohtit polar erdhi pas një stuhie të madhe bore. Në rajonin e Saint Louisit trashësia e borës arriti në mbi 27 centimetra. Kushtet e rrugëve në Mizuri janë përmirësuar që nga e diela, por udhëtimi në to ende është i rrezikshëm.

Në shumë pjesë të SHBA, të ftohtë i tillë nuk është parë prej pothuajse dy dekadash. Edhe në Çikago, ku banorët janë mësuar me temperatura të ulëta, erërat e ftohta janë të papërballueshme për njerëzit.

Autoritetet e transportit po shpërndajnë karta falas për të pastrehët, që ata të mund të qëndrojnë nëpër autobusa dhe trena për t'u mbrojtur nga të ftohtët.

"Jam në merak se do të ketë njerëz që do të vdesin nga të ftohtët," thotë Ed Shurna, Drejtor i Koalicionit për të pastrehët në Çikago.

Mbrëmë gjatë natës, temperaturat në Çikago arrinin deri në -23 gradë celsius.
Dje pasdite, më shumë se 3,700 fluturime ishin anuluar, pas çrregullimeve të shumta të itinerareve ajrore gjatë fundjavës. Zyrtarët e linjave ajrore thanë se edhe lëngjet që ata përdorin për shkrirjen e akullit në pistë kishin ngrirë, mbushja e avionëve me karburant ngadalësohej nga të ftohtët dhe punëtorët në pistë kishin vështirësi në ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve.

Rina Fujiwara, turiste japoneze, e bllokuar në stacionin e trenit të Çikagos, thotë se nuk ka provuar kurrë një të ftohtë të tillë.

"Duart i kisha aq të ftohta, po ashtu edhe këmbët, saqë nisa të qaja dhe nuk dija ç'të bëja," thotë Fujiwara.

Në Miçigan, shumica e njerëzve nuk dalin nga shtëpia sepse udhëtimi me makinë në shumë raste është i pamundur.

Mijëra shkolla në pjesën lindore dhe jugore të vendit janë mbyllur tani që ajri i ftohtë është zhvendosur në këto shtete.

Të ftohtët ka arritur deri në Florida dhe Teksasin jugor, që zakonisht kanë mot të ngrohtë edhe në dimër.

Temperaturat do të fillojnë të ngrihen gjatë javës.
XS
SM
MD
LG