Lidhje

Histori: Cfarë ka ndodhur më 8 janar?

  • Astrit Lulushi

Galileo

Galileo

1642 - Vdiq Galileo Galilei, fizikant italian, matematikan, astronom, filozof, i cili luajti rol të madh në Revolucionin Shkencor. Arritjet e tij përfshijnë përmirësime të teleskopit dhe vëzhgimet astronomike. Galileo (l. 1564) është quajtur ati i astronomisë, fizikës dhe shkencës moderne. “Megjithatë, ajo lëviz” (Eppur si muove), është një frazë që mendohet se Galileo e tha para inkuizicionit në 1633, pasi u detyrua të mohonte se toka lëviz rreth diellit.
1835 - Borxhi kombëtar i Shteteve te Bashkuara ishte zero. Sot borxhi kombëtar është rreth 16 trilionë dollarë.
1918 - Në një fjalim përpara dy dhomave të Kongresit, presidenti amerikan Woodrow Wilson foli mbi synimet e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore dhe paraqiti "14 Pikat" për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Evropë. Propozimi bënte thirrje për: kushte bujare të paqes nga aleatët fitimtarë, rikthimin e territoreve të pushtuara gjatë luftës, të drejtën për vetëvendosje të kombeve, dhe krijimin e një organizate botërore për zgjidhjen e konflikteve të ardhshëm. Fjalimi i Wilsonit u përkthye dhe iu shpërnda ushtarëve dhe qytetarëve të Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë dhe, thonë historianët, kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme për arritjen e një armëpushim në nëntor të vitit 1918. Pas përfundimit të luftës, Wilson shkoi në Francë, si kryetar i delegacionit amerikan në Konferencën e Versajës, ku u përpoq për një paqe të drejtë, edhe pse aleatët e tjerë i kishin kundërshtuar shume prej 14 pikave të tij. Përfundimisht, marrëveshja e paqes u nënshkrua dhe Gjermania, humbëse e luftës, u rëndua me pagesa të larta dëmshpërblimesh. Këto dhe kushte të tjera do të kontribuonin në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dy dekada më vonë. Megjithatë, idetë Wilson mbi të drejtën e kombeve të vegjël për vetëvendosje (Shqipëria) dhe për krijimin e një organi botëror të pasluftës (Lidhja e Kombeve) u mishëruan në traktat. Për këto përpjekje, në vitin 1920, Woodrow Wilson u nderua me Çmimin Nobel të Paqes.
1925 – Kryetari i Vatrës, Faik Konica, duke shkruar në gazetën Dielli shpreh qëndrimin e tij rreth qeverisë së re të Ahmet Zogut. “Çfarë duhet të bëjmë? Ne mund të bëjmë njërën prej të dyjave; të ruajmë paqen që kemi; ose të mbështesim qeverinë e re, jo për programin e saj, por pë të vendosur rendin dhe qetësinë. Ata që thonë se Zogu është tradhtar, duhet të shohin për rreth dhe do të zbulojnë se shumica e shqiptarëve mund të jenë cilësuar tradhtarë në një kohë a një tjetër. Unë paraqes këto teza: një njeri që ka mbështetjen e shumicës së popullit ka të drejtë t’a qeverisë atë popull. Shqiptarët nuk duan reforma dhe as reformatorë, ata nuk duan gjëra të reja dhe as njerëz që përpiqen t’I sjellin ato.”
1935 - Në Tupelo, Misisipi, lindi Elvis Presley, këngëtar, kitarist, dhe aktor. Vëllai i tij binjak, vdiq gjatë lindjes, duke e lënë Elvisin fëmijë të vetëm. Në vitin 1954, Elvis, 19 vjeç, filloi karrierën si këngëtar. Në fund të vitit 1955, ai ishte bërë i famshëm në mbarë botën. Elvis luajti në 33 filma të suksesshëm. Globalisht, ai ka shitur mbi një miliardë disqe muzikore, më shumë se çdo artist tjetër. Elvis Presley vdiq në shtëpinë e tij në Graceland, Memphis, më 16 gusht 1977.
1963 - Mona Lisa e Leonardo da Vinçit ekspozohet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Uashington , DC. Mbi 2 mijë personalitete, duke përfshirë presidentin John F. Kennedy, shkuan atë mbrëmje për të parë pikturën e famshme. Ditën tjetër, ekspozita u hap për publikun, dhe gjatë tre javëve të ardhshme rreth 500 mijë njerëz erdhën për të parë atë. PastaJ, Mona Lisa u ekspozua Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork, ku u pa një milionë njerëz të tjerë. Leonardo da Vinci, një nga piktorët më të mëdhenj të Rilindjes italiane, e kishte realizuar pikturën në vitin 1504. Mona Lisa është portret i gruas së fiorentinasit të pasur Francesco del Gioconda. E njohur edhe si La Gioconda, piktura tregon një grua, portret, me një shprehje enigmatike të fytyrës që është edhe e ftohtë edhe tërheqëse. Zonja e Parë Jacqueline Kennedy dhe ministri francez i kulturës, Andre Malraux, me ndërhyrjen e tyre pranë zyrtarëve të Muzeut të Luvrit në Paris, bënë që Mona Lisa të vinte në Shtetet e Bashkuara për t'u ekspozuar përkohësisht.
Mendim i ditës
“Arti kurrë nuk përfundon, vetëm braktiset."
Leonardo da Vinci
XS
SM
MD
LG