Lidhje

10 vjetori i misionit të Nasës në Mars


Agjencia amerikane e hapësirës NASA po feston 10 vjetorin e Misionit Rover të Eksplorimit të Marsit, i cili filloi me arritjen e sondave robotike Spirit dhe Opportunity në Planetin e Kuq në vitin 2004. Në ceremoninë e përvjetorit zhvilluar në Muzeun Kombëtar të Hapësirës në Washington, një panel me shkencëtarë të Nasës diskutuan arritjet e sondave që janë ulur në Mars deri tani dhe rreth planeve për të ardhmen.

Një sondë me madhësinë e një makine golfi u ul në Mars më 4 janar të vitit 2004, ndërsa binjakja e saj Opportunity preku planetin tre javë më vonë në anën tjetër të tij.

Të hartuara për të vepruar vetëm 90 ditë në Mars, të dy sondat robotike funksionuan shumë më gjatë, duke u dhënë shkencëtarëve të misionit sasi të mëdha informacioni thotë gjeologu John Grant.

“Zbuluam hartën gjeologjike të Marsit. Robotët lëvizën në sipërfaqe, studiuan shkëmbinjtë, dhanë informacione për ambjentin atje në të kaluarën dhe më specifikisht – cili ka qënë roli i ujit në atë mjedis.”


NASA humbi komunikimin me robotin Spirit në mars të vitit 2010. Por Opportunity vazhdon të jetë aktiv, duke dërguar informacione shkencore pasi ka udhëtuar më shumë se 38 kilometra në sipërfaqjen marsiane. Zbulimi më i rëndësishëm ishte prova se Marsi ka patur dikur ujë thotë Steve Squyres, një nga drejtuesit e misionit.

“Nuk e prisja që prova për praninë e ujit nën dhe në sipërfaqjen e Marsit do të ishte aq bindëse.”

David Lavery me Programin Eksplorues të Marsit në NASA thotë se teknologjitë e zhvilluara për sondat e Marsit po hyjnë tani në jetën e përditshme këtu në tokë.

“Tani të gjithë besoj kemi dëgjuar për makinat pa shofer të Google që po mendohet të qarkullojnë në autostrada. Teknologjia e përdorur në to, në fakt disa nga njerëzit që zhvilluan atë teknologji e kanë origjinën në zhvillimin e teknologjisë së përdorur në sondat për eksplorimin e Marsit.”

Në gusht të vitit 2012, NASA uli sondën Curiosity në Mars. Me madhësinë e një makine të vogël, sonda furnizohet jo me bateri por me një reaktor të vogël bërthamor, që pritet ta lejojë atë të funksionojë për vite të tëra. Curiosity do të bashkohet me një sondë tjetër në vitin 2020, ndërsa agjencia amerikane e hapësirës hedh vështrimin drejt së ardhmes ku një ditë njeriu të arrijë të shkojë në Planetin e Kuq.
XS
SM
MD
LG