Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 12 janar?

  • Astrit Lulushi

Santa Clara

Santa Clara

1777 – Në Kaliforni, themelohet Misioni Santa Clara de Asis në atë që është tani Santa Klara, qytet në qendër të Luginës Silicon, ku kanë selitë disa prej kompanive të teknologjisë së lartë. Ndërsa Universiteti Santa Clara, është institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në shtetin e Kalifornisë.
1816 – Familja Bonoparte përjashtohet përgjithmonë nga Franca. Por vetëm me dekret, sepse Bonopartët do të luanin rol në politikën franceze dhe evropiane thuasje deri në fund të shekullit XIX. Napoleoni është emri më i shquar i familjes Bonaparte; ai u zgjodh Konsull i Parë i Francës më 1799; u kurorëzua Perandor i Frances, pushtoi pjesën më të madhe të botës perëndimore; bie rob i anglezëve, burgoset fillimisht në ishullin e Elbës, nga ky arratiset, kthehet në Francë, kapet përsëri dhe dërgohet në ishullin e Shën Helenës, ku vdiq (disa thonë u helmua), më 1821. Pas pushtimit të pjeses më të madhe të Evropës Perëndimore, Napoleoni shpalli vëllanë e madh, Jozef, mbret të Napolit dhe më pas të Spanjës; vëllanë e tretë, Louis e bëri mbret të Holandës, dhe vëllanë më të ri, Jerome, mbret të Vestfalisë. Djali Napoleonit, Napoleon François Charles Joseph, krijoi Mbretërinë e Romes dhe u vetëquajt Napoleoni II. Louis - Napoleon, bir i Louisit të Holandës, ishte president i Francës në 1848-1852 dhe perandor në 1852 -1870; djali i Louisit, princi Napoleon vdiq më 1879, duke luftuar me Zulutë në Natal, në Afrikën e Jugut. Me vdekjen e tij, familja humbi të fundmin e Bonopartëve, edhe pse të tjerë vazhdojnë të pohojnë të drejtën e tyre për titullin perandorak. Një lëvizje politike për pavarësinë Korsikane, e shfaqur në vitet 1990, kishte në programin e saj politik edhe restaurimin e Bonapartëve.
1848 – Shpërthen kryengritja e Palermos kundër mbreterisë Bourbone të Dy Sicilive. Fara e kryengritjes ishte mbjellë para Kongresit të Vjenës, në 1812, gjatë periudhës së Napoleonit kur dinastia Bourbone iku nga Napoli dhe ngriti oborrin mbretëror në Palermo me ndihmën e marinës angleze.
1958 - Në Londër, lindi Kristian Amanpour, gazetare, korrespondente e rrjetit CNN dhe ABC - i ati mysliman iranian, e ëma e krishtere nga Anglia. Fëmijërinë e kaloi në Teheran. Pas përfundimit të arsimit fillor në Iran, kur ishte 11 vjeç, Amanpour dërgohet nga prindërit për shkollim në Chelmsford, Essex, Angli. Familja e saj u kthye në Angli jo shumë kohë pas fillimit të Revolucionit Islamik. Amanpour gjithmonë ka theksuar se prindërit nuk kishin qenë të detyruar për të lënë vendin, por u kthyen në Angli kur Iraku sulmoi Iranin dhe mbetën përfundimisht në Angli. Amanpour është e martuar me James Rubin, ish-Ndihmës Sekretar amerikan i Shtetit dhe zëdhënës i Departamentit të Shtetit në administratën e presidentit Klinton gjatë luftës në Kosovë. Gjatë luftës në ish Jugosllavi, Kristian Amanpour u kritikua për raportime të një anëshme ose mungesë neutraliteti. Dhe ajo iu përgjigj kritikave duke thënë: “Disa njerëz më kanë akuzuar për qëndrim pro-musliman në Bosnje, por në rastet e gjenocidit ju nuk mund të jeni neutral. Ju nuk mund të thoni thjesht se ‘ky fëmijë në Sarajevë u qëllua në kokë sepse vrasësi ishte i mërzitur për shkak se ishte grindur me gruan e tij’; në raste gjenocidi nuk ka barazi apo neutralitet; e vërteta duhet treguar.”
1964 - Në Nju Meksiko, lindi Jeffrey Preston Jorgensen, i njohur sot si, Jeff Bezos; sipërmarrës dhe investitor me rol kyç në e-tregti. Ai themeloi Amazon.com, fillimisht për shitje librash; më vonë për shumëllojshmëri mallrash, duke u bërë dyqani më i madh në World Wide Web (www), dhe model i shitjeve në internet. Jeff Bezos bëri bujë më 2013, kur bleu gazetën Washington Post për 250 milionë dollarë. Por historia e tij bëhet edhe më interesante. Jeff lindi në Albuquerque, Nju Meksiko nga prindër adoleshent, Jacklyn Gise dhe Ted Jorgensen, kur të dy ishin ende 17, 18 vjeçarë. Ata u martuan dhe pas dy vjetësh u ndanë. Kaluan edhe dy vjet të tjera dhe Jacklyn u martua me një emigrant politik kuban, Mike Bezos, dhe Jeff mori mbiemrin e njerkut, Bezos. Lidhjet me të atin biologjik u ndërprenë. Në vitin 2010, gazetari Brad Stone, i revistës Businessweek ne San Francisko vendosi të shkruajë një libër mbi jetën dhe karrierën e Jeff Bezos. Brad filloi kërkimet për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me Ted Jorgensenin, prindi biologjik i Jeffit, ku ndodhej ai? Përfundisht, gazetari e gjeti Tedin në Glendale, një qytezë e largët në shtetin Arizona, ku ai kishte një dyqan biçiketash. Gazetari shkoi nga Kalifornia për t'a intervistuar dhe pyetja e parë që i bëri ishte – A keni fëmijë? - Tedi i tha - Jo, kam pasur një djalë, por ka vdekur kur ishte i vogël. Gjatë viteve të ndarjes, Ted Jorgensen ishte interesuar për të birin, por emri Jeff Jorgensen nuk figuronte në asnjë vend. Dhe imagjinoni se çfarë ndjeu kur mësoi se Jeff Bezos, një nga miliarderët më të mëdhenj të Amerikës, ishte djali i tij. Libri "The Everything Store: Jeff Bezos and the Age of Amazon" i autorit Brad Stone doli nga shtypi në tetor 2013. Disa të dhëna në libër janë kontestuar a kundërshtuar nga Jeff Bezos; megjithatë libri është në shitje në dyqanin internetik; amazon.com, drejtor ekzekutiv i të cilit është Jeff Bezos.
1966 - Lyndon B. Johnson thotë se Shteteve të Bashkuara u duhet të qëndrojnë në Vietnamin e jugut deri sa agresioni komunist të marrë fund.
1967 - Doktor James Bedford bëhet personi i parë që ruhet kryonikalisht (në gjendje të ngrirë) me qëllim të ringjalljes në të ardhmen. Bedford ishte professor i psikologjisë në Universitetin e Kalifornise dhe autor i disa librave në fushën e tij. Pak orë pas vdekjes nga kanceri (73 vjeç), trupi i Bedfordit u vendos në temperaturë të caktuar nën-zero gradë Celsius. Me testament, ai kishte lënë edhe 100 mijë dollarë që të përdoreshin për mirëmbajtjen e trupit në gjendje të grirë. Që nga ajo kohë, 12 janari festohet si Dita e Bedfordit nga ata që besojnë në këtë mënyrë ruajtje për t’u kthyer në jetë kur mjekësia të jetë në gjendje të shërojë çdo sëmundje.
1971 – Shtatëshja e Harrisburgut: I përndershmi Filipi Berrigan dhe 6 të tjerë akuzohen për komplot për të rrëmbyer Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Henry Kissinger dhe për të hedhur në erë sistemet e ngrohjes së ndërtesave federale në Uashington, DC. Ata ishin një grup aktivistësh fetarë kundër luftës së Vietnamit. Grupi u bë i famshëm kur prokururori nuk arriti të paraqesë argumenta të mjaftueshme dhe të pandehurit u liruan nga akuzat.
1990 - Rumania nxjerr jashtë ligjit Partinë Komuniste, pasi kishte ekzekutuar kryetarin e saj, Çaushesku.
1998 - Nëntëmbëdhjetë vendet evropiane bien dakord që të ndalojnë klonimin njerëzor. Gjithashtu, shumë vende të tjera kanë ligje kundër klonimit njerëzor. Por, teknologjia e klonimit të gjitarëve, edhe pse larg nga persosja, ka arritur pikën ku shumë shkencëtarë tashmë kanë njohuri, literatura është në dispozicion, dhe zbatimi i teknologjisë se klonimit nuk është shumë i shtrenjtë në krahasim me shumë procese të tjera shkencore. Për këtë arsye, Lewis D. Eigen argumenton në scriptamus.wordpress.com, se përpjekjet e klonimit të njeriut do të fillojnë në vitet e ardhshme, në mos edhe mund të kenë filluar.
2010 – Tërmeti në Haiti shkakton vrasjen e 316-mijë njerëzve dhe shkatërrimin e pjesës më të madhe të kryeqytetit Port - au- Prince.
Mendim i ditës
“Nëse nuk mund ta shpjegosh thjesht, nuk e ke kuptuar mjaft mirë.”
Albert Einstein
XS
SM
MD
LG