Lidhje

Energjia, task force kundër vjedhjeve


Qeveria kërkon ndërhyrje të fortë për përmirësimin e situatës së rënduar. 45 përqind e energjisë humbet nga difektet dhe vjedhjet, 25 përqind nuk paguhet

Në Shqipëri qeveria vendosi sot ngritjen e një task force për përmirësimin e situatës së rënduar të sistemit energjitik për shkak të nivelit të lartë të vjedhjeve dhe mosarkëtimeve. Kryeministri Edi Rama foli për një situatë emergjente që mund të kthehet sipas tij në një fatkeqësi kombëtare nëse nuk parandalohet. Në përbërje të Task Forcës do të jenë edhe institucione si policia dhe prokuroria, ndërkohë që njësi të posacme të saj do të shtrihen në të gjithë vendin dhe do të veprojnë të paktën deri në fund të këtij viti.
Task Force per situaten energjitike
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:04 0:00

Të dhënat e situatës energjitike, vecanërisht ato të sistemit të shpërndarjes janë gati dramatike. 45 përqind e energjisë që hyn në rrjet humbet, një pjesë për shkak të gjendjes së rrjetit, ndërsa pjesa më e madhe, 30 përqind për shkak të vjedhjeve. Por edhe ajo energji që mbërrin te përdoruesit, nuk paguhet e gjitha, por vetëm 75 përqind e saj.

Pikërisht për të ndryshuar këtë situatë qeveria vendosi sot krijimin e një Task Force e cila sic shpjegoi kryeministri Edi Rama ka detyrimin “që të vendosë të gjithë strukturat e shtetit në shërbim të një misioni shumë të qartë: Kthimin e grafikut të frenimit të humbjeve dhe të vjedhjes, në një grafik në rënie të vazhdueshme dhe nga ana tjetër transformimin e kësaj situatë krize të thellë në një situatë normale”.

Problemet e vjedhjes së energjisë apo mos pagimit të saj janë të trashëguara që prej shumë vitesh. Privatizimi i sistemit të shpërndarjes në 2008 dhe kalimi te kompania ceke CEZ synonte zgjidhjen e gjendjes, por ky operacion rezultoi në një dështim, dhe parametrat u përkeqësuan. “Historia që kush paguan, kush është i rregullt, duhet të paguajë gjithmonë e më shumë dhe kush nuk paguan, mund të vjedhë gjithmonë e më shumë, duhet dhe do të marrë fund”, deklaroi zoti Rama.

Nuk janë vetëm qytetarët që nuk paguajnë, por edhe institucionet dhe biznesi. 91 përqind e familjarëve rezultojnë debitorë, e po kështu edhe 88 përqind e ndërmarrjeve private. Kryeministri Rama foli për një ndërhyrje të domosdoshme “në një fushë jetike për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit, që sot është një fushë e minuar dhe nesër kërcënon të kthehet në fushën e një fatkeqësie kombëtare, në rast se ne sot nuk bëjmë atë që na takon për ta parandaluar njëherë e përgjithmonë një fatkeqësi të kësaj natyre”.

Ndërhyrjet e Task Forcës do të përqëndrohen fillimisht të institucionet shtetërore dhe bizneset që nuk paguajnë. Kyeministri Rama e quajti të pafalshme që t’u kërkohet qytetarëve, vecanerisht atyre që janë në situatë të vështirë ekonomike të paguajnë energjinë, kur vetë shteti deri më tani nuk e ka paguar, tha ai.

E gjithë kjo situatë në sistemin energjitik ka një kosto që shkon nga 100 deri 140 milion euro, tha ministri i Energjitikes Damian Gjiknuri, sipas të cilit krijimi i Task Forcës ka rëndësi edhe për momentin aktual: “Fatkeqësisht Shqipëria ka hyrë në një vit të thatë. Reshjet kanë qenë 30% e mesatares së viteve të kaluara, që do të thotë që ne duhet të jemi shumë më eficient me konsumin e energjisë. Njëkohësisht, duhet të bëjmë çmos që ne të parandalojmë dhe të luftojmë çdo lloj abuzimi me vjedhjen e energjisë. Prandaj, kjo punë duhet të fillojë sa më shpejt”.

Task forca do të drejtohet nga zëvendës kryeministri Niko Peleshi dhe do të ketë njësi në të gjithë rrethet e vendit të drejtuara nga prefektët. Cdo muaj do të bëhet analiza e rezultateve. Të përfshira do të jenë edhe policia e prokuroria, ndërsa është kërkuar angazhimi i sistemit gjyqësor për ndëshkimin e abuzuesve.
XS
SM
MD
LG