Lidhje

Përpjekjet për ratifikimin e traktatit për PAK


Edhe pse ndoshta mund të mos jetë duke tërhequr vëmendje aq sa çështje të tjera të politikës së jashtme, administrata e presidentit Barak Obama po u kërkon ligjvënësve të ratifikojë një traktat që synon përmirësimin e trajtimit të njerëzve me aftësi të kufizuara në mbarë botën. Por pas dy vjetësh, Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara ende nuk ka hyrë në fuqi në SHBA. Materiali në vazhdim tregon mbi përpjekjet për ratifikim e saj.

George Akhmeteli po mësohet me lëvizjen në rrugët e qytetit të Nju Jorkut me karrigen e tij me rrota, megjithë vështirësitë që përball.

Por aktivisti 32-vjeçar thotë se kjo nuk është asgjë në krahasim me qytetin e tij Tbilisi, në Gjeorgji.

"Mund të rrini atje një muaj, ndoshta një vit, por kurrë nuk do shihni një person me aftësi të kufizuara jashtë, nëpër rrugë. Nuk ka transport publik. Nuk ka trotuarë të përshtatur, asnjë qasja në rrugë. Dhe njerëzit mendojnë me shumë stereotipe në mendje."

Kjo është dhe arsyeja pse zoti Akhmeteli është një nga aktivistët e shumtë që i janë bashkuar sekretarit amerikan të shtetit John Kerry duke i bërë thirrje Senatit të ratifikojë Konventën e OKB-së mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila synon të ndihmojë në sigurimin e së drejtës së këtyre personave për arsim, kujdes shëndetësor dhe punësim.

"Ratifikimi i Traktatit do të avancojë vlerat themelore amerikane. Do të zgjerojë mundësitë për qytetarët tanë dhe për bizneset, dhe kjo do të forcojë rolin udhëheqës të SHBA-së."

Por traktati ka hasur në disa kundërshtime bllokuese. Senatori republikan Bob Corker argumenton se ai "mund të minojë" Kushtetutën amerikane duke lejuar zyrtarët e OKB-së të detyrojnë SHBA-në të ndryshojë ligjet e veta.
Kritikë të tjerë argumentojnë se këto lloje traktatesh thjesht nuk funksionojnë. Ted Bromund i Fondacionit Heritage:

"Këto traktate kanë tendencë të mbrojnë njerëzit që nuk përmbushin angazhimet e tyre."

Deri tani, konventa është nënshkruar nga më shumë se 150 vende, por edhe në ato shtete problemet vazhdojnë. Për shembull, sipas një raporti të fundit të organizatës Human Rights Watch për Rusinë, miliona njerëz me aftësi të kufizuara ende përballen me probleme serioze, si pamundësia e të lëvizurit lehtësisht me karrige me rrota.
Këshilltarja e posaçme e Departamentit të Shtetit Judith Heumann thotë se kjo gjendje mund të ndryshojë me ratifikimin e traktatit nga SHBA-ja.

"Ne duhet të luajmë një rol të rëndësishëm dhe mosratifikimi i traktatit nga ana jonë bën që vendet e tjera dhe shoqëria civile të mund të dyshojnë tek sinqeriteti ynë."

Mbështetësit theksojnë gjithashtu se një pjesë e madhe e Traktatit të OKB-së bazohet tek akti i Amerikanëve me Aftësi të Kufizuara, i nënshkruar në ligj më shumë se 20 vjet më parë.

Traktati ndërkombëtar nuk arriti të ratifikohej për mungesë të vetëm pesë votave në vitin 2012 dhe për momentin nuk dihet nëse ligjvënësit amerikanë do të veprojnë apo se kur mund të veprojnë.
Megjithatë, George Akhmeteli nuk dorëzohet.

"Kjo është diçka e mirë. Çdo gjë duhet të jetë kështu."

Sa i përket traktatit të OKB-së, ai thotë se do të vazhdojë luftën për sa kohë të jetë e nevojshme.
XS
SM
MD
LG