Lidhje

FIFA lejon Kosovën të luaj ndeshje miqësore


Kosova e mirëpriti vendimin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit FIFA për të lejuar ekipet e saj të luajnë ndeshje miqësore futbolli me ekipe të huaja. Por FIFA tha se ekipet nga Kosova nuk mund të mbajnë simbole kombëtare si flamujt dhe stemat dhe as të luajnë himnin kombëtar.

Vendimi i marrë dje, u përshëndet menjëherë në Kosovë si hap i parë drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në FIFA dhe UEFA. Afrim Toverlani, trajner i klubit të Prishtinës

"Ky vendim është shumë i rëndësishëm sepse prej 22 apo 23 vjetësh ne kemi qenë trajtuar si një geto. Pavarësisht se do të luajmë me kufizime, ky është një lajm shumë i mirë," tha Afrim Toverlani, trajner i klubit të Prishtinës, klubi më i vjetër i futbollit në Kosovë.

FIFA tha se komiteti i saj emergjent, i kryesuar nga presidenti Sepp Blatter, e mori vendimin pas takimit të premten e kaluar me drejtuesit e futbollit nga Kosova dhe Serbia.

"Vendimi ... përfaqëson një nxitje të madhe për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe konfirmon edhe një herë fuqinë e jashtëzakonshme të sportit për të bashkuar njerëzit," tha zoti Blater në një deklaratë të bërë nga FIFA.

Megjithatë, ekipet kombëtare dhe klubet e futbollit nga vendet e ish-Jugosllavisë përjashtohen nga marrëveshja.

Kosova ka përdorur sportin për të afirmuar më tej statusin e saj ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008.

Ajo është njohur nga më shumë se 100 vende, por nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Federata e Futbollit e Serbisë dhe autoriteti Europian i futbollit UEFA e bllokuan nismën e zotit Blatter në maj 2012 për t'i dhënë Kosovës të drejtën për të marrë pjesë në ndeshje ndërkombëtare.

FIFA tha se ekipet nga Kosova "nuk mund të mbajnë simbole kombëtare si flamujt dhe stemat dhe as të luajnë himnin kombëtar." Ata mund të "veshin bluza me emrin e Kosovës ose të mbajnë simbole me yll.

Ekipet nga Kosova duhet gjithashtu të njoftojnë 21 ditë përpara për ndeshjet ndërkombëtare të planifikuara dhe FIFA do të informojë Federatën Serbe të Futbollit.

"Çdo shkelje do t'i referohet FIFA-s dhe marrëveshja automatikisht merr fund," paralajmëroi FIFA.

Ministri i Sporteve i Kosovës, Memli Krasniqi tha se kufizimet do të respektohen.
Memli Krasniqi Ministër i Sporteve

"Ne e kuptojmë se modalitetet që ka vendosur FIFA nuk janë ideale. Ka disa kufizime. Por, ne do t'i respektojmë ato derisa Federata e Futbollit e Kosovës të bëhet anëtare e plotë dhe e barabartë në UEFA dhe FIFA," tha zoti Krasniqi.

Rregullat e FIFA-s lejojnë lojtarë nga ekipe të tjera kombëtare me lidhje familjare në Kosovë që të luajnë atje.

Zvicra ka disa lojtarë të tillë, si Xherdan Shaqiri i Bayernit të Munihut dhe mesfushori i Napolit Valon Behrami.
XS
SM
MD
LG