Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 20 janar?

  • Astrit Lulushi

Decius

Decius

250 - Perandori Trajan Decius fillon një fushatë për të ndjekur të krishterët nga Roma. Gjatë përndjekjes, Papa Fabian bie martir dhe shumë të krishterë u dëbuan nga qyteti. Decius (Gaius Messius Quintus Decius Augustus) ishte Perandor nga 249 - 251. Në vitin e fundit të mbretërimit, ai bashkëqeverisi me djalin e tij, Herenius Etruskus; të dy u vranë në betejën e Abritus (sot Razgrad, Bullgari) kundër gotëve. Decius, lindi në vitin 201 në Budalia (Mitrovicë, Kosovë). Ai është i pari në listen e gjatë të Perandorëve romakë që do të dilnin nga Iliria. Këta quhen zakonisht perandorë ilirë sepse të gjithë kishin lindur në Iliri dhe u ngjitën në shkallën më të lartë të pushtetit, duke e filluar karrierën si ushtarë në legjionet romake të stacionuar në vendlindjen e tyre. Para se të bëhej perandor, Decius kishte qenë senator, para kësaj, prefekt i qytetit të Romës, dhe radhazi guvernator në Mezi, Gjermanikë, Spanjë. Gjatë mbretërimit të tij, Decius ndërmorri disa projekte ndërtimi, si për shembull: banjat termale në Aventine (Itali), të cilat mbetën funksionale deri në shekullin XVI: historikisht, Decius njihet për kujdesin ndaj Koloseut të Romës; gjatë periudhës së tij si perandor, Koloseu, i dëmtuar rëndë nga goditjet e rrufeve, u restaurua plotësisht. Për rreth 3 shekuj (251 - 565) Roma u mbizotërua nga perandorë ilirë; ishte pikërisht kjo periudhë kur fiset vandale e sllave u mbajten larg kufijve të rajonit, i cili më pas do të quhej Ballkan. Pas shekullit VI, në listën e perandorëve romake rrallë gjendet ndonjë ilir; me sa duket ilirët, nuk ishin më të favorizuarit e Romës ose e humbën fuqinë a ndikimin e tyre; kjo gjendje e krijuar përkon me vërshimin e sllavëve në trojet ilire. A ishte ky mënjanim i ilirëve nga pushteti rastësi a konspiracion, këtë vetëm studimet mund ta tregojnë. Më poshtë; Listë e përzgjedhur me emra të Perandorëve romakë me prejardhje ilire.
Decius - 249-251
Hostilianus - ?251
Claudius II "Gothicus" 268-270
Quintillus - 270
Aurelian - 270-275
Probus - 276-282
Diokleciani - 284-305
Maximianus "Herculius" - 286-305
Galeriusi - 305-311
Konstandini I - 306-337
Maximinus Daia - 308-313
Jovian - 363-364
Valentinianus I - 364-375
Valens - 364-378
Gratian - \ 375-383
Valentinianus II - 375-392
Marcianus - 450-457
Anastasius I - 491-518
Justin I - 518-527
Justinian I - 527-565
1887 - Senati amerikan miraton marrjen me qira të bazës detare Pearl Harbor në Hawaii. Ishte sulmi japonez ndaj kësaj baze (7 dhjetor 1941), që do të detyronte SHBA-në të hynte në Luftën e dytë Botërore. Hawaii (Ishull i Madh), në atë kohë nuk ishte pjesë e Shteteve të Bashkuara. Hawaii do të pranohej në Bashim më 21 gusht 1959. Shteti Hawaii përbëhet nga qindra ishuj të vegjël në oqeanin Paqësor.
1892 – Për here të pare në histori, një lojë basketbolli zhvillohet në shtetin Massachusets.
1921 - Turqia shpallet shtet i pavarur mbi atë që kishte mbetur nga perandoria osmane. Kushtetuta e vitit 1921 (Kanunu) ishte ligji themelor i Turqisë për një periudhë të shkurtër 1921-1924. “Kanunu” ishte një dokument i thjeshtë i përbërë nga vetëm 23 artikujve të shkurtër. Në tetor 1923 kushtetuta u shtua për të deklaruar se Turqia është republikë. Në prill të vitit të ardhshëm kushtetuta u zëvendësua me një dokument krejtësisht të ri, Kushtetuta e 1924s.
1937 - Franklin Delano Roosevelt bëhet presidenti i parë amerikan që përurohet më 20 janar. Amendamenti i 20-të i Kushtetutës përcakton zyrtarisht 20 janarin si ditën e përurimit të presidentit dhe nënpresidentit. Ky amendament u ratifikua nga Kongresi në vitin 1933.
1939 - Hitleri shpall në parlamentit gjerman se do t’i zhdukte të gjithë hebrenjtë evropiane.
1941 - Një oficer gjerman u vra në Bukuresht - vrasja shkaktoi rebelim dhe pogrom nga ana e Gardës së Hekurt; 125 hebrenj dhe 30 ushtarë u vranë këtë ditë në kryeqytetin rumun.
1949 - Presidenti Harry Truman shpall Pikën 4 të programit te tij. Pika 4 lidhet me ndihmën ekonomike të SHBA-së për vendet e varfra. Programi u shpall nga presidenti në fjalimin e tij të parë në fillimin e mandatit të tij plotë 4-vjeçar si president. Truman kishte qenë nënpresident dhe zuri vendin e presidentit Roozevelt, kur ky vdiq në detyrë më 1945; vetëm më 1948, Truman u bë president i zgjedhur me vota.
1981 - Ronald Reagan bëhet presidenti më i moshuar amerikan. Ai ishte 69 vjeç e 349 ditë kur u përurua president më 20 janar 1981.
Mendim i ditës
"Liria konsiston në dy gjëra: të njihni veten, dhe ta pranoni atë pa frikë, zili, ose neveri. Kur ta bëni këtë, do të jeni të lirë."
Ann Bridge, Illyrian Spring
XS
SM
MD
LG