Lidhje

Serbia filloi negociatat për anëtarësim në BE


Fillimi i këtyre negociatave shihet si shpërblim ndaj Beogradit për angazhimin e tij në procesin normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën

Serbia filloi sot zyrtarisht bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një proces që u hap në radhë të parë si rezultat i bisedimeve të saj me Kosovën. Udhëheqësit e lartë të Bashkimit Evropian dhe të Serbisë e cilësuan këtë një ngjarje me rëndësi historike, ndonëse procesi i bisedimeve pritet të zgjasë disa vjet me radhë.



Ministri i jashtëm grek, Evangelos Venizelos, vendi i të cilit drejton Bashkimin Evropian, tha se në këtë proces vend të posaçëm do të ketë angazhimi i Serbisë për përmirësimin e dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën që duhet të çojë në normalizimin gjithëpërfshirës.

Ky proces duhet të sigurojë që të dyja palët do të vazhdojnë në rrugët e tyre evropiane duke shmangur mundësinë që të bllokojnë njëra tjetrën në këto përpjekje”, tha ministri grek.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, tha se kjo gjithsesi është një ditë historike për Serbinë që ka hapur një fazë thelbësore të marrëdhënieve të saj me Bashkimin Evropian.

Çelësi ishte në vendosmërinë e autoriteteve serbe për të përmbushur reformat dhe përpjekjet e guximshme dhe të pashembullta në muajt e fundit drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, tha zoti Fule.

Kryeministri serb Ivica Daçiç, e cilësoi ditën e sotme si ngjarjen më të rëndësishme për Serbinë pas luftës së dyte botërore.

Kjo ngjarje në pikëpamje strategjike përcakton rrugën e mëtejme të Serbisë, të vlerave që ajo synon dhe cilësinë e shoqërisë për të cilën angazhohet”, tha kryeministri serb, i cili edhe më herët ka vlerësuar se procesi do të jetë i vështirë dhe përgjatë tij, Serbia mund të përballet me kushte të reja që kanë të bëjnë me Kosovën.

Para se të nisej për në Bruksel, ai tha se negociatat me Bashkimin Evropian nuk po nisin pse Serbia ka bërë reforma të mëdha, por për shkak të përparimeve kundruall marrëdhënieve me Kosovën.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, tha sot në Prishtinë se fillimi i negociatave te Serbisë me Bashkimin Evropian është lajm i mirë edhe për Kosovën.

"E di që ka shumë kritika për bisedimet edhe këtu dhe ndjenjë se nuk po merrni aq sa Serbia. Por, mendoj e ju po fitoni mjaft, po fitoni ndryshimin në mendjen e njerëzve në Bashkimin Evropian për Kosovën”, tha zonja Lunaçek, duke nënvizuar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk është aspak i lehtë.

Bisedimet i mundësuan Kosovës të fillojë negociatat për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian, një e arritur që për shumë vëzhgues është e pamjaftueshme. Kosova është prapa të gjitha vendeve të Evropës Juglindore në proceset integruese dhe shteti i vetëm, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Kosova mori udhërrëfyesin për këtë çështje në qershor të vitit 2012, por duket se ende është larg liberalizimit. Eurodeputetja Lunaçek tha se kjo nuk do të ndodhë gjatë këtij viti, ndërsa askush nuk mund të thotë saktësisht edhe sa vjet duhet pritur për këtë proces.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG