Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 22 janar?

  • Astrit Lulushi

Swiss Guard

Swiss Guard

1506 - Kontigjenti i parë me 150 roje zvicerane mbërriti në Romë. Historia thotë se ata kaluan nëpër Porta del Popolo dhe hynë për herë të parë në Vatikan, ku u bekuan nga Papa Julius II. Marrëveshja për rojet zvicerane ishte nënshkruar në vitin 1497 nga Papa Sixtus IV, në aleancë me konfederatën e Zvicrës. Me këtë rast Papa ndërtoi për ta kazermat, si dhe një kishë të vogël, Shën Pellegrino, që ndodhen edhe sot në Via Pellegrino në qytetin e Vatikanit.
1517 - Turqit pushtojnë Kajron, kryeqytet i sulltanatit të mamlukëve, dinasti myslimane në Egjipt (1250-1517). Mamlukët nuk ishin egjiptianë, por rridhnin nga një kastë skllevërish të privilegjuar me prejardhje nga Kirkizia. Pas një grusht-shteti në vitin 1250, ata morrën pushtetin në Egjipt dhe pastaj aneksuan Sirinë dhe Palestinën. Fillimisht marrëdhëniet mes sulltanatit të mamlukëve dhe Perandorisë Osmane ishin miqësore. Por gjatë viteve të fundit të shekullit të 15, konkurrenca për të kontrolluar Turqinë jugore i përkeqësoi marrëdhëniet. Pas fitores osmane më 22 janar 1517, sulltan Selimi vendosi që udhëheqësit mamlukë të zënë rob t'i dërgonte në Stamboll, por pastaj ndryshoi mendje; ata u ekzekutuan më 13 prill 1517 nga një ish-komandant mamluk që kishte kaluar në anën e osmanëve.
1816 - George Gordon Byron përfundon vëllimin poetik "Parisina" & "Siege of Corinth". Kjo date përkon edhe me përvjetorin e lindjes së tij (22 janar 1788). I njohur si Lord Bajron, dhe figurë udhëheqëse i rrymës romantike në letërsi, ndër veprat më të njohura të tij janë "Don Juan", "Childe Harold's Pilgrimage" dhe poezia lirike "She Walks in Beauty". Lord Byron konsiderohet si një nga poetët më të mëdhenj britanikë dhe vazhdon të lexohet gjerësisht. Pasioni i tij ishin udhëtimi dhe jeta pa kufizime; ai la gjurmë në Evropë, sidomos në Itali, ku jetoi për 7 vjet; më pas u bashkua me Luftën greke për Pavarësi nga Perandoria Osmane; grekët e nderojnë atë si hero kombëtar. Gjatë qëndrimit në Greqi, Byroni u prek nga ethet dhe vdiq në Missolonghi më 1824, në moshën 36 vjeçare. Lord Byron është përshkruar shpesh si aristokrat pompoz, romantik i bujshëm, sa famëkeq për stilin e jetesës aq i famshëm e i admiruar si poet; ai ishte vetë-mërgues; njeri i lukseve, shpenzues pa masë duke lënë pas borxhe të mëdha. Lord Byron mbahet mend edhe për vizitën në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë. “Në letrën dërguar nënës" Byron shkruan: "Aliu është vetëm formalisht i varur nga Porta e lartë. Ai është njeri i fuqishëm, sa i sukseshëm aq edhe mizor me kundërshtarët. Bonaparti i dërgoi Aliut një kuti burnoti me foton të tij. Pashai tha se kutia ishte shumë e mirë, por foton e nënçmoi, pasi ai nuk pëlqente as origjinalin."
1881 - Obelisku i lashtë egjiptian "Gjilpëra e Kleopatrës" ri-ngrihet në Parkun Qendror të Nju Jorkut. Gjilpëra e Kleopatrës është emri i njohur për secilin nga tre obeliskët e lashtë të shkulur nga Egjipti the të ri-ngritur në Londër, Paris dhe Nju Jork gjatë shekullit XIX. Edhe pse Obeliskët quhen ‘Gjilpërat e Kleopatrës” ata nuk kanë asnjë lidhje me Mbretëreshën Kleopatra VII të Egjiptit, pasi kanë qenë në ekzistencë mbi një mijë vjet para saj.
1914 – Vlorë - Qeveria e përkohëshme e Shqipërisë heq dorë nga pushteti dhe ia dorëzon atë Komisionit Ndërkomëtar të Kontrollit për të qeverisur vendin deri në arritjen e princ Vidit. Ismail Qemali, ish-kryetari i qeverisë, bëhet gati të vetë-mërgojë në Francë. Menjëherë, Komisioni i Kontrollit e fton Esad Pashë Toptanin të ndjekë shembullin e Ismail Qemalit, por Esadi nuk pranon.
1976 - Në Bejrut grabitet Banka britanike e Lindjes së Mesme, e cila mendohet se humbi rreth 25 milionë stërlina, shumë sot e barabartë me 100 milionë. Grabitja u krye nga PLO (Oragnizata për Çlirimin e Palestinës).
1987 – SHBA - Politikani nga Pennsylvania R. Budd Dwyer vret veten gjatë një konference shtypi në television. Kjo ngjarje çoi në debate mbi kufijtë në gazetari, dhe se jo çdo pamje është e transmetueshme. Në vitin 1986, Dwyer ishte dënuar për marrje ryshfeti nga një firmë në Kaliforni. Gjatë gjyqit, si dhe pas dënimit, ai pohoi se ishte i pafajshëm dhe se akuzat ishin të sajuara. Masa e dënimit ishte planifikuar të shpallej nga gjykatësi më 23 janar, një ditë pas vetëvrasjes.
Mendim i ditës
“Trishtimi është njohuri, ata që dinë më shumë duhet të mbajnë zi më thellë, pema e njohjes nuk është pema e jetës”.
Lord Bajron
XS
SM
MD
LG